Arbëri

Komisioni për Bujqësi nuk e voton Raportin për menaxhimin e komplekseve memoriale

Mungesa e të dhënave lidhur me të gjitha lapidaret që ndodhen në Kosovë ka bërë që raporti vjetor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale i vitit 2018, të mos miratohet në Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural.

Kjo është hera e dytë që ky raport nuk ka kaluar në këtë komision. Kjo pasi që as të parën herë e as tani Agjencia nuk ka arritur të sigurojë të gjitha të dhënat e kërkuara nga komisioni.

Kryetari i Agjencisë, Bislim Zogaj, ka thënë se janë në proces të mbledhjes së të dhënave dhe se brenda 10 ditëve besojnë se do ta kenë listën e plotë, raporton Koha Ditore.

Njëra prej arsyes së mosplotësimit të raportit sipas Zogajt ka qenë mungesa stafit në Agjenci si dhe mungesa e gatishmërisë për bashkëpunim nga ana e shumicës së komunave të Kosovës.

Komisioni ka vendosur që të presë Agjencinë në një afat prej dy javësh për sjelljen e këtyre të dhënave në mënyrë që atëherë ta votojnë dhe përcjellin për seancë këtë raport.