26 perditesime
Arbëri

Nis numërimi i votave, dalin rezultatet e para

Nis numërimi i votave, dalin rezultatet e para
23:45

Nis numërimi i votave, dalin rezultatet e para

Ka nisur numërimi i votave të shqiptarëve, që në një dalje të ultë sot iu drejtuan kutive të votimit për zgjedhjet lokale në Shqipëri.

E para që kanë dalë rezultatet është bashkia e Pustecit. Nga dy kuti që janë numëruar deri më tani, është Pali Kolevski i PS që udhëheq me 525 vota, ndërsa Edmond Temelko, kryetari në detyrë i kësaj bashkie, numëron 213 vota. Numërimi i votave në këtë bashki vijon ende.

Rezultatet e numërimit të votave mund t’i ndiqni “live” në faqen e Komisionit Qendror Zgjedhor në Shqipëri.

23:18

Pjesëmarrja në Lezhë e Shkodër nën 10 %, në Tiranë mbi mesataren

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë publike rezultatet e votimit të 30 qershorit në 61 bashkitë e vendit.

21.6% është pjesëmarrja në rang vendi, sipas KQZ-së. Ndërkohë, sa i përket bashkive, në disa prej tyre ka pasur një pjesëmarrje shumë të ulët saqë mund të flitet edhe për bojkot, raporton Tch.

Pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në bashkinë e Lezhës, ku në votime morën pjesë vetëm 8.93% e qytetarëve. Dy bashkitë e tjera me pjesëmarrjen më të ulët janë ato të Memaliajt dhe Shkodrës, me nga 9.01% dhe 9.67%. Pjesëmarrje të ulët ka pasur edhe në bashkitë e Kamzës, Dropullit, Finiqit, Kavajës dhe Durrësit.

Sa i përket bashkisë me pjesëmarrjen më të lartë në votime, rezulton së në Pustec kanë votuar 55% e qytetarëve. Bashkia minoritare maqedonase është vetmja ku pjesëmarrja e ka tejkaluar shifrën e 40%. Pusteci nga bashkia e Librazhdit me 37.52% dhe bashkia e Tepelenës me 36.59%. Pjesëmarrje të konsiderueshme ka pasur edhe në Klos, Poliçan dhe Kolonjë.

Në bashkinë e Tiranës pjesëmarrja ka qenë në 25.86%.

Më poshtë është lista e plotë me pjesëmarrjen e votuesve në 61 bashki: 

Image

Image

  

22:52

KQZ: Pjesëmarrja në zgjedhje, 21,6 %

Zëdhënësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxhaj, tha se në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit votuan mbi 770 mijë qytetarë.

“Sipas të dhënave që qendrat e votimit nisën, totali është 771 863 votues, e thënë ndryshe në përqindje 21,6 %”

Sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, Hoxhaj tha se numërimi fillon vetëm pasi të jenë marrë në dorëzim nga KZAZ-të të gjitha kutitë e votimit nga të gjitha qendrat e votimit të zonës.

“KQZ informon se janë mbyllur të gjitha qendrat e votimeve. Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimeve, ka nisur procesi i dorëzimit të kutive të votimeve dhe materialeve zgjedhore për në vendnumërimet e votave”, ka thënë ajo.

21:35

Rama: Nuk mbaj mend fitore më të vështirë

Ashtu siç u lajmërua kryeministri, Edi Rama, ka dalë në një deklaratë për shtyp në orën 21:00.

Rama e ka quajtur ditën e sotme një moment historik dhe ditën kur fitoi shteti e ardhmja, qytetaria, shpresa.

“Moment historik, sot ishte 30 qershori i një Shqipërie që për shumë muaj përjetoi përçarje të rendë politike, për të ndaluar ecjen tonë para dhe integrimit të popullit shqiptar në BE. Sot ishte dita e zgjedhjeve që u kthye muaj pas muaj në ditën kulmore të një përplasje historike mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes anti shtetit dhe shtetit, mes pandëshkueshmërisë dhe drejtësisë, mes Shqipërisë së vjetër, të fantazmave të historisë dhe Shqipërisë së drejtë”, ka thënë ndër të tjera Edi Rama, kryeministër e njëherësh edhe kryetar i Partisë Socialiste.

