21:18

Berisha: Kosova e Shqipëria të bëjnë më shumë për zbulimin e vrasjes së Ahmet Krasniqit

Ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, komandant në Betejën e Koshares, në Rubikon të KTV-së ka folur për vrasjen e kolonelit, Ahmet Krasniqi dhe hetimet rreth këtij rasti.

“Pajtohem se si shteti i Kosovës, por edhe shteti i Shqipërisë, vendi ku ka ndodhur ngjarja, duhet të bëjnë më shumë për rastin e tij dhe të gjithë kryerësit e ata që ishin të përfshirë duhet të nxirren para drejtësisë”.

“Kam pasur rastin që të kaloj shumë kohë më Ahmet Krasniqin dhe jo pse ishte ndoshta edhe ushtaraku më i përgatitur në kuptimin e kryerjes së shkollimeve, ka pasur të kryer edhe shkollën e luftës, shtabe komanduese që i ka pasur në karrierën e tij, por ishte vërtet një personalitet që e donte vendin e vet, e donte bashkimin dhe ka qenë në gjendje që të bëjë çmos, të sakrifikojë, ndoshta edhe përtej atyre që i lejohet një ushtaraku, vetëm që të arrihet bashkimi në luftë”, ka thënë Berisha.

Ahmet Krasniqi, u vra në Tiranë, më 21 shtator të vitit 1998, pak para mesnate.

21:07

Berisha: Për luftën në Koshare njerëzit të flasin sipas përgjegjësive që kishin

Beteja e Kosharës nuk kishte më shumë 3 mijë vetë. Këtë e thotë udhëheqësi i kësaj beteje, komandanti Rrustem Berisha, duke e pohuar se është tentuar vazhdimisht që ky numër të fryhet.

I pyetur se kujt i takon të flasë për këtë betejë, Berisha tha se mund të flasin të gjithë ata që ishin pjesë e saj, mirëpo secili në kompetencat e veta. Berisha tha se debatet lidhur me betejën e Koshares po bëhen me qëllim të zbehjes së saj.

“Beteja e Koshares është betejë që duhet të mburren të gjithë shqiptarët. Sepse rreth suksesit, betejës, po e pranojnë edhe kundërshtarët tanë. Më së miri po ia japin ata vlerën edhe pse po mundohen ta rrisin numrin tonë në 15 mijë, edhe pse ne ishim 3000. Problemin e shoh se do të ishte mirë secili të flasë për përgjegjësitë, kompetencat që ka pas në kuadër të betejës së Koshares. Kur dalin jashtë asaj sigurisht se vijnë te përfundimi i gabuar. E dyta nëse ne jemi mburr me diçka në të kaluarën është organizimi dhe uniteti që kemi bë në Koshare”, ka thënë ai.

“Të gjitha këto debate që po bëhen në rastin e 20 vjetorit mendoj se janë të panevojshme. Se dikush po tenton në forma të ndryshme ta mohojë e ta zbehë. Nuk mendoj se ato qëndrime që i kemi dëgjuar në debate të ndryshme janë reale dhe në kuadër të atij bashkimi që kemi arritur në atë kohë. Ka dëshmi të mjaftueshme që ne kemi arritur atë që nivelet më të larta nuk e kanë arritur. Ne në terren kemi arritur që të unifikojmë faktorin ushtarak, të gjitha grupet dhe organizimet që kanë funksionuar në atë kohë t’i vendosim në një strukturë”, ka shtuar Berisha.

20:51

Sipas Berishës, prokurori Blakaj nuk kishte njohuri për strukturën ushtarake

Ministri Rrustem Berisha ka thënë se problemi kryesor me ish-prokurorin në çështjen e veteranpve, Elez Blakaj, ishte mosnjohja e strukturës ushtarake.

Ai ka thënë se nuk mund ta vlerësojë asnjë prokuror në aspektin profesional mirëpo për një rast të tillë ka thënë se duhet fillimisht të kuptohet struktura ushtarake dhe funksionimi i saj.

“Problemin kryesor e kemi pasur edhe gjatë bisedës me ish-prokurorin Blakaj sepse ishte çështja e logjistikës dhe nuk kam arritur që t’ia shpjegoj prokurorit që logjistika është pjesë e strukturë, sidomos për Brigadën 138 dhe kemi shumë raste që disa veteranë kur e kanë plotësuar aplikacionin e kanë shkruar që kanë qenë në logjistikë. Unë nuk mund ta vlerësoj asnjë prokuror në aspektin profesional, njohjen e ligjeve sa i kupton, mirëpo në rastet e tilla duhet ta kuptojnë strukturën, ta kuptojnë se si funksion struktura ushtarake që të mund të vijnë deri te ajo se a është bërë shkelje apo jo”, ka thënë Berisha, që ishte anëtar i komisionit për verifikimin e veteranëve.

Blakaj ishte larguar nga vendi pas presionit rreth aktakuzës për veteranët e rremë.

20:35

Berisha tregon nëse FSK-ja mund të shkojë në veri

Sipas ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, FSK-ja, për momentin nuk ka nevojë që për momentin të shkojë në veri, por këtë mund ta ndërmarrë nëse rrezikohet siguria e shtetit.

Në Rubikon të KTV-së, ai ka thënë se veriu mbetet sfidë, por jo për intervenim e ndërhyrje të FSK-së.

“Kjo është një çështje që realisht është biseduar shumë edhe me partnerët tanë, shtetet e NATO-s. Ata janë thirrur shumë në letrën e 2013-s, që realisht FSK s’ka pas të drejtë pa lejen e KFOR-it të shkojë në veri. Kemi qartësuar pozicionin tonë dhe ai kufizim e ajo letër ishin në mandatin e kaluar. Tani FSK ka mandat tjetër, por ne vlerësojmë situatën dhe ambientin e sigurisë së Kosovës dhe veriu për ne është sfidë, por jo për intervenim e ndërhyrje të FSK-së, por më shumë e luftimit të krimit të organizuar, mosfunksionimit të ligjit, grupeve kriminale e strukturave paralele. Por kjo s’është detyrë që ndërlidhet drejtpërdrejtë me ndërhyrjen tonë. Kemi mandat kushtetues, ligjor, dhe për momentin nuk ka nevojë të dalim e të shkojmë në veri, por nuk ka kufizim edhe nuk ka asnjë lider që mund të marrë përsipër, në raste të caktuara nëse rrezikohet siguria e shtetit, të japë garanca se FSK-ja s’do të kryejë detyrat kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se Kosova nuk ka interes që të dëshmojë forcën në veri me lëvizje e marshime ushtarake, por ka shtuar se interes i vendit është integrimi i komuniteteve joshumicë.

“(Tek intervenimi) Është fjala për kërcënime nga jashtë, jo për detyrat që janë përgjegjësi e institucioneve tjera. shtetet tjera që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e kanë njohur për 100 për qind të territorit të vet dhe pavarësisht kësaj kemi bashkëpunim dhe nuk besoj që ka lider që mund të marrë ndonjë veprim për t’u lazdruar në veri për të dëshmuar forcën me lëvizje e marshime vetëm për t’i frikësuar qytetarët. Mendoj se interesi jonë është të integrojmë komunitetin jo shumicë”, ka shtuar ai.

20:21

“Kosova s’i ka prishur raportet me ndërkombëtarët për Ushtrinë, dëshiron të kontribuojë në siguri”

Ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka thënë se vendimi për Ushtrinë e Kosovës nuk ka ndikuar në prishjen e raporteve me miqtë ndërkombëtar, sidomos me zërat që ishin kundër një vendimi të tillë.

Ai tha se ua kanë bërë të ditur se qëllimi i tyre nuk është vetëm për të konsumuar sigurinë, por edhe për të kontribuuar në të.

“Ne do të kontribuojmë në paqe dhe siguri jo vetëm në rajon. Dëshirojmë që mos të jemi vetëm konsumues të sigurisë, por edhe kontribuues pro aktiv të saj. Edhe me mandatin që e kemi pas, ne kemi shumë kapacitete që të ndihmojnë në paqe dhe siguri edhe në rajon por edhe me gjerë”.

Berisha bëri të ditur se brenda strukturave të FSK-së ka oficerë të shkolluar të cilët janë shkolluar në shtete anëtare të NATO-s.

20:17

Sipas Berishës, shumica e pjesëtarëve serbë të FSK-së i rezistuan presionit të Beogradit për largim

Mbi 50 pjesëtarë serbë të FSK-së janë larguar pas presionit që u është bërë atyre dhe familjeve, por sipas ministrit të Mbrojtjes, Rrustem Berisha, numër më i madh është i atyre që kanë mbetur në struktura të FSK-së.

Sipas tij, 75 serbë janë pjesë e FSK-së, ndërsa ka thënë se ka pasur interesim të madh edhe në fazën e fundit të aplikimeve.

“Ende ka pjesëtarë të FSK-së të cilët nuk i janë bind presionit, shumica kanë mbetur. Diku 75 pjesëtarë të komunitetit serb janë pjesë e strukturës së FSK, por janë edhe të tjerë që në rekrutimin e fundit kanë aplikuar. Edhe pse interesimi ka qenë shumë i lartë, për shkak të kriterit të moshës nuk kanë mundur që të gjithë ata që kanë aplikuar të bëhen pjesë meqë me ligjin e ri kufizohet mosha. Janë diku 52 që i kanë marrë vendimet, disa prej tyre janë në shqyrtim. por diku 52 janë që janë larguar dhe s’kanë mundur ta tejkalojnë presionin”, ka deklaruar ai në Rubikon.

20:06

Berisha: FSK ka tejkaluar kuotën e 10 përqindëshit të inkuadrimit të komuniteteve jo shumicë

Ministri i Mbrojtjes, Rrsutem Berisha në një intervistë për Rubikon të KTV-së ka bërë të ditur se kanë kaluar kuotën prej 10 për qind për inkuadrimin e komuniteteve jo shumicë në Ushtrinë e Kosovës.

“Kemi kaluar atë kuotën e 10 për qindëshit të inkuadrimit të komuniteteve jo shumicë, e kemi krijuar një ambient shumë të favorshëm që të ndjejnë veten të gjithë pjesëtarët e barabartë dhe realisht FSK është shtëpi e të gjithëve”, ka thënë ai.