Arbëri

Hoxha në takim me ambasadorët e BE-së në Kosovë: Ne duhet t’i kryejmë detyrat tona

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në takim me ambasadorët e BE-së në Kosovë ka thënë se vendi duhet t’i kryej detyrat për integrim në BE.

Ajo e cilësoi Raportin si avancim në procesin integrues, dinamikën e të cilit e konsideron se do të duhej përshpejtuar.

Sipas njoftimit, Hoxha ka njoftuar të pranishmit se ministria që ajo drejton menjëherë pas publikimit të Raportit për Vendin ka ndërmarrë hapat e nevojshëm duke identifikuar të gjitha mangësitë, boshllëqet dhe rekomandimet e Raportit për Vendin duke ua përcjellë ato institucioneve përgjegjëse për veprime të mëtutjeshme dhe menjëhershme.

Po ashtu, ajo njoftoi të pranishmit për takimin që kishte pasur me Kryeministrin Haradinaj në formatin e takimit të Këshillit Ministror për Integrime Evropiane (KMIE) më 3 qershor 2019, për të diskutuar mbi të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit si dhe adresimin e tyre nga të gjitha institucionet e Kosovës.

“Ne planifikojmë të mbajmë mbledhje mujore të Këshillit Ministror për Integrim Evropian (KMIE), për të monitoruar zbatimin e gjetjeve dhe rekomandimeve që rrjedhin nga Raporti për Vendin”, theksoi Ministrja Hoxha duke vënë në dukje se mbetemi të përkushtuar për të kapërcyer sfidat dhe vështirësitë, institucionet të reflektojnë për Raportin dhe të vijnë me koordinimin më të mirë, bashkëpunimin dhe afatet fikse ku nuk ka vonesa.

Krejt në fund Ministrja Hoxha shprehu përkushtimin e saj në dinamizimin e mëtejmë të Procesit të Integrimit Evropian në të gjitha drejtimet e mundshme me qëllim të avancimit të mëtejmë në këtë proces të pa-alternativë për Kosovën.