Sipas tij, sot fitoi me të drejtë e dinjitet Shqipëria evropiane.

“Ishte një fitore e vështirë, mbase më e vështira. Unë vetë nuk mbaj mend një më të vështirë, sepse luftoi vete sistemi ende i brishtë demokratik. Me kundërshtarët e ndërkryer të vetë zgjedhjeve. Sot 30 qershori që dukej sikur s’do vinte kurrë, po ikën paqësisht duke marrë me vete hije shqetësimi e kaosin”, ka shtuar Rama.

“Faleminderit partnerëve të Shqipërisë demokratike. SHBA-së, përfaqësisë së saj në Tiranë, BE dhe delegacionit, misionit të OSBE dhe të tjerëve që dhanë dorë në këtë betejë. Por edhe ndjesë atyre që u bënë objekt i sulmeve të shumta personale, që na turpëruan të gjithëve”, ka thënë ai.

Rama ka thënë se pas pak hyn një ditë e re, që e gjen vendin të çliruar nga makthi.

“Populli i Shqipërisë dhe më tej akoma kombi shqiptar, nuk e meritonte gjithë sa pa e dëgjoi e përjetoi me muaj që dukeshin si vite. Zgjedhësit e këtij vendi, nuk e meritonin atë presion kriminal, atë llum të zi dhe në mediat ndërkombëtare. Qoftë duke shkuar të votojnë apo jo ata folën me gjuhën e paqes e respektit. Ishte një e diel krejt normale pavarësisht paralajmërimeve”, ka thënë Rama.

Sipas tij, u krye për bukuri, ajo që dukej si rrugë pa krye, kundër demokracisë, vendit.

“Ne do vijojmë të bëjmë punën shumë më tepër se sa deri sot, në nivel qendror e vendor. Ne fituam sot luftën për zgjedhjet e të gjitha radhëve. Nga sot Shqipëria nuk do shohë më djegie mandatesh, bojkot zgjedhjesh, molotovë kundër së drejtës së popullit për të votuar”, tha Rama.

Image
20:58

Basha: 85 % e shqiptarëve e refuzuan monizmin e Ramës

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka dalë në një deklaratë për mediat, pas mbylljes së procesit të votimit për 61 bashkitë e vendit.

Sipas Bashës, 85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste duke braktisur maskaradën e Edi Ramës.

“Shqiptarët braktisën në masë maskaradën e Edi Ramës. 85% e shqiptarëve refuzuan votimet moniste. Edi Ramën e braktisën edhe socialistët sepse votuan më pak se në 2017-ën”, u shpreh kreu i PD-së.

20:50

Kryemadhi: 85 % e shqiptarëve të refuzuan, bye bye Edi

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, me anë të një postimi në Facebook ka thënë se shqiptarët sot refuzuan Edi Ramën.

Sipas saj 85 përqind e tyre kanë refuzuar votimet moniste të Edi Ramës.

“85% e shqiptarëve refuzuan sot votimet moniste të Edi Ramës. Refuzuan premtimet boshe. Refuzuan Ramën. Kjo e sotmja është një fitore për demokracinë shqiptare! Pjesëmarrja ekstremisht e ulët është një fitore për popullin shqiptar e demokracinë në Shqipëri si dhe një goditje kundër diktaturës së Ramës”, ka shkruar Kyemadhi.

“Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve”, ka shtuar më tej, duke ngjitur krejt në fund edhe një “lamtumirë për Ramën”.

“P.S: Sado që ti mbushësh kutitë, shqiptarët të refuzuan. Bye bye Edi”.

20:07

Rekord në Lazarat, votuan vetëm 60 qytetarë

Vetëm 60 qytetarë u drejtuan sot në kutitë e votimit në Lazarat. Kjo shifër përbën vetëm 2.2% të totalit të qytetarëve me të drejtë vote në Lazarat, që arrin në 2700.

