Arbëri

Pesë muaj nga deklarata e përbashkët LDK-VV për dialogun me Serbinë

Janë bërë pesë muaj që kur Lidhja Demokratike e Kosovës së bashku me Lëvizjen Vetëvendosje kanë përpiluar një deklaratë përmes së cilës kanë paraqitur pesë pika, të cilat sipas tyre, duhet ndjekur në dialogun me Serbinë.

Lidhur me këtë ka shkruar edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.

Ajo përmes një postimi në Facebook ka thënë se në atë deklaratë është dhënë orientim i qartë se si duhet të duket dialogu me Serbinë.

“Sot janë bërë 5 muaj nga deklarata me 5 pika e kryetarëve të LVV dhe LDK, Albin Kurti dhe Isa Mustafa. Aty është dhënë orientimi i qartë se si duket dialogu parimor me Serbinë dhe pse drejtimi i qeverisë është i gabuar e i dëmshëm. Së fundmi kjo u konfirmua edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese më 27 qershor 2019”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, për një dialog të mbrapshtë me Serbinë deshën ta përmbysin rendin republikan e demokratik të Kosovës.

Haxhiu ndër të tjera thotë se kryeministri do të duhej të jepte dorëheqje nëse do të kishte sadopak përgjegjësi.

Pesë pikat e deklaratës ishin:

1. Negocimi i çfarëdo marrëveshje finale me Serbinë duhet bërë me një formulë parlamentare që garanton unitet të gjerë politik. Kuvendi i Kosovës është institucioni i vetëm që ushtron autoritetin e përcaktimit të asaj çfarë mund dhe nuk mund të negociohet, përmes një vendimmarrje transparente dhe më së paku një shumice të kualifikuar prej 2/3. Dialogu duhet të zhvillohet nga një qeveri e cila ka legjimitet politik dhe e përfaqëson shumicën parlamentare. Platforma me qëllime dhe parime duhet të jetë legjitime po ashtu përmes një shumice të kualifikuar prej 2/3 e deputetëve të Kuvendit.

2. Negociimi i çfarëdo çështjeje që është fundament kushtetues dhe element i shtetit të Kosovës, siç janë territori, institucionet kushtetuese, popullsia, resurset natyrore, është i papranueshëm dhe ato nuk mund të bëhen objekt i negocimit me Serbinë. Një përcaktim të tillë Kosova e respekton duke u bazuar në premisën juridike të së drejtës ndërkombëtare mbi të cilën ajo e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, dhe e cila gjithashtu reflekton qëndrimin e vendeve kryesore që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Çfarëdo ikje nga një themel i tillë është mohim i rrugës për shtetndërtim të Republikës së Kosovës bazuar në intervenimin ndërkombëtar humanitar të NATO-s, rolin e rezistencës paqësore dhe luftën çlirimtare për lirinë e Kosovës, vlerat demokratike që mbron populli i Kosovës, si dhe Opinionin e GjND-së që i njeh legalitetin një rrugëtimi të tillë të përcaktimit liberal të normave të së drejtës ndërkombëtare.

3. Një marrëveshje me Serbinë nuk mund të shihet në asnjë prizëm tjetër përpos në atë të njohjes që Kosova gëzon në mënyrë implicite në veton e saj ndaj anëtarësimit të Serbisë në BE, e cila është qartazi e përcaktuar në Kapitullin 35 dhe në Strategjinë për Zgjerim të Komisionit Evropian. Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e arritur një marrëveshje me Kosovën. Prandaj, kjo është e vetmja gjë që Kosova mund t’i jap Serbisë, në këmbim të njohjes së saj të shtetit të pavarur të Kosovës, pranimit të parimit të mos-intervenimit në punët e brendshme të Kosovës, njohjes së aftësisë juridike të Kosovës për t’u anëtarësuar në OKB, si dhe adresimit të dëmeve e humbjeve të luftës dhe principit të reciprocitetit për marrëdhënie të mira fqinjësore.

4. Kosova do të ketë koordinim të plotë dhe mirënjohje për pozicionin e ShBA-ve, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Italisë. Kosova do të njeh përjetësisht kontributin e këtyre shteteve dhe përfaqësive e misioneve të tyre në shtetndërtimin në Kosovë, dhe, do të kërkojë ndihmë prej të njëjtëve për ta fuqizuar pavarësinë dhe shtetin e Kosovës në të drejtën ndërkombëtare.

5. Kosova është shtet i pavarur dhe shtetësia e saj nuk mund të rinegociohet në asnjë element përbërës të saj. Kosova do të mbetet shtet i tillë në të drejtën ndërkombëtare me apo pa njohjen e Serbisë. Askush nuk mund ta rivlerësojë atributin e shtetit të Kosovës si produkt i rezistencës dhe luftës së popullit për liri, intervenimit të NATO-s dhe konsensusit të prerë të demokracive perëndimore për një gjë të tillë.