Krasniqi tregon pritjet nga Samiti i Parisit, thotë se ai edhe mund të dështojë Foto: Koha

Krasniqi tregon pritjet nga Samiti i Parisit, thotë se ai edhe mund të dështojë

Fortuna Shkodra Fortuna Shkodra 08 June 2019 13:41

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, në Intervistën e Javës në Koha.net ka folur për Samitin e Parisit i cili do të mbahet në muajin korrik, e për të cilin thotë se ndryshimi i vetëm nga ai i Berlinit, del të jetë që ky në Paris është Samit Bilateral.

Krasniqi, thotë se ky Samit ka gjasë edhe të dështojë në rast se delegacioni kosovar e ai serb, vazhdojnë ta nënçmojnë atë.

Ajo tutje thotë se në këtë takim palët mund të arrijnë një dakordim të përgjithshëm për hapat e mëtejmë për zhvillimin e negociatave por gjasat që në këtë takim, të ketë dakordim për një zgjidhje eventuale në mes palëve, janë jo realiste.

Ndër tjera, Krasniqi flet edhe për ngecjen e çështjes së liberalizimit. Sipas saj, “ofrimi i liberalizimit duket të jetë e vetmja ‘karrotë’ nga ana e BE-së.

“Kjo duke konsideruar që Kosova ende nuk njihet nga 5 shtete të BE-së dhe se derisa kjo marrëdhënie Kosovë-BE të mos ndryshoj, hapja e negociatave, pra ofrimi i perspektivës për rrugëtim të qartë evropian të shtetit të Kosovës, duket i pamundur”, tha ajo.

Koha.net: Së shpejti do të mbahet Samiti në Paris. Çka mund të pritet nga ky takim i radhës që pritet të mbahet në muajin korrik?

Jeta Krasniqi: Samiti i Parisit që vjen pas Samitit të Berlinit është një proces i marr përsipër nga Franca dhe Gjermania për të rikthyer palët në tryezën e diskutimit, për të ofruar mbështetje për një proces që ka stagnuar nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ndryshimi i vetëm është që ky është një Samit Bilateral, tek sa fokusi i Presidentit Emanuel Macron dhe Kancelares Angela Merkel është vetëm tek Kosova dhe Serbia.

Duke i parë pozicionet diametrialisht të kundërta, problemin e taksës, por edhe kokëfortësinë dhe kushtëzimin e palës serbe, nuk është se pres ndonjë ndryshim të madh. Ky Samit mund edhe të dështoj nëse delegacionet e Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë ta nënçmojmë atë, duke e relativizuar iniciativën e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit Emanuel Macron.

Koha.net: A ka gjasa që në këtë takim të diskutohet për statusin e Kosovës, të gjendet ndonjë zgjidhje apo vetëm ndonjë kornizë?

Krasniqi: Çështja e statusit të Kosovës është çështje tashmë e përfunduar me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 2008, dhe është e vulosut juridikisht me aktgjykimin e GJND-së në 2010. Prandaj statusi i Kosovës nuk është çështje diskutimi.

Kosova dhe Serbia kanë një numër çështjesh për të cilat duhet të diskutojnë që kanë të bëjnë me ballafaqimin me të kaluarën përfshirë çështjen e të pagjeturve, dëmet e luftës, përgjegjësinë juridike për mijëra viktima civile, personat e dhunuar gjatë luftës si dhe kërkim faljen nga ana e Serbisë. Suksesionin ashtu siç ka ndodhur me të gjitha njësitë federale të tjera të ish-Jugosllavisë, integrimin e komunitetit serb në shtetin e Kosovës dhe të drejtat e tyre, si dhe të drejtat e shqiptarëve në Republikën e Serbisë. Marrëveshja e normalizimit duhet të jetë mjet për vendosjen e raporteve të paqes midis palëve, të cilat më pas si dy shtete të pavarura dhe sovrane të cilat njohin njëra-tjetrën, punojnë në bashkëpunim të ndërsjelltë.

Në këtë takim palët mund të arrijnë një dakordim të përgjithshëm për hapat e mëtejmë për zhvillimin e negociatave por gjasat që në këtë takim, të ketë dakordim për një zgjidhje eventuale në mes palëve janë jo realiste.

Koha.net: Sipas jush, cili është dallimi i këtij Samiti nga ai në Berlin, nga i cili s’doli ndonjë rezultat konkret për Kosovën e në anën tjetër, liderët kosovarë kanë pritje më të mëdha nga Samiti në Paris?

Krasniqi: Samiti i Parisit vjen pas tentativave konkrete edhe të diplomacisë ‘fluturuese ‘ (shuttle diplomacy) dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të Kancelarisë gjermane dhe presidencës franceze me mbështetjen e SHBA-ve për t’i lëvizur palët nga pozicioni i status quo-së në të cilin janë tashmë prej më shumë se 7 muajsh, dhe rikthimit të tyre në tryezën e diskutimit për arritjen e një marrëveshjeje të paqes e cila do të hapte një kapitull të ri të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Pozicionet e palës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, duket të jenë mjaft rigjide. Serbia ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë të vendosur nga Qeveria e Kosovës. Në anën tjetër, Kryeministrit Haradinaj është shprehur se nuk pranon kushtëzimin e dialogut dhe se taksa do të hiqet vetëm pas njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë. Këtë Haradinaj e konfirmoi edhe pas takimit që e zhvilloi në Berlin me kancelaren gjermane Angela Merkel. Edhe pala serbe e ka potencuar nëpërmjet presidentit Vuçiq në forumin në Bratisllavë se nuk do të ulet në tryezë bisedimesh, pa e hequr Kosova taksën. Pra nuk ka lëvizje pozicionesh.

Një çështje që vlen të theksohet është mungesa e një qëndrimi unik transatlantik por dhe vet brenda BE-së rreth zgjiidhjes potenciale Kosovë-Serbi e cila ka ndikim të drejtpërdrejt në këto negociata.

Besoj që pritjet e palëve rreth Samitit të Parisit ndërlidhen më mundësinë e zhbllokimit të situatës dhe rikthimit të palëve në tryezën e dialogut duke tentuar vendosjen e disa parametrave të përgjithshëm në kuadër të së cilës do të zhvillohet procesi i dialogut, sërish i ndërmjetësuar nga BE.

Gjermania dhe Franca e kanë bërë të qartë që ndërmjetësues i këtij procesi do të vazhdoj të mbetet BE edhe në të ardhmen, prandaj pritet të shihet pas Samitit të Parisit se çfarë roli do të kenë këto dy shtete dhe si do të jetë përfshirja e tyre në procesin e dialogut edhe në të ardhmen.

Koha.net: A prisni të ketë qartësim të pozicionit të Kosovës me Serbinë?

Krasniqi: Pozicioni i Kosovës kundrejt Serbisë duhet të qartësohet brenda Kosovës dhe ky pozicion më pas duhet të paraqitet njëzëri nga të gjithë përfaqësuesit shtetëror të Kosovës në çdo forum ndërkombëtar.

Për fat të keq, skena politike vendore është e ndarë rreth pozicionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, ku në vazhdimësi prej më shumë se një viti krerët institucional janë duke artikuluar qëndrime të kundërta rreth zgjidhjes potenciale në mes palëve ku një ndër temat më kontestuese ndërlidhet me integritetin territorial të Kosovës. Krerët institucional të Kosovës, kanë lobuar për qëndrime të kundërta edhe me miqtë ndërkombëtar dhe si rrjedhojë është dëmtuar edhe vet pozicioni i Kosovës në këto negociata. Prandaj qartësimi i qëndrimit unik të Kosovës mbetet një domosdoshmëri e suksesit të këtij procesi, për më tepër i ruajtjes dhe garantimit të interesit të Kosovës në këto negociata.

Koha.net: Të kujtojmë se presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar masa të rrepta kundër Kosovës pas këtij Samiti. A mund të tensionohet e përkeqësohet raporti Kosovë-Serbi?

Krasniqi: Serbia në vazhdimësi ka luajtur një rol destruktiv kundrejt shtetit të Kosovës, pavarësisht faktit që palët janë në një proces dialogu prej vitit 2011. Serbia ka vazhduar lobimin e saj kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke argumentuar që një marrëveshje për mospengim të Kosovës nuk është arritur në mes palëve – lëshim i rëndë ky nga pala kosovare i marrëveshjes së parimeve të vitit 2013. Ndërsa ka gjetur mënyra për bllokimin e pjesëmarrjes së Kosovës në takime të ndryshme qoftë rajonale, pavarësisht marrëveshjes së fusnotës – marrëveshje në të cilën vet shteti i Kosovës pranon të jetë neutrale ndaj statusit të saj.

Përkundrejt një procesi të normalizimit të raporteve, në realitet ky normalizim ka munguar që është parë dhe me moszbatimiin e marrëveshjeve të arritura dhe qasjes së vazhdueshme kundërshtuese, sabotuese dhe mohuese ndaj shtetit të Kosovës nga ana e Serbia.

Retorika politike nga liderët e Serbisë ka shkuar në funksion të viktimizimit të tyre dhe në mohim të krimeve të kryera në Kosovë, dhe së fundmi kemi parë gjuhë raciste dhe denigruese nga krerë institucional ndaj shqiptarëve. Prandaj është e pritshme që kjo qasje destruktive nga pala serbe të vazhdoj edhe në të ardhmen, veçanërisht kur shohim një pranim nga faktori ndërkombëtar ndaj sjelljeve të tilla me qëllim ruajtjen e një pseudo-stabiliteti në mes palëve. Paralajmërimet e Vuçiq mund të ndërlidhen direkt edhe me destabilizimin e situatës në veri të Kosovës, ku është i qartë ndikimi i madh i Beogradit si tek strukturat legale ashtu edhe tek ato parapolitike dhe të nëntokës.

Koha.net: Vazhdojnë premtimet për liberalizim vizash, këtë herë thuhet se do të ndodhë para stinës së vjeshtës. A mund të pritet ndonjë lajm për liberalizim në këtë takim, dhe sa mendoni se është reale të ndodhë këtë vit liberalizimi?

Krasniqi: Kosova tashmë ka përmbushur të gjitha kriteret për marrjen e liberalizimit të vizave, gjë që është konfirmuar edhe me raportin më të fundit të Komisionit Evropian për Kosovës dhe me votimin në Parlamentin evropian. Tashmë çështja mbetet te Këshilli Evropian pra vendim politik i shteteve anëtare të BE-së. Pavarësisht insistimit të Gjermanisë për liberalizim vizash, duket se shtetet e BE-së janë mjaft skeptike gjë që e kemi parë edhe në rastin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Kjo u konfirmua edhe nga takimi Haradinaj-Merkel, kur kryeministri kosovar deklaroi se Kosova duhet të tentojë të futet në axhendën serioze evropiane.

Vlen të theksohet se me rastin e Kosovës ofrimi i liberalizimit duket të jetë e vetmja ‘karrotë’ nga ana e BE-së, duke konsideruar që Kosova ende nuk njihet nga 5 shtete të BE-së dhe se derisa kjo marrëdhënie Kosovë-BE të mos ndryshoj, hapja e negociatave, pra ofrimi i perspektivës për rrugëtim të qartë evropian të shtetit të Kosovës, duket i pamundur.

Koha.net: Si e shihni vazhdimin e dialogut me Serbinë. Janë shtuar zërat ndërkombëtar që ai të nisë sa më shpejt, në anën tjetër, të hiqet taksa për t’i hapur rrugën vazhdimit të dialogut. Si duhet vepruar Kosova?

Krasniqi: Kosova duhet të shoh interesin e saj në këtë proces të dialogut duke artikuluar qartazi kërkesat e saj dhe duke lobuar për këto kërkesa. Dialogu është e vetmja mënyrë se si palët mund të hapin kapitullin e paqes me njëra-tjetrën, dhe me anë të cilës mund të kenë rrugëtim evropian, duke vepruar në parimet e fqinjësisë së mirë si dy shtete të pavarura dhe sovrane qoftë brenda dimensionit rajonal por dhe atë ndërkombëtar. Prandaj veprimet e palës kosovare duhet të jenë shumë të matura, veprime që dëshmojnë largpamësi, dhe jo vendime ad-hoc afatshkurte të cilat mund të dëmtojnë pozitën e Kosovës.

E kemi parë që çështja e taksës është kthyer në diskutime të brendshme si për goditje politike ashtu dhe për përfitime politike qoftë para elektoratit apo dhe faktorin ndëërkombëtar. Kjo është një çështje që duhet të tejkaloj kalkulimet ditore politike dhe akrobacitë e ndryshme të politikanëve shtetëror, duke dëshmuar që institucionet e Kosovës mund të zhvillojnë politik të koordinuar që dëshmon pjekuri shtetërore, në qendër të së cilës është interesi i shtetit të Kosovës. Nga ana tjetër kosovarët duhet ta potencojnë në vazhdimësi faktin se Serbia ka qenë ajo që ka zhvilluar fushatë të egër kundër Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, duke e imponuar vendosjen e taksës si instrument të domosdoshëm. Kjo edhe në mungesë të reagimit të mirëfilltë ndërkombëtar ndaj sjelljeve të Serbisë si iniciatorja e këtij problemi. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet mbi bazën e mirëbesimit pa kushtëzime nga asnjëra palë.

Koha.net: A mendoni se është hequr nga tavolina e bisedimeve ideja për shkëmbim territoresh?