Nga raportimet që po vijnë nga i gjithë vendi, Lazarati ka vendosur deri më tani rekordin më të ulët të pjesëmarrjes në votime.

Sa i përket qarkut të Gjirokastrës, ku përfshihet edhe Lazarati, pjesëmarrja në votime ka arritur deri në 22.9%. Ky qark njihet edhe si një prej bastioneve të Partisë Socialiste.

Edhe pse procesi i votimit në të gjithë Shqipërinë ka përfunduar prej 1 ore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka bërë ende publike shifrën e pjesëmarrjes në rang vendi. Raportimi i fundit ka qenë në orën 15:00, ku pjesëmarrja ishte në 15.5%.

19:31

Mbyllen Qendrat e Votimit

Ka përfunduar afati për qytetarët e Shqipërisë që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar kryetarët e bashkive. Sipas KQZ-së deri në orën 15:00 kanë votuar 15.5 për qind, ndërkohë komisioni pritet pas pak të dalë me rezultatet e ardhshme.

Që nga ora 7 e mëngjesit, në Shqipëri kanë qenë të hapura qendrat e votimit për zgjedhjen e 61 kryetarëve të bashkive.

Menjëherë pas mbylljes së vendvotimeve në Shqipëri para gazetarëve ka dal kryetari i Komisionit Qendror Zgjedhor, Klement Zguri.

Ai tha se nuk do të ketë zgjatje të afatit për të votuar edhe pse kishte disa deklarata për ta bërë këtë.

Zguri tha se pas përfundimit të orarit zyrtar, askush nuk mund të shkelë ligjin.

“Në rastin konkret dua të citoj kodin zgjedhor, orari fillon në 7 dhe mbaron në 19, e vetmja mundësi është nëse ka radhë, Komisioni duhet të marrë dokumentet e identifikimit dhe kjo është mundësia e vetme që qytetarët të votojnë. Përtej kësaj votimet janë të mbyllura dhe askush nuk ka të drejtë të tejkalojë normat dhe ligjet. Marr shkas nga deklarata mediatike, ku bëhej fjalë për kërkesa që duhej shtyrë me rreth 30 minuta votimi”, tha Zguri.

E veçanta e lokaleve 2019 është se u zhvilluan pa opozitën e madhe, e cila procesin e sotëm e kundërshtoi edhe me protesta.

Zgjedhjet lokale u monitoruan nga 150 vëzhgues të OSBE, gjithashtu nga misionet e ambasadave të huaja në Shqipëri.

Policia e Shtetit ka angazhuar 7779 efektivë, prej të cilëve 5876 punonjës po angazhohen për ruajtjen e objekteve dhe 1450 të tjerë janë në gatishmëri të procesit zgjedhor. Gjatë ditës në Tiranë dhe qytete të tjera janë mbajtur protesta nga opozita, duke thënë se këto zgjedhje janë vetëm votime, dhe se të njëjtat po bëhen sikur në kohën e diktaturës.

Ndërsa kryeministri Edi Rama pasi hodhi votën e tij tha se “dita e sotme konfirmon që me popullin nuk luhet dhe se kush tenton t’ia marrë sovranitetin popullit, fundin e ka me dështim”.

18:38

Basha kritikon ndërkombëtarët për mosreagim ndaj situatës në Shqipëri

Lideri i opozitës Lulzim Basha ka folur pa doreza në një intervistë për Al Jazeera, duke i ngarkuar përgjegjësi për situatën edhe ndërkombëtarëve.

Ndryshe nga sa jemi mësuar me deklarata diplomatike, Basha ka deklaruar se shqiptarët janë të tronditur nga mosreagimi ndërkombëtar.

“Shqiptarët janë të tronditur nga mosreagimi ndërkombëtar ndaj provave që lidhin Ramën me krimin e organizuar përmes së cilëve ai rifitoi pushtetin në vitin 2017. Kjo është një situatë shumë e rrezikshme, e cila potencialisht të çon në trazira civile, trazira sociale, nëse nuk ka një dënim të qartë të farsës e cila tashmë ka ndodhur”, thotë Lulzim Basha për Al Jazeeran, përcjell bw.

