Pas 2 vitesh të negociatave të gjata e të mundimshe në Vjenë të Austrisë, Martti Ahtisaari e kishte ndarë mendjen për atë që do të propozonte si statut final të Kosovës.
Ora 15:49. Dita e diel. Data 17 shkurt. Ky ishte momenti kur Kosova e zbatoi propozimin e Ahtisaarit që ishte shpallja e pavarësisë. 109 deputetë votuan në këtë Kuvend për deklaratën që e bënte vendin shtet të pavarur e sovran, raporton KTV.
Hashim Thaçi, kryeministër në atë kohë nuk ia la as kryeparlamentarit që udhëhiqte institucionin e as Presidentit që ta lexonte deklaratën e pavarësisë, duke e bërë këtë vetë.
Dhjetëra mysafirë në sallë e mijëra njerëz në sheshet e Prishtinës, të të gjitha qyteteve të tjera të Kosovës e kudo nëpër botë dolën në rrugë për të festuar momentin e dytë më të madh në një shekull për shqiptarët.
Një monument që u quajt Newborn u bë simboli i shtetit më të ri në botë. Varësisht prej matjes së diferencës kohore Kosta Rika dhe Afganistani ishin shtetet e para që e njohën pavarësinë e Kosovës. Ato pasuan me njohjet e mëdha nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Turqia dhe të tjera.
Beogradi reagoi ashpër, e protestuesit dogjën ambasadën amerikane. Të nesërmen edhe pikat kufitare me Serbinë u dogjën, por shpallja e madhe kaloi pa incidente serioze.
Kosova e ftoi Bashkimin Evropian që të instalojë misionin e vet në vend për sundimin e ligjit, që do të quhej EULEX. Në të njëjtën kohë, pavarësia do të mbikëqyrej nga ndërkombëtarët edhe për një periudhë të caktuar.
Ky ishte viti i parë i qeverisjes nga PDK-ja dhe Hashim Thaçi, që e nisi me premtime të mëdha për kursime e investime, që pak u materalizuan jo vetëm në mandatin e parë.
Kushtetuta e Kosovës hyri në fuqi më 15 qershor të 2008-s, duke e zëvendësuar Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut dhe mes tjerash duke bërë që Kadri Veseli të dalë në skenë dhe të thotë se shërbimi partiak i PDK-së, SHIK nuk do të ekzistonte më.
Pak më vonë, në korrik presidenti Sejdiu dhe kryeminsitri Thaçi realizuan vizitën më të rëndësishme ndonjëherë, duke u pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Presidenti George Bush, si konfirmim për përkrahjen e parezervë të Washingtonit për Kosovën.