Ka nisur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës.
Aktualisht deputetët janë duke diskutuar lidhur me Ligjin për trajtimin e të ardhurave të Korporatave i cili pritet të dalë në votim, raporton KTV.
Deputetë e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë edhe lidhur me Ligjin për Sponsorizime, që po ngjall debat mes njëri tjetrit.
Lexo edhe: Sot dy seanca të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës
Deputeti nga radhët e LDK-së, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Lumir Abdixhiku ka folur për amandamentin për sponzorizimin e sportit, me ç'rast ka thënë se këtë sponzorizim nuk e përkrahë as ky komision e as Ministria e Financave.
Ai ka shpjeguar edhe se si do të bëhet sponzorizimi i sportit, nëse votohet ky amendament.
“Unë dua të jap dy alternative se çfarë po votojmë sot. Alternativa e parë është ajo që buron nga ligji i tatimit në korporata. Nga kjo alternativë bizneset kanë të drejtë të sponsorizojnë klubet dhe për atë pjesë të sponzorizimit të mos paguajnë tatim. Alternativa e dytë kërkon që jo prej parave të biznesit të bëhet sponzorizimi por prej tatimit. Pra 30 për qind e tatimit që biznesi ja paguan shtetit, të shkojnë për sport. Alternativa e dytë kërkon që tatimi të mos shkon në buxhet por të shkojë në sport”, ka thënë ai, raporton KTV.
Abdixhiku ka theksuar se me votimin e amendamentit për sponzorizimin e sportit, nuk do të rritet investimi në sport pasi që bizneset nuk do të ndajnë më shumë para për sportistët.
Ndërsa Avdullah Hoti tha se amandamenti qe ka propozuar komisioni kufizimi për sponzorizim është 300 milionë euro ndërsa amandamenti i Bekim Haxhiut e kufizon sponzorizimin në 30 milionë euro.
Deputeti i Vetëvendosjes Adem Mikullovci, ka deklaruar se projektligji për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave duhet të kalojë gjithsesi, madje ai ka thënë se duhet të bëhet obligative që korporatat të japin para për sportistët.
“Ky ligj duhet të kalojë gjithsesi, por është puna tek formulimi që mua nuk po më pëlqen që a duhet me e përmirësua një gjë. Atje thotë u mundësohet, iu lejohet korporatave, kompanive me e sponsorizua projekte sportive e kulturore, jo iu lejohet po duhet me e bë obligative, është e domosdoshme me dhënë 30 për qind për sport dhe për kulturë. Ai ato pare edhe ashtu i jep, edhe ashtu ato para kanë me shkua dhe ato tre milionë, katër milionë tatim që i paguan 30 për qind me qenë obligative, e jo i mundësohet”, tha ai.