“Ky është një vend i sigurt për opozitën, por që nuk ka një kandidat pasi po bojkoton plotësisht zgjedhjet lokale. Partia Demokratike akuzon qeverinë për korrupsion dhe kërkon zgjedhje të përgjithshme, është duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit socialist Edi Rama”, thuhet në kronikën e Al Jazeera për zgjedhjet në Shqipëri.

Image
17:26

PD: KQZ-ja po gënjen, deri në orën 15:00 votuan 10 % e popullsisë

Partia Demokratike ka përgënjeshtruar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen në votime.

Sekretari për Zgjedhjet në PD, Ivi Kaso, tha se në të vërtetë deri në këtë orë janë paraqitur për të votuar vetëm 10% e popullsisë, përcjell tch.

“Operacioni më i madh që po kryen Rama sot është falsifikimi. KQZ është në krye të këtij operacioni, duke mashtruar për numrin e vërtetë të atyre që kanë votuar. Pjesëmarrja faktike ka qenë 6% deri në orën 11:00”, ka thënë Kaso.

“Pjesëmarrja deri në orën 15:00 është 10%. KQZ është një vegël e paligjshme në duart e Ramës. Paniku i Ramës duket qartë, askush nuk mund ta fshehë braktisjen e tij”, u shpreh më tej Kaso.

Image
16:54

Vetëm 15.5 % dalja e votuesve deri në orën 15:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë shifra të tjera të përditësuara për votimin deri në orën 15:00.

Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxha tha se deri tani procesi ka vijuar normalisht dhe se pjesëmarrja deri në orën 15:00 ka qenë 15.5%.

Pra kur kanë ngelur ende edhe 4 orë nga orari zyrtar i votimit, raporton TCH. Në total kanë votuar 546 388 zgjedhës, Tirana me numrin më të madh të votuesve.

15:07

Incident në qendrën e votimit në Skrapar, raportohet për të lënduar

Një incident ka ndodhur në një nga qendrat e votimit në Skrapar ku raportohet dhe për të lënduar.

Konkretisht në qendrën 3554, ku i dëmtuar ka mbetur Astrit Dyrmishi./Tch/

Image
14:58

Shtabi elektoral i PS: Kanë votuar 16.4 % e qytetarëve në Tiranë

Deri më tani kanë votuar 108 mijë votues ose 16.4 % në të gjithë bashkinë Tiranë, sipas shtabit elektoral të kandidatit Erion Veliaj.

Deri në orën 13:30 në njësinë bashkiake numër 1 në KZAZ 31 që ka 57 qendra votimi janë 41.444 votues në total dhe deri më tani kanë votuar 7.156 votues.

Ndërsa në shkollën “Kushtrimi Lirisë” janë 22 qendra votimi dhe kanë votuar deri më tani 3.146 votues.

14:35

Kryetari i KQZ-së: Rezultatet e orën 11:00 nuk janë zyrtare

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Klement Zguri ka thënë se rezultatet e prezantuara në orën 11:00 nuk janë zyrtare dhe se shifrat e njëjta kanë ardhur vetëm përmes komunikimeve telefonike me KZAZ-të.

Zguri në një deklarim për media, ka thënë se shifrat e prezantuara kanë ardhur përmes komunikimeve telefonike të specialistëve të KQZ-së me KZAZ-të dhe janë marrë përmes komunikimeve telefonike me sekretarët e qendrave të votimit.

"Duke ditur të themi edhe mbarëvajtjen aktuale të të gjithë administratës zgjedhore, unë besoj që këto shifra minimalisht nuk janë të besueshme pa u konfirmuar zyrtarisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kjo është ajo qe unë mund të them tani, e them edhe njëherë nuk janë zyrtare, janë paraprake dhe vijnë vetëm përmes komunikimit telefonik”, tha ai.

Zguri nuk komentoi për veprimet e tij ku në çdo mbledhje vota e tij është kundër, ndërkohë bëri të ditur se ende nuk ka votuar.

13:39

Luigi Soreca në terren, vëzhgon qendrën e votimeve

Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca po inspekton një prej qendrave të votimi në kryeqytet, tek “Liceut Artistik”.

Soreca ka thënë se ndodhet sot në terren dhe nesër do të presë raportet.

“Jam këtu për të vëzhguar dhe nesër do të presim për raportet”, tha Soreca.

12:56

Votimi mbyllet në 19:00, KQZ nis me “publikimin” e rezultateve

Pakujdësi, rezultat i paracaktuar, apo një provë test për grafikët mund të konsiderohet incidenti i pak minutave më parë në faqen zyrtare të KQZ.

Ndërsa bënë deklaratën e parë për mediat lidhur me pjesëmarrjen në KQZ është parë të publikohet grafiku që rezultati paraprak i votimit për Bashkinë Mirditë, edhe pse procesi i votimit ende nuk është mbyllur.

Edhe pse u hoq me shpejtësi, grafiku nuk i ka shpëtuar mediave të cilët e kanë fiksur menjëherë këtë moment.

Image

 

12:49

Tentohet thyerja e kutive të votimit në Kamzë, ndërhyn policia

Një person ka tentuar të thyejë kutitë e votimit në Kamzë.

Mësohet se policia ka ndërhyrë menjëherë duke shoqëruar personin që tentoi të thyejë kutitë. Nuk dihet ende identiteti i të ndaluarit, por burime bëjnë me dije se ai është një militant i PD-së.

Më herët, kryebashkiaku i Kamzës, Xhelal Mziu deklaroi se nuk do të ketë dhunë./Tch/

11:50

Deri në orën 11:00 në Shqipëri kanë votuar 12% të votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri, ka njoftuar se janë hapur të gjithë qendrat e votimit në të gjithë vendin, duke përjashtuar shtatë qendrat e votimi në Postrribë të qarkut Shkodër. Nga këto, gjatë qendra votimi nuk ka filluar ende votimi, ndërsa për një qendër votimi janë djegur materialet zgjedhore.

KQZ thotë se 53 qendrat e votimit e KZAZ-së nr. 6 Vau i Dejës pavarësisht vonesave të shpërndarjes së materialeve zgjedhore, për arsye tashmë të njohura publikisht, janë hapur dhe procesi i votimit ka filluar normalisht.

“Deri tani pjesëmarrja në votime është: 12%. Kjo është një e dhënë paraprake, e cila ndryshon në bazuar në informacionin që Qendrat e Votimit kanë përcjellë në qendrën e të dhënave në KQZ. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve iu bën apel të gjithë qytetarëve që tu drejtohen kutive të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë, pasi zgjidhjet në demokraci mund dhe duhet të dalin vetëm nga vota”, ka thënë zëdhënësja Drilona Hohaj./KosovaPress/

10:39

Në Durrës 53-vjeçari kërcënon me armë komisionerët, arrestohet

Një incident i rëndë është regjistruar paraditen e sotme në një qendër votimi në Durrës. Sipas policisë një 53-vjeçar është futur me armë në qendrën e votimit, kërcënon komisionerët, thyen kutinë e votimit, por arrestohet në flagrancë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:55, në Katund Sukth, Durrës, ku shtetasi Ramiz Bakanaçi 53 vjeç, banues në Katund Sukth, është futur me armë zjarri në QV nr. 1521, dhe pasi ka kërcënuar komisionerët, ka marrë kutinë e votimit duke e nxjerrë jashtë ambienteve të QV dhe ka hedhur materialet zgjedhore.

Reagimi në kohë i Policisë bëri të mundur kapjen e këtij personi. Gjatë kontrollit të ushtruar, Policia i gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit automatik model 56, me të cilën autori hyri në qendër votimi .

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit “, “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Policia e Shtetit thotë se është e vendosur për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor si dhe për të mbrojtur liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve. Cilido që do të kryejë veprime që cenojnë procesin e votimit dhe liritë e të drejtat e qytetarëve, do të përgjigjet para ligjit./Tch/

10:24

Grushte e konflikte në një qendër të votimit në Durrës

Ka nisur me konflikte procesi i votimit në Katund të Ri të Durrësit, një bastion i së djathtës siç raporton për “BalkanWeb”.

