Arbëri

Emërimi i spanjollit në vend të Mogherinit nuk po shihet krejtësisht negativ për Kosovën

Përfaqësimi i Politikës së Jashtme të BE-së nga një spanjoll, vendi i të cilit nuk e ka njohur Kosovën, nuk po vlerësohet edhe aq negativ në Kosovë.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, pritet të jetë edhe ndërmjetësues i dialogut të pezulluar ndërmjet Kosovës e Serbisë, raporton KTV.

Si Përfaqësues i Lartë i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë, ai do të ndërmjetësojë edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Emërimin e 72-vjeçarit, me gjithë deklarimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës, njohësit e çështjeve evropiane, nuk e shohin si problematike. Kjo pasi, sipas tyre, ministri aktual i Punëve të Jashtme të Spanjës, nga marrja e detyrës duhet t’i përfaqësojë politikat e Bashkimit Evropian.

Por, në Bashkimin Evropian zgjedhja e ministrit spanjoll dhe ndërmjetësimi i tij në bisedimet Kosovë-Serbi, ka ngjallur skepticizëm. Lidhur me zgjedhjen e Borellit është deklaruar edhe kreu i ekzekutivit kosovar i cili ka thënë se është herët të flitet për të.