Vajtja e astronautëve amerikanë në hënë më 29 në gusht të vitit 1969 dhe vizita e presidentit amerikan Richard Nixon në Kinë ishin mrekulli të kohës. Këtë vizitë në Kinë e kishte përgatitur këshilltari i Sigurimit Kombëtar të Shteteve të Bashkuara Dr.Henry Kissinger.
Fotografia e shtrëngimit të duarve të Henry Kissingerit me udhëheqësin e lartë kinez Mao Ce Dunin ishte diçka e jashtëzakonshme për kohën. Ajo fotografi historike u botua në të gjitha revistat dhe gazetat amerikane e të botës, pastaj u pa në të gjitha ekranet televizive amerikane dhe botërore. Deri në atë kohë Kina kishte qenë armiku më i madh i Shteteve të Bashkuara. Vajtja e Henry Kisingerit në Kinë ishte një hap gjigant për marrëdhëniet kino-amerikane.
Ky ishte mbase hapi më i madh diplomatik i Shteteve të Bashkuara pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk e di pse, por kjo fotografi ishte regjistruar përgjithmonë në kujtesën time. Nuk e kisha menduar kurrë se një ditë do ta takoja këtë legjendë të diplomacisë botërore, shkruan për Koha.net ish-gazetari i “Zërit të Amerikës”, e tash botuesi në New York, Gjekë Gjonlekaj.
Në janar të vitit 1999 shkova në Manhattan në Park Avenue dhe në Rrugën 50 për të vizituar një mik timin amerikan. Kisha marrë me vete një kopje të “Kanunit të Lekë Dukagjinit”(Code of Leke Dukagjini) për t'ia dhënë dhuratë. Në këtë zonë të Manhattanit ka shumë godina të larta dhe luksoze. Ndërsa prisja ashensorin vura re se aty po afrohej Henry Kissingeri. Pasi u ndalua ashensori mbajta derën për të. Ai më falënderoi dhe buzëqeshi. Sjellja fisnike më gëzoi shumë. U ndjeva mirë, bile u ngazëlleva dhe mora kurajë për të biseduar me këtë diplomat gjenial. E pyeta si jeni Dr.Kissinger? (How are you Dr. Kissinger?). Ai u përgjigj: “Mirë, faleminderit” (Good, thank you). Pasi e preku pullën e ashensorit e kuptova se zyra e tij ishte në katin 45. Bisedën e fillova, duke e përgëzuar për disa shkrime që kishte botuar ato ditë në shtypin amerikan për çështjen e Kosovës.
Më falënderoi duke buzëqeshur dhe shtoi se po i vinte mirë që më kishin pëlqyer shkrimet e tij. Një javë më përpara kishte marrë pjesë në një konferencë ballkanike në Budapest, ku kishte folur edhe për çështjen e Kosovës dhe shtova se një shqiptari pjesëmarrës në atë konferencë nuk i kishin pëlqyer pikëpamjet e tij. Mbase ai kishte të drejtë, tha Dr. Kissingeri, por unë paraqita qëndrimin tim për atë rajon. Ndërsa po bisedonim për këtë çështje ashensori ndaloi në katin përkatës. Ashtu siç e kisha në dorë i tregova Kanunin e Lekë Dukagjinit, dhe i tregova shkurt se ky ishte Kodi më i vjetër shqiptar dhe shtova se ishte i shekullit XV. Ne e quajmë “Magna Karta” e shqiptarëve dhe dua t'ua jap dhuratë.
Atëherë tha: “Të lutem shkojmë bashkë në zyrën time”. Në dhomën e pritjes të asaj zyre isha shumë i lumtur që m’u dha rasti të takoj një personalitet aq të njohur. Qëndrova në atë dhomë duke menduar për fjalitë që do t'i shkruaj në faqen e parë të Kanunit. Në atë kopje dhuratë (complimentary copy) shkrova:” Ish-sekretarit amerikan të Shtetit dhe diplomatit më të madhe të këtij shekulli, Profesor Dr. Henry Kissingerit ia dhuron këtë Kod Shqiptar botuesi Gjekë Gjonlekaj, ish-gazetar i “Zërit të Amerikës”, dhe u largova shumë i lumtur që m’u dha mundësia e lidhjes më këtë gjigant të diplomacisë botërore. Megjithatë nuk e prisja kurrë, por pas një jave mora një letër shumë miqësore prej tij. Në atë letër më falënderonte për dhuratën dhe për fjalitë e shkëlqyeshme që kisha shkruar në faqen e parë të Kanunit. Pastaj shkruante për botimin e mirë (fine print) duke shënuar se do ta vendoste me librat tjerë në bibliotekën personale. Letra ishte shumë e shkurtër, por fjalët ishin shumë miqësore. U gëzova shumë dhe pas disa ditësh i dërgova me postë dhe libra tjerë anglisht për Kosovën, midis tyre edhe librin e mrekullueshëm të historisë së Kosovës “Ipeshkëvia Shkup-Prizren nëpër Shekuj” të Dom. Gaspër Gjinit dhe në atë pako vura edhe 5 vepra anglisht të Ismail Kadaresë. Përsëri mora letër falënderimi prej tij.