Mësohet se në një qendër votimi është thyer një kuti votimi dhe se policia ka arrestuar autorin.

Ndërkohë në fshatin Qerret ka pasur një tjetër konflikt mes simpatizantëve të PS dhe kryetarit të njësisë Shaban Tafa.

Sipas simpatizantëve, Tafa ka dhunuar një 12 vjeçar që thërriste “Rama ik”.

Por vetë Shaban Tafa tha në lidhje telefonike me gazetaren se kanë qenë 2 fëmijë që do i vinin zjarrin qendrës së votimit. Në momentin që ka larguar fëmijët disa simpatizantë të e PD kanë goditur me grushte.

Tafa tha se qëllimi i tij është të largonte fëmijët nga qendra e votimit.

Image

 

09:29

PD e Fierit: Policia ka shoqëruar dy vëzhguesit tanë

Partia Demokratike pretendon se janë shoqëruar në polici dy persona për shkak se ishin duke numëruar njerëzit që futeshin në Qendrat e Votimit për të votuar.

Bëhet fjalë për shtetasit Klevis Berzheta dhe Fredi Davidi nga Topoja e Fierit, janë shoqëruar.

Berzheta dhe Davidi ishin dërguar në këtë Qendër Votimi si vëzhgues nga Partia Demokratike për të monitoruar procesin zgjedhor./Tch/

09:26

Shpërthim gjatë natës në Qendrën e Votimit në Burrel, digjen materialet zgjedhore

Në shkollë 9 vjeçare në Bushkash, në Njësinë administrative Ulëz raportohet se pak pas mesnate ka ndodhur një shpërthim me lëndë djegëse.

Nga shpërthimi nuk raportohet të ketë persona të lënduar, por në studion e Top Channel, nën kryetari i KQZ, Denar Biba pranoi se materialet zgjedhore në këtë qendër votimi janë djegur pasi ndodheshin në pjesën ku ka rënë zjarri.

Gjithsesi, ai theksoi se kjo nuk përbën problem për ecurinë e procesit, pasi po merren të gjitha masat për zëvendësimin e materialeve zgjedhore në këtë qendër votimi./Tch/

08:46

Në Dibër procesi i votimit vijon i qetë

Në bashkinë e Dibrës të gjitha qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00.

Edhe pse në orët e para procesi i votimit po vijon normalisht dhe nuk raportohet për ndonjë problematikë.

Në bashkinë e Dibrës për kryetar bashkie kandidojnë Shkëlzen Qokaj nga Bindja Demokratike dhe Dionis Imeraj nga Partia Socialiste.

Në Shqipëri votohet sot për të zgjedhur 61 kryetarët e bashkive./Atsh/

08:28

Proces i qetë dhe pa incidente në Shkodër

Shkodra, një nga qarqet më problematike, ku kryebashkiakja Voltana Ademi ka bllokuar disa qendra votimi të organizuara në ambiente në administrim të Bashkisë, këtë të diel ka nisur qetësisht procesin e votimit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Në qytet janë hapur qendrat e votimit dhe kanë mbërritur qytetarët e parë për të votuar.

Ndërkohë, disa qendra votimi janë zhvendosur në ambiente të tjera, siç është rasti i Teatrit “Migjeni” dhe bibliotekës, që nuk u liruan nga kryebashkikja Ademi.

Në këto kushte, votimet po bëhen në “Radio Shkodra”, ku materialet zgjedhore kanë mbërritur prej mbrëmjes së djeshme pa shënuar incidente.

Në Shkodër votimet kryhen për Valdrin Pjetrin, kandidat për kryebashkiak nga Partia Socialiste.

