Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj në 5 vjetorin e themelimit të Nismës Socialdemokrate në Ferizaj ka folur për dialogun, ku tha se Kosova është e gatshme për të dialoguar me Serbinë, por vetëm me një kusht, në tavolinë duhet të përfundojë njohja reciproke mes dy vendeve.
Ai tutje ka shtuar se nuk do të pranojë ndarje apo copëtim të Kosovës.
“Ne jemi të gatshëm me filluar dialogun kurdo me Serbinë, me një kusht, në tavolinë duhet të përfundoi njohja reciproke mes dy vendeve tona. Unë si drejtues i juaj që jam i përfshirë në atë dialog, ju siguroj që asnjë hap, e asnjë veprim, e asnjëherë nuk ka me ndodh kurrë, sikurse që nuk ka ndodh deri më sot, as me pajtim me gojë e as me nënshkrim, asnjë gjë kundër interesit të vendit tonë. As ndarje e as copëtim të Kosovës”, tha Limaj.
Limaj po ashtu ka folur për themelimin e Nismës pesë vite më parë dhe u shpreh se ishte i bindur në suksesin e tij politik, pasi siç tha se e dinte që populli do ta pranonte një vizion politik më ndryshe.
“Ne një grup intelektualë, qytetarë të këtij vendi, para pesë viteve dolëm me një platformë politike, duke qenë të bindur që vendit tonë i duhet një vizion politik, ndryshe nga ajo që ishte në skenën politike kosovare. Besuam që vendit i duhet një fisnikërim politik. Ne besuam dhe besojmë që kemi shumëçka për t’i dhënë vendit tonë. Ne atëherë ishim të bindur që një vizion i yni politik është mëse i domosdoshëm të jetë prezent dhe të luajë rolin në skenën politike kosovare. Skena politike kosovare ishte e mbushur me energji negative”, tha Limaj dhe shtoi se kjo energji negative nuk i shërbente vendit, pasi stopoi shumë projekte të vendit tonë “stopoi rritjen e Kosovës”.
po ashtu pohoi se Kosova ka nevojë për të vërtetën edhe kur nuk pëlqehet, prandaj udhëzimet e tij kanë qenë për kryetarët e degëve “që ne nuk duam votë në këmbim të mashtrimit dhe në këmbim të fyerjes, aso vote nuk duam”.
Kryetari i degës së Nismës Socialdemokrate në Ferizaj, Besnik Berisha tha se gjatë pesë viteve është bë një punë e madhe për fuqizimin e kësaj dege, ku janë themeluar 37 nëndegë, ndërsa në zgjedhjet e fundit i kanë marrë me 2300 vota.
“Nisma në Ferizaj çdo ditë po rritet, po fuqizohet, jo vetëm me numra. Nisma në Ferizaj është pjesë e qeverisjes lokale, ku jemi të përfaqësuar në asamblenë komunale me 3 asamblistë, pastaj e kemi edhe një drejtori që e udhëheqim”, tha Berisha, raporton KosovaPress.