Arbëri

Nushi: Liria ekonomike shtyn viktimat e dhunës seksuale të raportojnë rastet

Descriptive Text

Vlora Nushi, drejtoreshë e “UN Women” në Kosovë, në Express Intervistën në KTV ka thënë se është me rëndësi të veçantë liria ekonomike e viktimave të dhunës seksuale u ndihmon atyre që të jenë më të lira në raportimin e rasteve.

Ajo ka bërë të ditur se sot në Kosovë është shënuar Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale në Konflikt.

Nushi ka konfirmuar se “UN Women” ka ndihmuar organizatat që kanë besimin e të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës.

“Qasjen e drejtpërdrejt e kanë organizatat që kanë punuar nga fillimi e që janë të licencuara për takime me viktimat, dhe përgatisin materiale për Komisionin për Verifikim. Është e dhimbshme se për kaq vite viktimat kanë mbajtur barrën e dhunës dhe të keqtrajtimeve seksuale. Ne kemi punuar në fuqizimin ekonomik për të mbijetuarat”, u shpreh Nushi.

Ajo shton se ky ka qenë një projekt i madh financiar nga BE-ja.

“Përmes katër organizatave iu kemi ofruar ndihmë të mbijetuara. I gjithë projekti është dizajnuar sipas nevojave të tyre. Gjithçka që ato kanë kërkuar ne iu kemi ofruar, e shpeshherë ato ishin kërkesa elementare. Projekti është dizajnuar për 64 gra. Por, ato i kanë ndarë me të tjerat që i kanë njohur duke bërë që nga ky projekt të përfitojnë 167 gra”, tha Nushi.

Sipas saj më e rëndësishmja është raportimi afër Prokurorisë Speciale, të cilën thotë se e kanë ndihmuar edhe teknikisht.

Nushi thekson se mbështetja ekonomike për viktimat është shumë e rëndësishme.

“Ende ka nevojë për mbështetje në aspektin ekonomik. E rëndësishme është se ato nuk kanë nevojë të tregojnë se nga po i marrin paratë. Në intervistat që kemi pasur 75 për qind të tyre përveç që kanë kërkuar drejtësi, ato kanë kërkuar edhe ndihmë ekonomike, pas vetëm nëse kanë liri financiare ato dalin nga hapësirat familjare dhe raportojnë dhe kërkojnë ndihmë për vetveten. Fuqizimi ekonomik duhet të vijë edhe nga institucionet. Sepse nëse viktimat e fitojnë besimin te Komisioni atëherë do të ketë edhe numër më të madh të paraqitjeve me ç’rast do të dimë edhe numrin e saktë të të dhunuarave nga lufta”, ka thënë ajo.

Sipas saj trajtimi i rasteve të dhunës seksuale ende është e diçka e re.

“Asnjëherë nuk është dënuar ndokush për dhunë seksuale. Jasmin Mesiq ka ndihmuar shumë që mos të ndodhë në Kosovë ajo që ka ndodhur në Bosnje. Duhet të rritet numri i prokurorëve për këto raste. Tani është bërë edhe Ligji për dënimin me mungesë dhe shpresoj se kjo do të përshpejtojë këtë proces”, thotë Nushi, që shton se deri më tani ato janë trajtuar si krime të luftës.

Nushi tregon se kur ishte themeluar Komisioni as laptop nuk ka pasur.

“Si proces i ri për Kosovën nuk është ditë as si të trajtohet. Komisioni ka një punë shumë të ndjeshme. Ata i kanë pesë apo gjashtë rrëfime në ditë, prandaj Komisioni ende ka nevojë për mbështetje dhe deri tani ka bërë punë shumë të mirë. Afër dy mijë raste janë shqyrtuar, pra gra e burra kanë aplikuar për pension. 395 personave u janë pranuar statusi”, ka thënë Nushi.

Nushi ka treguar se gjatë ditës së sotme është shfaqur filmi dokumentar “Prokurorët” i regjisores Leslie Thomas, fituese e çmimit “Emmy”.

Sipas saj tema e filmit është rrëfimi i dy prokurorëve në udhëtimet e tyre në vende të ndryshme, përfshirë edhe Kosovën.

“Për pesë vjet është gjiruar ky dokumentar në vende të ndryshme ku ata kanë kërkuar që dhuna seksuale të trajtohet e veçantë. Është edhe ekspozita e Eliza Hoxhës “Be My Face”’, ka thënë Nushi.

Ajo ka shtuar se kjo çështje duhet të diskutohet edhe me familjarët, pasi nuk është faji i viktimave se pse ato janë dhunuar gjatë luftës.

“Në shumicën e rasteve viktimat kërcënohen edhe nga familjarët në rast se aplikojnë për këtë pension. Duhet të diskutohet edhe me burrat për këtë çështje”, ka thënë ajo.