Arbëri

Në dëgjim publik udhëzimet e Ligjit që njeh statusin e punëtorëve të arsimit të viteve ’90

Ligji i shumëpërfolur i Statusit të Punëtorëve Arsimorë për vitet e 90-ta është shumë afër zbatimit të tij.

Pas daljes në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, për këtë ligj janë hartuar edhe udhëzimet e nevojshme administrative, që i rregullojnë procedurat për aplikim, raporton KTV.

Sipas Ymer Ymerit nga SBASHK-u, deri në qershor, ky ligj duhet të finalizohet dhe, pas dëgjimit publik, ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, duhet ta nënshkruajë menjëherë atë, në mënyrë që të përfitojnë mësimdhënësit pensionistë.

Zyra për Informim e Ministrisë së Arsimit, në një përgjigje me shkrim, ka bërë të ditur se udhëzimet administrative që lidhen me Ligjin për Statusin e Punëtorëve të Arsimit Shqip në vitet 1990-99, do të dalin shumë shpejtë në diskutim publik dhe në momentin që të mbyllet bashkë me komentet, do të nënshkruhet nga ministri Bytyqi.

Një mësimdhënës që ka punuar nëntë vjet të plotë nga viti 90 deri 99, me pagën bazë të arsimit fillor, do të marrë 72 euro shtesë pensionit të pleqërisë dhe kur të hyjë në fuqi Ligji i Pagave, ai do të marrë 90 euro.

nëse një mësimdhënës ka punuar vetëm 1 vit, do t’i marrë 15 euro, ndërsa me Ligjin për Pagat, do t’i marrë 19 euro.