Arbëri

Shumë fushata të Serbisë kundër Kosovës e pak të Kosovës kundër Serbisë

Në rrjete sociale, të shumta janë fotografitë e kartëmonedhave me mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

U bë bujë edhe më e madhe për të kur fushatës iu bashkua edhe ministri i Jashtëm Serb, Ivica Daçiq, e për të foli edhe presidenti Hashim Thaçi.

KTV-ja ka kontaktuar me nismëtarin e kësaj fushate, Vojin Çuçiq, që tregon se si nisi e gjithë kjo.

“Qëllimin e kishim që të bëhen 1 milion kartëmonedha dhe kur dikush hyn në Google, e sheh se Kosova është Serbi dhe e ka më të qartë se çfarë po ndodh.”

Por, nuk ka vonuar përgjigjja nga Kosova.

Pas thirrjes së Adriatik Kelmendit, gazetar dhe autor i emisionit “Rubikon”, që siç thotë ai, ‘t’ia kthejnë me të njëjtën monedhë” fushatës serbe, shumë fotografi e video të kartëmonedhave janë postuar në rrjete sociale.

Fushatën serbe, Kelmendi e konsideron si dëshpëruese, pasi askush nuk e beson më se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se qëllimisht ka dashur që me “Kosovo is Beautiful” përgjigjja të jetë më pozitive.

Fushata e nisur në Serbi, holandezit Stefan Van Dijk, gazetar dhe konsulent, që tash e disa vite jeton në Kosovë, i duket qesharake.

Atij i ka pëlqyer fushata ‘Kosova is Beautiful’, derisa ka edhe këshilla se si duhet reaguar kur dikush e thotë frazën “Kosova është Serbi”.

Përndryshe, Çuçiq, i pyetur për kundërfushatën, përmes telefonit, ka thënë se do të duhej të ishte më origjinale, por e ka pranuar se në raste të tilla, shqiptarët janë më të bashkuar, pasi përmend se faqja e tyre në instagram është raportuar mbi 5 mijë herë.

Ditë më parë, pas komenteve fyese të kryeministres serbe, Ana Brnabiq, në Kosovë nisi një fushatë po ashtu në rrjete sociale me moton “I porsadalë nga malet”.