Qarku i Korçës, garë mes Filos së PS dhe Ollit të BD

Ndërkaq edhe në gjithë qarkun e Korçës, qendrat e votimit janë hapur pa probleme. Në Bashkitë Maliq, Korçë, Devoll e Pustec, deri më tani nuk është shënuar asnjë incident. Prej orës 07:00 të mëngjesit kanë mbërritur qytetarët e parë për të votuar. Per Bashkinë e Korçës garojnë Sotiraq Filo, kryebashkiak aktual i PS-së, dhe Leonard Olli nga Bindja Demokratike./RTSH/

08:16

Rreth 7800 policë të angazhuar në zgjedhjet lokale në Shqipëri

Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka bërë të ditur se në terren për të garantuar një proces zgjedhor të qetë do të jenë 7779 punonjës të policisë të cilët janë trajnuar.

Prej tyre 5876 punonjës do të angazhohen me shërbim për ruajtjen e objekteve dhe 1450 punonjës policie do të jenë në funksion dhe gatishmëri të procesit zgjedhor.

7 mijë efektivë policie janë sot në terren me detyra konkrete për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.

Jashtë çdo qendre votimi do të ketë një ose dy polic për të ruajtur rendin dhe sigurinë gjatë procesit ndërsa në zonat ku ka informacione se mund të ketë probleme do të ketë forca shtesë në gatishmëri për ndërhyrje.

08:14

Zyrtarisht hapen qendrat e votimit në Shqipëri

Ka nisur zyrtarisht procesi i votimit në të gjitha qendrat në Republikën e Shqipërisë për të zgjedhur 61 kryetarët e ardhshëm të bashkive në vend.

Në këto zgjedhje garojnë 36 parti të cilat kanë regjistruar gjithsej 97 kandidatë për kryetarë bashkie si dhe 544 lista kandidatësh për anëtarë këshillash bashkiakë.

Në të gjithë vendin janë ngritur 90 komisione zonale të administrimit zgjedhor dhe 5,417 qendra votimi. Por specifika e këtyre zgjedhjeve është se opozita kryesore nuk merr pjesë në këtë proces.

Janë 14 parti të opozitës, ndër më kryesoret PD dhe LSI te cilat kanë vendosur të bojkotojnë zgjedhjet lokale.

Si rezultat në 31 bashki të vendit nuk ka garë pasi kandidat ka përcaktuar vetëm Partia Socialiste.

Qytetarët e bashkive të mëdha si Shkodra, Elbasani, Fieri, Gjirokastra do të kenë në fletën e votimit vetëm kandidatin e Partisë Socialiste.

Në disa bashki të mëdha si Tirana, Korça, Durrësi, Vlora përballë PS janë vendosur kandidatët e partisë më të re të Astrit Patozit, Bindja Demokratike.

Kjo është hera e parë që fituesi nuk ka rëndësi dhe e vetmja pikëpyetje është mbarëvajtja e procesit. Kutitë e votimit do të mbyllen në orën 19:00.

08:09

Shqipëria mban zgjedhjet lokale

Sot në Shqipëri mbahen zgjedhjet lokale, nën hijen e përçarjeve më të mëdha politike në Shqipërinë pluraliste.

Votuesit do të kenë mundësi që të drejtohen të kutitë e votimit nga ora 07:00 deri në ora 19:00, kur mbyllen qendrat e votimit.

Partia Socialiste është e vendosur që këto zgjedhje të mbahen sot, ndërsa opozita e udhëhequr nga Paria Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, i kanë braktisur zgjedhjet.

Opozita e bashkuar u ka bërë në vazhdimësi thirrje qytetarëve që të mos marrin pjesë në zgjedhje, pasi pretendon se së pari duhet të dënohen vjedhësit e votave, për të cilën e akuzojnë kryeministrin Edi Rama.

Pas shumë protestave të mbajtura nga opozita, presidenti Ilir Meta ka shfuqizuar dekretin e zgjedhjeve të 30 qershorin, por këtë vendim nuk e njeh kryeministri Edi Rama.

Meta po ashtu ka caktuar 13 tetorin si datë të zgjedhjeve lokale, por sërish këtë datë nuk e njeh Edi Rama.

Bashkësia ndërkombëtare ka bërë thirrje që zgjedhjet të zhvillohen të qeta dhe kanë paralajmëruar se nuk do të tolerohet dhuna.