Krasniqi: Kjo temë tashmë ka dëshmuar qartazi se për çështje të mëdha duhet të ketë një dakordim të gjerë, qoftë të brendshëm por mbi të gjitha dakordim ndërkombëtar – për të qenë realist. Duket që diskutimet rreth idesë së shkëmbimit të territorit janë zbehur, fal kundërshtimit të prerë nga ana e Gjermanisë. Por nga ana tjetër e kemi insistimin e Shteteve të Bashkuara, që të mos ketë vija të kuqe dhe të lejohen palët të gjejnë një zgjidhje të përbashkët. Pra kemi artikulim të më shumë se një mesazhi edhe nga parnerët perëndimor të Kosovës.

Vlen të theksohet se edhe më përmbylljen eventuale të kësaj teme, nuk do të thotë që për Kosovën skenarë të tjerë të cilat mund të cënojnë funksionimin e shtetit të Kosovës nuk do të artikulohen në të ardhmen. Prandaj mbetet mëse e rëndësishme që të ketë një diskutim të mirëfilltë politik dhe shoqëror për pozitën e Kosovës në këto diskutime, duke mos cënuar integritetin territorial të Kosovës, sovranitetin e saj të brendshëm dhe atë ndërkombëtar. Pala kosovare duhet të synojë gjithashtu përgatitjen e duhur profesionale në artikulimin e kësaj pozite të Kosovës e cila duhet të jetë unike.

Koha.net: Po vazhdon lobimi nga Serbia për çnjohje të Kosovës. Në anën tjetër Kosova ka kohë që s’ka marrë njohje të reja. Si e vlerëson këtë fushatë të ashpër nga Serbia karshi Kosovës dhe si e vlerëson qëndrimin e politikanëve kosovarë në këtë aspekt? A janë të mjaftueshme vetëm kundër-reagimet në Facebook?

Krasniqi: Pozita e Kosovës në arenën ndërkombëtare është dëmtuar veçanërisht pas fillimit të fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi të cilin Serbia e ka interpretuar si diskutime rreth statusit të Kosovës. Kjo patjetër që është një gabim i institucioneve të Kosovës dhe disfatë e Kosovës në politikën e jashtme. Patjetër që qëndrimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare është dëmtuar dhe nga mungesa e një diplomacie të mirëfilltë shtetërore dhe mungesë e një strategjie lobuese për avancimin e interesit të Kosovës. Reagimet duhet të shkojnë përtej rrjeteve sociale dhe konsumit të brendshëm ditor. Për diplomacinë kosovare audiencë dhe target duhet të jetë faktori ndërkombëtar, kryeqendrat botërore por dhe secili shtet që e ka njohur Kosovës apo dhe shtet nga i cili Kosova kërkon njohjen i tij, duke përdorur të gjitha mjetet që një shtet ka në dispozicion në promovimin e qëndrimit të tij. Mungesa e kultivimit të raporteve miqësore edhe me shtetet njohëse ka dëmtuar pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, që e kemi parë qartazi edhe në rastin e tentativave të Kosovës për anëtarësim në UNESCO dhe së fundmni në Interpol.

Koha.net: Në fund, flasim edhe për Komisionin e Parlamentit Evropian që ka miratuar raportet individuale për vendet që u përfshinë në këtë proces. Kur flet për Kosovën, përmend ndërhyrjen në sistemin gjyqësor, mungesën për luftë kundër krimit të organizuar dhe mungesë të gjykimeve të krimeve të luftës. Si e patë ju këtë?

Krasniqi: Vlerësoj që Raporti reflekton progresin dhe hapat pas që Kosova ka bërë të procesin e reformeve evropiane, ku zhvillimi i sektorëve të ndryshëm në Kosovë është kualifikuar të jetë në ‘fazë të hershme’. Kjo dëshmon që Kosova ka ende rrugë të gjatë për të bërë në ndërmarrjen e reformave të nevojshme për të zhvilluar demokracinë e saj, reforma që duhet të konsiderohen si qenësore për qytetarët e Kosovës dhe jo si kritere që duhet të përmbushen për BE-në.

Një çështje që vihet re në këtë raport, ka të bëj me taksën e vendosur nga pala kosovare për produktet nga Serbia dhe BeH e cila duket se ka vënë nën hije progresin e bërë nga pala kosovare gjatë vitit të kaluar dhe se arritja e një marrëveshjeje ligjore gjithpërfshirëse në mes Kosovës dhe Serbisë, mbetet prioritet ndër prioritete për BE-në. Ajo çfarë është shqetësuese për qytetarët e Kosovës, përtej mungesës së progresit të shënuar nga institucionet e Kosovës në reformat evropiane, është fakti që ky raport nuk përmend fare faktin që Kosova nuk njihet nga 5 shtete anëtare të BE-së dhe se mungon një strategji e vet Komisionit Evropian për adresimin e kësaj çështjeje e cila drejtpërdrejt pamundëson rrugëtimin e qartë evropian të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme