Arbëri

Ish-presidenti Moisiu: Politika shqiptare të hartojë një Pakt Kombëtar për zgjidhjen e krizës!

Ish-Presidenti Alfred Moisiu dhe 21 intelektualë japin formulën për zgjidhjen e krizës. Platforma me 5 pika, referon anulimin e ndryshimeve kushtetuese 2008, rishikim të Kushtetutës, hetim për trafikun e votës etj.

Ish-presidenti Alfred Mosiu së bashku me 21 intelektualë të njohur të vendit dhe përfaqësues të fushave të ndryshme kanë lëshuar dje një apel për zgjidhjen e krizës politike, duke kërkuar miratimin e një pakti kombëtar. Duke folur në një tryeze me përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe biznesit, Moisiu tha se për gjetjen e kësaj zgjidhje nevojitet dialog politik ndaj apeloi që palët të vendosin interesat e vendit mbi ato të partive. Moisu tha se kriza po përkeqësohet dhe se duhet një zgjidhje afatgjatë për të mos u përsëritur. Sipas tij, janë të pa tolerueshme nxitja e urrejtjes mes shqiptarëve për interesa partiake; veprimet e dhunshme ndaj institucioneve; përdorimi i shprehjeve luftënxitëse e përçarëse; retorika denigruese ndaj rivalëve dhe ndaj secilës palë politike; mungesa e dialogut. “Kriza po përkeqësohet. Është koha për një zgjidhje në interes të Shqipërisë dhe jo në kurriz të saj. Koha për një zgjidhje afatgjatë për të mos u përsëritur krizat ciklike. Janë të pa tolerueshme nxitja e urrejtjes mes shqiptarëve për interesa partiake; veprimet e dhunshme ndaj institucioneve; përdorimi i shprehjeve luftënxitëse e përçarëse; retorika denigruese ndaj rivalëve dhe ndaj secilës palë politike; mungesa e dialogut. Këta faktorë kanë çuar në cenim të sigurisë së qytetarëve, dëmtojnë demokracinë e brishtë shqiptare, po cenojnë imazhin e Shqipërisë në botë. Veprime që bien ndesh me dëshirat e popullit për integrimin evropian”, deklaroi Moisiu. Në deklaratën e tij, ish-Presidenti u shpreh se shqetësimi është më i madh se si do të shkojë situata pas 1 korriku

Platforma e Moisiut

Mbrojtjen e integritetit të institucionit të zgjedhjeve, duke vlerësuar se vetëm përmes votës së lirë, të fshehtë, të ndershme e të pacenuar mund të arrihen ndryshime pozitive, stabilitet, legjitimitet dhe demokraci funksionale afatgjatë;
2. Pranimin e faktit se ndryshimet kushtetuese të bëra në vitin 2008 prishën ekuilibrat kushtetues dhe sollën pasoja negative në sistemin tonë përfaqësues, për pasojë, pranimin e anulimit ose korrektimit të tyre të plotë;
3. Ndryshimin e procesit zgjedhor për ta bërë atë më legjitim, si dhe zgjedhjen e Presidentit drejtpërsëdrejti nga qytetarët;

Forcimin e kompetencave të institucioneve që garantojnë kushtetutshmërinë dhe japin garanci ndërmjetësimin e zgjidhjeje të konflikteve të mundshëm institucionalë, duke hequr dorë nga pritshmëria që të gjitha krizat tona të zgjidhen me ndërhyrje nga jashtë;
5.Në funksion të rritjes së besimit te procesi politik dhe zgjedhor, forcat politike kryesore të rikthehen në dialog institucional, në mënyrë që të ndryshohet korniza ligjore, përfshirë edhe kushtetutën, mbështetur në praktikat më të përshtatshme të botës së lirë lidhur me:

Garantimin e zgjedhjeve të lira, të fshehta e të ndershme përmes një strukture qeverisëse gjatë procesit zgjedhor, të tillë që mos ndikojë në fushatën elektorale nëpërmjet përfitimit nga funksioni i saj shtetëror;

KQZ dhe të gjitha organet e tjera vartëse të respektojnë kërkesën ligjore për depolitizim; në to të zgjidhen individë nga institucione që janë larg politikës, numëruesit e votave të mos jenë përfaqësues apo militantë të partive politike, për të evituar çdo konflikt interesi përkundrejt rezultatit të votimit, dhe për këtë të merret përvoja e vendeve të zhvilluara;

Të hetohen individët e përfshirë në skandale të trafikut të votës dhe të forcohet legjislacioni penal për ndëshkimin e abuzuesve dhe të shkelësve të rregullave zgjedhore;

Të respektohen rregulla strikte për financimin e partive dhe të vendosen ndëshkime penale për rastet e abuzimit dhe shkeljes së rregullave;

Të forcohen masat ndëshkimore sipas Kodit të Sjelljes, që gjatë debateve politike në kuvend e jashtë atij të respektohen standardet etike të sjelljes. Politika Shqiptare të hartojë një Pakt Kombëtar, ku të përcaktohet niveli në të cilin do të lejohet të bëhen ndryshime në administratë në rastet e ndryshimit të pushtetit.

Firmëtarët e deklaratës:
Ish-kreu i shtetit ka bërë të ditur deklaratën në të cilën kërkohet që kjo situatë duhet të marrë fund përmes një reformimi të thellë dhe një pakti kombëtar për integrimin. Ndryshim i Kushtetutës, i Ligjit zgjedhor dhe sistemit politik janë disa prej kërkesave të kësaj deklarate, ndërsa 21 firmëtarët e saj nga fusha e medias, politikës e biznesit janë si më poshtë:

Afrim Krasniqi
Agim Binaj
Aleksandër Çipa
Aleksandër Xhuvani
Alfred Moisiu
Bajram Ibraj
Ben Andoni
Erion Kristo
Ermir Dobjani
Fatmira Laska
Fatos Tarifa
Gerta Meta
Ines Muçostepa
Kozara Kati
Lutfi Dervishi
Mustafa Nano
Nikolin Jaka
Pëllumb Xhufi
Premto Gogo
Skënder Minxhozi
Zamira Çavo
Zef Preçi