Komisioni për të Vërtetën – si të ecet më tutje! [#5] Artikull i sponzorizuar

Komisioni për të Vërtetën – si të ecet më tutje! [#5]

24 June 2019 11:02

Opinionet e grave – viktima civile të luftës nga Gjakova, për idenë e themelimit të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin në Kosovë.

U bënë dy vite prej kur presidenti i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi inicoi idenë për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (KVP) në Kosovë. Pas disa konsultimeve me akterët kyq të politikës, shoqatave të viktimave dhe personave të zhdukur, shoqërisë civile dhe komunitetit të gjerë, Presidenti nxjerr vendimin për emërimin e Ekipit Përgatitor për themelimin e KVP-së (Nr. Protokolli 892-01.11.2017). Ky ekip u mandatua të përgatisë dokumentacionin përkatës për themelimin e këtij Komisioni. Duke qenë se ekipi ka kryer një seri konsultimesh dhe debate të hapura me publikun rreth kësaj iniciative, Integra dhe Qendra për Paqe dhe Tolerancë gjithashtu inicuan një gamë diskutimesh me disa grupe të interesit rreth asaj se sa do t’i kontribuoj paqes dhe stabilitetit të mëtejmë në Kosovë themelimi i KVP-së. Ky artikull paraqet analizën e dalë nga diskutimet e fokus grupit me gratë viktima nga Gjakova.

Gratë, familjaret e vikitmave dhe të mbijetuarat e luftës së fundit në Kosovë gjithmonë kanë qenë pjesëtaret e shoqërisë me të cilat mund të komunikosh qetë, sinqerisht dhe me respekt. Ato pa hezitim pranojnë të intervistohen, gjithmonë duke shpresuar që mesazhi i tyre do të përçohet tek vendim- marrësit dhe politkëbërësit. Përkundër vuajtjeve dhe sakrificave që ato dhe familjet e tyre i përjetuan gjatë luftës, ato e gjejnë fuqinë për të folur për vuajtjet e tyre dhe të tjerëve me gjuhën konstruktive dhe ndjenjen e dhembjes dhe empatisë ndaj viktimës, pa dallim përkatësie fetare, etnike, apo racore.

Në fokus grupin e radhës që OJQ Integra e mbajti me 14 gra - viktima të luftës nga Komuna e Gjakovës, çështja që u zbërthye ishte se çfarë qëndrimesh këto gra kanë për iniciativën e Presidentit Thaçi për të themeluar Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin (KVP), si dhe si e shohin ato procesin e pajtimit në Kosovë. Ato e shohin gjetjen e të vërtetës, dhe drejtësinë për viktimat si proces të natyrshëm.

Vuajtjet e mbijetesës në Kosovën e pasluftës nuk e zbutën dhembjen dhe shtypjen nga komuniteti në radhë të parë, të këtyre të mbijetuarave, ndërkohë edhe trajtimi që atyre u bëhet nga politkëbërësit konsiderohet nga ato si i mangët dhe i padinjitetshëm. Kjo i bënë ato të kenë mëdyshje për çfarëdo lloj iniciative që vie nga krerët politik pa dallime partiake.

Nga ky fokus grup doli që vetëm katër nga 14 gratë kishin dëgjuar për këtë iniciativë kur para dy vitesh e kanë parë në televizor, dhe vetëm njëra deri diku e kishte të qartë se çfarë qëllimi kishte kjo iniciativë. Ajo e dinte se qëllimi i saj ishte zbardhja e të vërtetës për të gjitha krimet që kanë ndodhë në Kosovë.

Njëra nga gratë mendonte se arsyeja pse ky komision do të themelohej ishte që të kërkohej nga Serbia kërkim falje dhe dëmshpërblim, dhe vetëm pas kërkim faljes, kosovarët të pajtohen.

Shumica prej grave ishin të mendimit që duhet të ketë pajtim. Megjithatë, ato konsideronin se Serbia duhet të kërkoj falje paraprakisht për krimet që ka kryer gjatë luftës në Kosovë: Serbia duhet me na kërku neve falje edhe na duhet me u pajtu, për me na pranu si shtet, pa u bo nji pajtim, nji marrëveshje s’kem ku me shku, o kanë shka o kanë..

Ndërkohë, pjesëmarrëset nuk kishin njohuri të mjaftueshme se çka mëtohej me të Vërtetën, por e lidhnin këtë diskurs me të kaluarën dhe llogaridhënien e atyre që kanë kryer krime. Ato kishin ndjesinë se ky Komision do të merrej me të kaluarën e tyre në radhë të parë, dhe përkundër faktit që ndihen të stërlodhura nga sfidat e jetes, dy nga ato u treguan të gatshme ta përkrahin themelimin e KVP-së, njëherit shfaqen gatishmërinë që të dëshmojnë jo vetëm për të bëmat e policëve dhe ushtarëve serbë gjatë luftës por edhe ato të kryera nga shqiptarët e Kosovës gjatë dhe pas luftës.

E para une kisha folë... e para unë e kisha pranu, qysh muj une m’u pajtu p.sh me M. M e me J. M dej sa na kanë tha zemrën, dej sa.. sa herë na kanë hi mrena, dej sa na kanë thy e ma kanë mar burrin e kanë burgosë edhe shtatë muaj e dy javë o kanë n’burg n’Pejë, prej Peje e kanë qu n’Dubravë. Kush masakrën e Dubravës nuk e përmend, qetash kem me harru edhe datat e bombardimeve t’NATO-s. Qysh muj une m’u pajtu me kriminelat shqiptarë, une vet e para jom kudo të m’thirrë dikush une për ata kriminela dëshmoj.

Njëra nga pjesëmarrëset ishte më e rezervuar karshi dëshmive publike sepse sipas saj, pas dy dekadash do të jetë e dhembshme dhe sfiduese dëshmia për vuajtjet gjatë luftës.

Me dëshmu kishim dëshmu po a din me dalë kshtu para opinionit përmes... tash kanë kalu 20 vite, e jon rritë fmija jemi bo gjyshe.. Janë martu djemtë e janë martu çikat e ...eshtë pak ma problem...

Gjatë diskutimeve pjesëmarrëset nuk e përjashtonin mundësinë që puna e KVP-së do të shpaloste edhe të vërteta tjera rreth vuajtjeve të palës serbe dhe se faktet dhe e vërteta për luftën duhej të dëshmohej pavarësisht kush ka kryer krime dhe ndaj kujtë.

T’vërtetës kurrë nuk duhet me iu frigu as me u shqetësu, osht mirë me ditë secili person t’vërtetën se me rrena qe 20 vjet janë populli tuj rrnu me rrena. S’ka gjo ma mirë se m’u zbulu e vërteta shembull qe unë po nisna prej vetit, mu m’u ka nalë burri n’Meje, ma du me ditë mos me vdekë e me ditë t’vërtetën e ton atyne njerzve... A ka gjo ma mirë se me e zbulu nji t’vërtetë t’rastit t’Mejes ton aj popull si osht metë aty, mos me dalë dikush nji t’vërtetë, nji kriminel që e ka bo ton atë masakër.

Të intervistuarat kërkonin drejtësi përmes çfarëdo qoftë mekanizmi për të gjithë, pa marrë parasysh se kush ka kryer krime dhe çfarë përkatësie entike ka pasë. Të demoralizuara edhe me trajtimin që ua kanë bërë institucionet e Kosovës tash e njëzet vite, ato insistojnë që trajtimi ka munguar dhe shpresat kanë humbur, ndërkohë që drejtësi do të kërkojnë deri sa të jenë gjallë edhe përmes mekanizmave alternative siç është KVP-ja. Ato janë të hapura dhe nuk hezitojnë të pranojnë faktin se pas luftës ka pasë vrasje edhe nga shqiptarët, dhe se deshmitarët janë ende gjalle por janë të kërcënuar të heshtin. Kjo vërteton faktin që dëshmitaret në Kosovë nuk janë të mbrojtur dhe nuk ndihen komfort të dëshmojnë përderisa institucionet nuk ofrojnë mbështetjen dhe mbrojtjen e tyre.

Kqyre shkau u kanë armik e kem ditë tanaheret. Prej shkaut e kem pritë po prej shqiptarit osht mozomakeq....prej shqiptarit mas lufte m’u vra gjinja qikjo o ma e keqja..

Ato ndjehen të demoralizuara dhe të zhgënjyera nga debatet shterpe dhe të ngarkuara në kuvend. Ato nuk shohin përkrahje nga institucionet e sidomos nga Kuvendi, por as iniciativë për të ngritë moralin dhe riparu dinjitetin e humbur të tyre gjatë luftës. Besimi në politikëbërësit është zero.

­­­Se tashti mas pari deputetët tonë atje po thojnë qysh more hajt more hiçmu se ato s’janë t’vërteta..Veç e kanë me marrë rrogën..

Ndërkohë ato insistonin që në politikan është humbë besimi përkundër faktit që ata e kanë pushtetin në dorë dhe mund të negociojnë në dobi të interesave të tyre.

Politikantë duhet me marrë mendimin e popullit se pa u pajtu s’kem ku me shku, hajde po rrishim edhe 10 vjet qishtu pezull apet se apet duhet m’u pajtu se kjo ashtë nuk ashtë punë private, osht punë shtetnore duhet m’u pajtu shteti me shtet se janë pajtu gjitha shtetet po shteti jon, politikant tanë i kanë kapë kto punë për bishti jo për krye veç për interesa individuale..

Pjesëmarrëset u pyetën se si do të reagonin ato në situatën hipotetike poqëse KVP-ja do të themelohej dhe aty do të vinte të dëshmonte një vrasës i cili do të kërkonte mëshirë apo aminsti për ato që ka bërë si shpërblim për informatat që ai do t’i jepte për ndonjë varrezë masive, ku do të gjindeshin eshtrat e një grupi që ende identifikohen si të pagjetur. Përgjigjet e tyre ishin shumë racionale dhe gjysma e të intervistuarave ishin për ta falur kriminelin poqëse do të zbulohej një sekret nga i cili do të përfitonin familjet e të pagjeturve nga Kosova.

Vallahi u kanë dashtë me ua falë. Na jemi njerëz.. na nuk mundem me bo çka ka bo ai..

Kur t’bjen njeri para gujve falja, ai i dekun osht..

Por kishte edhe gra që nuk ndiheshin komfort të gjindeshin në situata ku do të përballeshin me kryesit e veprave.

Nuk dojmë me u përballë me ta..

Ato insistonin që familjarët e viktimave dhe personave të pagjetur të kenë perfaqësues/e (komisionerë) në KVP, dhe sipas tyre vetëm ata që vijnë nga këto kategori e dijnë dhimbjen e viktimave dhe të mbijetuarve të luftës.

Gati se njëzërit, të intervistuarat mendonin se pajtimi është i domosdoshëm sado i dhimbshem të jetë, ngase është parakusht që gjeneratat e ardhshme të jetojnë në liri dhe të mos përjetojnë traumat që prindërit e tyre i kanë përjetuar. Janë pothuajse të sigurta se shqiptarët e serbët do të pajtohen por besimi në serbët është thyer dhe do të jetë e vështirë të riparohet apo ndërtohet nga fillimi.

Po normal moj po për hatër t’fmive, për hatër duhet për nji ardhmëri apet mos me i lanë gjithë n’konflikt mes veti. Fjala pajtim s’tingllon mirë por duhet m’u pajtu.. S’ki ka me shku..

Gjatë gjithë diskutimit dhe temat që u preken, mbizotëronte mbijetesa dhe lufta për ekzistencë me të cilën ballafaqohen këto të mbijetuara të luftës. E gjitha çka ato kërkonin ishte një jetë më e dinjitetshme dhe një njohje nga shoqëria në përgjithësi, dhe nga komuniteti ku jetojnë ato në veçanti, një njohje për ato vuajtje dhe sakrifica nëpër të cilat kanë kaluar. Çaheshin ato se edhe pse kanë kaluar dy dekada nga lufta, stigma në komunitetet nga vijnë është evidente përkundër faktit që i kanë burrat apo fëmijët e vrarë dhe të zhdukur.

Ky fokus grup edhe njëherë tregoi që iniciativa e Presidentit për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin merret me shumë rezerva dhe dyshime, pasi veçanërisht komunitetet më të prekura nga lufta e fundit në Kosovë ndihen thellë të zhgënjyer me institucionet. Megjithatë, në të njëjtën kohë, këto viktima konfirmojnë se ekziston një nevojë e madhe për të zbuluar të gjithë të vërtetën, në mënyrë që të kemi një të ardhme paqësore.

Fuqizuar nga: Integra, CPT, PAX, RBF.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme