Arbëri

Hetimet për Telekomin, Haxha: Kam pasur presione nga ish-ministrat Shala e Beqaj

Shyqri Haxha nga Anglia erdhi vetëm për të dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar për kohën sa ishte kryeshef i PTK-së.

Haxha, para deputetëve ka thënë se atë kohë ka pasur presione të ndryshme nga politika rreth kontratave që Telekomi i kishte lidhur.

Këtu ka përmendur me emër dy ish-ministra të Qeverisë, Ahmet Shalën dhe Besim Beqajn.

Ai ka shtuar se vlera e kompanisë është dëmtuar nga politikanët dhe siç ka thënë ai, kontrata me Z-Mobile ishte e kurdisur.

Ndër të tjera, Haxha ka thënë se tri herë është kërcënuar me vrasje, pasi kishte larguar nga puna 50 persona për të cilët ai thotë se ishin të përfshirë në krim të organizuar.

Këtu, ai përmendi edhe një ish­-prokurore të EULEX-it që sipas Haxhës, qëllimin e vetëm e kishte shkatërrimin e vendit.

Ai ka akuzuar deputeten e PDK-së, Blerta Deliu, se i kishte kërkuar që ta punësojë dikë.

Sidoqoftë, Shyqri Haxha ka thënë se do t’ia ofrojë komisionit një dokumentacion, të cilin sipas tij, deri më tani, nuk e ka bërë publike.