Gjithmonë kisha qenë kurioz për qëndrimin e tij rreth problemeve të Kosovës. Gjatë viteve të 80-ta Henry Kissingeri kishte lidhje të mëdha me Lawrence Eagelburger, ish konsull dhe më vonë ambasador i Shteteve të Bashkuara në Jugosllavi, i cili në administratën e presidentit George H. Bush,ishte ministër i Jashtëm i këtij vendi. Emërimi i tij në këtë detyrë i kishte shqetësuar shqiptarët e Amerikës, ngase Lawrence Eagelburger kishte qenë mik i madh i Jugosllavisë. David Binder i gazetës “The New York Times” shkruante se duke kaluar nëpër korridorin e Departamentit të Shtetit kishte dëgjuar duke folur serbo-kroatisht këshillëtarin e Sigurimit Kombëtar, Brent Scowcroft , dhe sekretarin e Departamentit të Shtetit Lawrence Eagelburger. gjenerali Brent Scowcroft kishte shërbyer për një kohë atashe ushtarak në Beograd.
David Binder kishte nxjerrë në dritë në “The New York Timës” edhe një studim të CIA-s në lidhje me mundësinë e bashkimit kombëtar të popullit shqiptar në trojet e veta në Ballkan. Opinionet e Henry Kissingerit për çështje ndërkombëtare ishin vlerësuar gjithmonë qysh në kohën e administratës të Richard Nixon e deri sot. Presidentët e këtij vendi gjithmonë kërkojnë mendimin e tij për probleme të ndërlikuara ndërkombëtare. Zakonisht ato botohen në revistat më prestigjioze të Amerikës. Gjatë sulmeve të NATO-s kundër Jugosllavisë ne prisnim mendimin e tij për Kosovën. Nuk vonoi shumë dhe një javë pas hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë botoi në revistën amerikane “Newsweek” shkrimin 3 faqesh me titull: “Ndërsa gëzimi po venitet”.
Dr. Henry Kissinger shkruante:
Për ne që e morëm në pyetje aftësinë e diplomacisë para luftës në Kosovë , kemi borxh respektin e duhur administratës së Clintonit për qëndresën e pamposhtur, aftësinë për të mbështetur bashkimin e Aleancës, dhe marrëveshjen e heshtur të rusëve. Por fitorja na lë me një sfidë po aq të vështirë: të evitojmë praninë tonë të përhershme, ne një kënd të Ballkanit si pushtues modernë, sikur kishin qenë perandoritë Otomane dhe Austriake.
I ashtuquajtur plani Petersberg rrezikon të ngelet i hapur në dy anët, duke na detyruar përzierjen tonë edhe më thellë, duke na vënë në rolin e xhandarëve në një rajon me urrejtje të thella për njëri tjetrin, ku ne kemi pak interesa strategjike.
Edhe kur plani i paqes bie dakord me marrëveshjet e Rambujesë, prapë se prapë rrezikon pjesëmarrjen e përhershme amerikane në një seri konfliktesh të pafund dhe mundësisht një luftë guerile.
Gjuha bombastike e marrëveshjes ishte hartuar të ishte e pakapërcyeshme, që secila palë mund t’i konsideronte rezultatet si të favorshme për veten e tyre.
Plani i paqes ndalon tek autonomia dhe afirmon vazhdimisht sovranitetin e Jugosllavisë. Por Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi dhe vuajti për pavarësinë dhe jo për autonomi.
Pas gjitha vuajtjeve që përjetuan ushtarët e UÇK-së dhe popullsia e Kosovës gjatë spastrimit etnik, të jenë pjesë e Serbisë është e papranueshme për ata. Çmilitarizimi i UÇK-së është edhe më i vështirë te imagjinohet se mund të ndodhë.
Evolucioni i Kosovës do të ketë ndikim të thellë në vendet fqinje. Ndikimi i parë do të jetë për shqiptarët e Maqedonisë ku ata përbëjnë rreth 25 për qind të popullsisë. Ka shumë mundësi që edhe ata do të kërkojnë të paktën, të njëjtat të drejta sikur kosovarët. Edhe shkatërrimi i Maqedonisë mund të shkaktojë një shpërthim tjetër ballkanik. Të njëjtat presione mund të ndihen edhe nga komuniteti i vogël shqiptar në Mal të Zi. Gjithashtu ka thirrje për një Shqipëri të bashkuar, të inkurajuar nga Tirana dhe emigrantët shqiptarë që furnizojnë mbështetjen financiare.
Do të ishte mençuri e madhe sikur të prisnim Nyjën Gordiane, duke i dhëne pavarësinë Kosovës si pjesë e zgjidhjes të problemit Ballkanik.
Kosova është bërë simbol i humbjes së influencës ruse në botë.
Ishin këto disa fjali nga analiza e Kissingerit për të ardhmen e Kosovës, botuar në revistën Newsweek, një javë pas hyrjes së NATO-s në Kosovë.
Shkrim im nuk ka asnjë qëllim tjetër, vetëm për t’i treguar lexuesit modestinë dhe fisnikërinë e këtij titani të diplomacisë amerikane dhe botërore, shkruan Gjonlekaj.