Thaçi: Nuk ka kush na ndalë në synimet tona euro-atlantike

Clinton përfundon vizitën në Kosovë

12 June 2019 12:01
17:05

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka përfunduar vizitën e tij dyditore në Kosovë, për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit.

Pas “Ecjes së Lirisë”, zbulimit të shtatores së ish-sekretares Madeleine Albright dhe pllakës në afërsi të shtatores së Bill Clintonit, ish-presidenti amerikan i ka dhënë fund vizitës në Kosovë.

16:13

Pllakë për Bill Clintonin te shtatorja e tij

Në kuadër të “Ecjes për Liri” për 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës, ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka vizituar Bulevardin “Bill Clinton” ku është dhe shtatorja e tij.

Me këtë rast në shenjë mirënjohje për të është përuruar edhe një pllakë afër shtatores, transmeton KP.

Clinton me këtë rast e cilësoi pllakën dhuratë të çmueshme dhe ka falënderuar qytetarët e Kosovës.

15:15

Zbulohet busti i Albright

Image

Në Prishtinë, më saktësisht në sheshin “Albright”, është zbuluar shtatorja e ish-sekretares amerikane Medeleine Albright.

“Jam shumë e nderuar që të kem një bust në Prishtinë. Faleminderit shumë për këtë nder kaq të madh. Ky vend do të thotë shumë për mua”, ka thënë ish-sekretarja Albright.

14:55

Nis “Ecja për liri”

Pas tubimit që u mbajt prej orës 11:00 në sheshin “Skënderbeu”, tashmë ka nisur “Ecja për Liri”.

Nga ora 14:00 ka nisur “Ecja për liri”, për të vazhduar drejt sheshit “Albright”, afër American School of Kosova, ku së shpejti pritet të bëhet përurimi i bustit të ish-sekretares Albright.

Ndërkaq në orën 15:00, do të bëhet vizitë në Bulevardin ‘Bill Clinton’, afër shtatores së ish-presidentit Clinton.

13:18

Haradinaj: Vuçiqi ta njohë Kosovën në këta kufij

Image

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se Kosova është e gatshme që të pajtohet me Serbinë, shtet ky i cili para dy dekadave kreu gjenocid në Kosovë.

Haradinaj u shpreh se paqen e bëjnë të guximshmit, andaj Kosova sipas tij ka guxim që të pajtohet me Serbinë.

Kryeministri i vendit i ka bërë thirrje Serbisë dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiqi, që ta njohin Kosovën në kufijtë aktualë dhe të drejtën e saj për të qeverisur, transmeton ksp.

“Paqen e bëjnë të guximshmit, e ne guxojmë të pajtohemi me Serbinë. I bëjmë thirrje popullit të Serbisë, edhe Vuçiqit që ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë. Në mënyrë që ne të qeverisim të punojmë më shumë, në luftimin e korrupsionit, forcimin e vendit dhe ligjit në vendin tonë”, ka thënë Haradinaj para të pranishmëve në shënimin e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Haradinaj ka falënderuat ish-presidentin amerikan, Bill Clintonin si dhe ish sekretaren e shtetit, Madeleine Albright, për ndihmën që i kanë dhënë Kosovës ndër vite. “Ju me avionët tuaj i ndalët trenat e vdekjes dhe spastrimin etnik. Sot një popull iu falënderon tërë jetën”, ka thënë Haradinaj.

13:17

Palmeri thotë se tani është koha për marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Image

Zëvendësndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, tha se SHBA-ja do të vazhdojnë të jenë partner mbështetës i Kosovës, porse porositi institucionet e Kosovës që të angazhohen në fuqizimin e rendit dhe ligjit.

“Një e ardhme e ndritur varet nga rendi dhe ligji, demokracia e fortë dhe llogaridhënia si dhe refuzimi i pandëshkueshmërisë”, deklaroi Palmer.

Palmer, gjatë fjalimit të tij në 20 vjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, foli edhe për procesin e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, transmeton REL.

Ai tha se tani është koha ideale për t’u arritur marrëveshja përfundimtare në mes të të dyjave vendeve.

“Nuk ka kohë më të mirë, më të përshtatshme se tani për ta bërë këtë. Greqia dhe Maqedonia (e Veriut) së fundmi e arritën pajtimin dhe ka qenë kjo e arritur nga liderë largpamës dhe natyrisht duke i harruar konfliktet e kaluara”, tha Palmer.

“Kosova dhe Serbia gjithnjë do të jenë fqinjë dhe do të jenë shumë të ngushtë dhe natyrisht të dyja vendet duhet të zhbllokojnë të ardhmen evropiane dhe të orientohen nga stabiliteti dhe përparimi”, deklaroi Palmer.

13:00

Veseli: Kosova do të jetë gjithmonë, kudo dhe kurdo me SHBA-në

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha në ceremoninë qendrore për 20 vjetorin e çlirimit se liria e Kosovës është meritë e dëshmorëve të UÇK-së dhe ndihmës së madhe të SHBA-së.

“Sot, ne festojmë 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke pasur në mesin tonë miqtë më të mëdhenj të lirisë sonë, të kombit tonë, të atdheut tonë: Presidentin Clinton, zonjën sekretare Albright, gjeneralin e shpresës - Clark, përfaqësuesit e tashëm të administratës amerikane, përfaqësuesit nga shumica e vendeve mike të Kosovës”, tha Veseli.

Ai tha se bota perëndimore në krye me SHBA-të para dy dekadash shpëtian kombin shqiptar.

“Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë. Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar. Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar. Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura. Një popull të tërë nga gjenocidi. Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë. Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Veseli.

Pasi i përshëndeti mysafirët që bënë të festohet kjo ditë në Kosovë, kryeparlamentari Veseli tha:

Sot, të gjithë qytetarët e vendit tonë, kudo që jetojnë, me sy, me mendje dhe me zemër janë me ne, në këtë shesh të Kryeqytetit tonë.

Festojmë 20-vjetorin e çlirimit, 20 vjet liri.

Sot, krahas gëzimit të madh, kujtojmë edhe sakrificën tonë kombëtare, mijëra jetë, të burrave dhe grave të Kosovës, të flijuara për lirinë tonë.

Përulemi para tyre dhe i jemi falënderues përjetë sakrificës së tyre sublime.

Lavdi e përjetshme të rënëve tanë për liri!

Respekt për luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për NATO-n e udhëhequr nga SHBA-të, për të gjitha vendet demokratike, për njerëzit e mirë kudo në botë.

Sot është një ditë e veçantë.

Është një ditë e mrekullueshme.

Një ditë që do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e kombit tonë.

Sot, ne festojmë 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës, duke pasur në mesin tonë miqtë më të mëdhenj të lirisë sonë, të kombit tonë, të atdheut tonë: Presidentin Clinton, zonjën sekretare Albright, gjeneralin e shpresës - Clark, përfaqësuesit e tashëm të administratës amerikane, përfaqësuesit nga shumica e vendeve mike të Kosovës.

Në vazhdim ai iu drejtua president Clinton, zonjës Albright e hjeneral Clark, me fjalët se 20 vjet më parë, ju bëtë atë që në pak raste e ka parë historia e mbarë njerëzimit.

U ngritët në këmbë për të shpëtuar një popull, që po përballej me shfarosjen, vetëm e vetëm pse donte të jetonte i lirë, si të gjithë popujt tjerë.

Ju ishit me popullin tonë, në natën më të errët dhe në orën më të ligë të historisë së tij.

Ne jemi sot këtu, shtoi në vazhdim Veseli, falë vendosmërisë suaj, si lider i botës së lirë., falë vlerave mbi të cilat qëndrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës; falë ëndrrës së madhe të kombit amerikan për një botë të lirë e në paqe. Dhe NE, qytetarët e Kosovës, do t’ju kujtojmë përherë!

Kosova do të jetë gjithmonë, kudo dhe kurdo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha ai dhe shtoi:

Në shumë raste, madhështia e veprave njerëzore e tejkalon forcën e fjalëve për t’i shprehur ato.

Por, atë që s’e bëjnë fjalët tona sot, e ndjejnë zemrat tona, e ndjen shpirti i një kombi të lirë që përkulet me respektin më të madh për Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ju, 20 vjet më parë, shpëtuat një komb të tërë.

Shpëtuat fëmijët e pastrehë dhe të frikësuar.

Prindërit e pashpresë dhe të tmerruar.

Nënat, gratë, vajzat e pambrojtura.

Një popull të tërë nga gjenocidi.

Dhe, mbi të gjitha, i dhatë kuptim vlerave njerëzore, për të treguar se askush, asnjëherë, nuk do të shtypet, nëpërkëmbet dhe rrezikohet vetëm pse tjetri mund ta bëjë këtë dhe është më i fortë.

Garant i këtij humanizmi qëndron gjithmonë vendi i lirisë dhe demokracisë në botë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sot, Kosova është vend i lirë, demokratik, faktor stabiliteti e paqeje!

Në këto 20 vjet liri, Kosova ka ecur shumë përpara.

Jemi bërë shtet i pavarur e sovran, që beson e punon në një vizion të vetëm, në vizionin euro-atlantik.

Në çdo hap që kemi hedhur, qëndron partneriteti i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve mike perëndimore, në veçanti Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Japonisë, Francës, Italisë, dhe anëtarëve të Botës Perëndimore.

këtë ditë të madhe, ne u shprehim atyre mirënjohjen e thellë dhe vendosmërinë tonë për të qenë pjesë e vlerave euro-atlantike.

Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Botën Perëndimore është më e madhe se partneritetet e zakonshme strategjike që lindin në marrëdhëniet mes kombeve.

Lidhja e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Perëndimin është lidhje shpirtërore. Është besim i popullit tonë.

Është bekim nga Zoti.

Është vetë identiteti ynë shtetëror e kombëtar.

Është ëndrra jonë e madhe që të jemi aty ku na takon, pjesë e Botës Perëndimore.

I nderuar President Clinton,

Kosova e para 20 vjetëve, Kosova e sotme, Kosova e nesërme, ka qenë dhe do të mbetet trashëgimi e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Të tillë do ta ruajmë përgjithmonë.

Për lirinë tonë.

Për paqen dhe fqinjësinë e mirë.

Për një botë që merr kuptim nga idealet amerikane të lirisë e dinjitetit njerëzor.

Të faleminderit, hero i kombit tonë! - përfundoi Veseli, duke iu drejtuar ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.

12:51

Clinton: Nderi më i madh në jetën time që kam qëndruar me ju kundër spastrimit etnik

Image

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton ka deklaruar se është nder i madh për të lidhja që ka me Kosovën.

Këto komente ai i bëri në rastin e ceremoninë së 20 vjetorit të Ditës së Çlirimit, transmeton Koha.net.

“Çdo herë ka qenë dhe do të jetë nderi më i madh në jetën time, që kam qëndruar me juve kundër spastrimit etnik dhe ju jam shumë mirënjohës që jam sërish këtu me ju”, ka thënë Clinton.

Ai ka shtuar se duhet të jemi mirënjohës që në këtë rrugëtim të vështirë nuk ka pasur kthim të dhunës sistematike.

“Para se të mendoni për të gjitha gjërat që duhet t'i bëni, jeni mirënjohës që në udhëtimin tuaj të vështirë dhe të gjatë nuk ka pasur kthim të dhunës sistematike, shkatërrimit. Merita për këtë i shkon qytetarëve të Kosovës të të gjitha etnive, të cilët kanë vendosur të jetojnë me shpresën e të ardhmes së duhur”, u shpreh Clinton.

12:37

Albright: Vendimi për të ndërhyrë në Kosovë ishte i drejtë

Image

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, gjatë ceremonisë qendrore për shënimin e 20-vjetorit të çlirimit të Kosovës, tha se vendimi për të ndërhyrë në Kosovë, “ishte i drejtë”.

“Aleanca jonë ishte e bashkuar dhe e fortë dhe më e rëndësishmja është se ia dolëm për arsye se kauza e jonë ishte e drejtë dhe për arsye të qytetarëve të Kosovës përtej të gjitha pyetjeve, praktikave dhe politikave", tha ish-sekretarja Albright.

Albright rrëfeu për një premtim që ajo ua kishte bërë para 20 vjetësh refugjatëve nga Kosova të cilët ishin larguar nga shtëpitë e tyre dhe ishin vendosur në Maqedoni.

“Në ditët që pasuan të fushatës sonë kam vizituar një kamp me refugjatë të Kosovës në Maqedoni dhe më kujtohet kur po ecja nëpër tokën me pluhur, me 20 mijë të dëbuar, të rinj dhe të vjetër dhe një djalosh po mbante një pankartë: 'E dua Amerikën', dhe në fund thoshte se dëshiroj të kthehem në Kosovë. Unë ndalova dhe fola më nënën e tij e cila më tha që gjyshi i atij djaloshi kishte vdekur derisa po ikte nga Kosova dhe se ishte gjyshja e tij që po qëndronte ende në Prishtinë. Unë u ftova në një tendë ku një grup i grave folën për interesin e tyre për tu kthyer, dhe ju thash keni durim por gjithashtu ju thash se kur të ktheheni atje do të jenë ushtarët e NATO-s për të ju ndihmuar që të zhvilloni një jetë normale. Duke ju falënderuar grave dhe burrave të NATO-s ne e përmbushëm këtë premtim”, deklaroi Albright.

12:01

Thaçi: Nuk ka kush na ndalë në synimet tona euro-atlantike

Image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në manifestimin qendror për shënimin e 20 vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s, ua ka uruar gjithë qytetarëve 12 qershorin, ditëlindjen e lirisë së Kosovës.

“12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe Perëndimit”, ka thënë Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të bota e qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm.

Live - 20 vjetori i çlirimit

“Ne mburremi që jemi sot populli më proamerikan, më properëndimor dhe më proevropian në këto anë të botës”, ka thënë ai, duke theksuar se liria e Kosovës është vlerë e përbashkët e të gjithë neve këtu.

Ky është fjalimi i plotë i presidentit Thaçi:

Dua qysh në fillim t’i uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse 12 qershori i vitit 1999-të, është ditëlindja e lirisë së Kosovës. Secili nga ne që jetojmë në Kosovë, por edhe shumë të tjerë që jetojnë kudo në botë, e kemi ditën kur u lindëm si njerëz. Por, 12 qershori është datë që na bashkon të gjithëve si qytetarë të Kosovës. Këtë ditë u rilindëm të gjithë ne, si qytetarë të lirë të këtij vendi të lirë. 12 qershori është në themelet e identitetit tonë si qytetarë, si popull, si Kosovë, si pjesë e pandashme e Evropës dhe e Perëndimit. Këtë kurrë nuk do ta harrojmë, do ta respektojmë përgjithmonë. Ashtu siç jemi sot së bashku, si kosovarë, amerikanë, britanikë, gjermanë, francezë, italianë, e nga shumë vende tjera në këtë ditë të bukur qershori në kryeqytetin e shtetit të Kosovës, në Prishtinë, ashtu ishim bashkë në periudhën më të rëndë, më të errët dhe më tragjike në historinë e re të Kosovës: - atëherë kur ishte rrezikuar vetë mbijetesa e një populli, - atëherë kur qytetarët e Kosovës ishin në gjendje të sakrifikojnë gjithçka për liri dhe për t’u bërë zot të fatit të vet. Ajo çfarë bëri në pranverën e vitit 1999-të, Bota e Qytetëruar, e personifikuar në SHBA-në, Bashkimin Evropian, Aleancën Veriatlantike, ka qenë një hap i madh dhe i jashtëzakonshëm.

Ka qenë një hap vendimtar për ta shpëtuar një popull të tërë, për të mundësuar që e keqja të pësojë disfatë dhe që të gjithë neve të na ofrohet mundësia historike, që ta ndërtojmë një të ardhme për ne dhe për brezat e ardhshëm. Sa të ketë jetë dhe njerëz në këto anë, sa të ketë Kosovë mbi këtë tokë, ne do të jemi falënderues për qëndrimin dhe vendimin tuaj njerëzor dhe qytetërues të pranverës së vitit 1999. Ishte qëndrim dhe vendim i drejtë dhe i ndershëm! Edhe sot, si President i Kosovës, ju them sërish, me sinqeritetin dhe përulësinë më të madhe:

Ju faleminderit! Edhe pas përfundimit të luftës dhe sigurimit të paqes edhe nga 50 mijë trupa të Aleancës Veriatlantike, Bota e Qytetëruar ishte së bashku me ne. Ishte për ta ndryshuar me themel vendin tonë, në të gjitha aspektet e mundshme. Për ta ndërtuar një Kosovë të re, në të gjitha dimensionet.

Kosova u bë demokracia më e re liberale në Evropë. Mbajtëm me sukses zgjedhjet e para të lira, si në nivelin e pushtetit lokal, ashtu edhe në atë të pushtetit qendror. U mësuam t’i respektojmë të drejtat e të gjitha pakicave dhe t’i mbrojmë të drejtat e njeriut. Krijuam ekonominë e tregut të lirë. Mundësuam investime nga jashtë. U stabilizuam si shoqëri. I bëmë hapat e parë drejt procesit të integrimit euroatlantik. Dhe më në fund, në respektim të vullnetit të popullit të Kosovës për ta bërë shtetin e vet, me gatishmëri për t’i gjetur zgjidhjet më të mira për akomodimin e të gjitha nevojave të komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera në Kosovë, ne shpallëm Pavarësinë e Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008.

Liria e Kosovës është vlerë e përbashkët e të gjithë neve këtu. Secili politikan i Kosovës, secili qytetar i saj, nuk ka as më të voglin dyshim se çka jemi ne si popull apo cili është identiteti ynë suprem. Ne jemi evropianë dhe duam të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Ne jemi perëndimorë dhe duam të jemi shtet anëtar i Paktit NATO.

Ne mburremi që jemi sot populli më proamerikan, më properëndimor dhe më proevropian në këto anë të botës. Por, ne jemi të bindur që së bashku duhet dhe mund ecim më shpejt drejt integrimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike dhe në Bashkimin Evropian.

Ne e meritojmë këtë. Ashtu siç kemi merituar të jemi të lirë. Ashtu siç e kemi merituar të bëhemi shtet.

Në anën tjetër, e dimë që rrëfimi për ne si Kosovë, si shtet, nuk mund të rrumbullakohet në tërësi pa e ngritur flamurin e Kosovës në East River, në selinë e OKB-së. Pa e siguruar edhe njohjen nga pesë shtetet e BE-së. Ashtu siç kemi qenë shumë vite më parë të gatshëm për ta bërë marrëveshjen historike me Serbinë, ashtu jemi edhe sot të vullnetshëm që të bisedojmë me Serbinë për ta bërë Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Ne sot e kësaj dite jetojmë ende me barrën e një historie të rëndë dhe tragjike që ka ndodhë në Kosovë. Nuk mund ta harrojmë dot gjenocidin dhe spastrimin etnik! Këtë kujtesë dhe respektin e pafund ia kemi borxh të gjithë atyre që vuajtën dhe u sakrifikuan për lirinë e Kosovës. Por, në anën tjetër, ne ia kemi borxh fëmijëve tanë dhe gjeneratave që po vijnë, që ta bëjmë marrëveshjen me Serbinë.

Që të jetojmë si shtet në paqe dhe në fqinjësi të mirë me të gjithë. Që të sigurojmë mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës. Që të bëhemi shtet anëtar në OKB dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Dhe në fund, që ta ngrisim flamurin e Kosovës edhe në NATO dhe në BE. Nuk ka kush të na ndalë! Kosova është mburrja jonë, është krenaria jonë, është fati ynë. Urime edhe një herë Dita e Lirisë së Kosovës.

Ju faleminderit për vëmendjen!

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme