Arbëri

Vetëm PS-ja nis fushatën, Rama: Vetëpërmbahemi, por mos luani me zjarrin

E shtuna në Shqipëri është zyrtarisht dita e parë e fushatës zgjedhore për pushtetin vendor.

Partia Socialiste në pushtet është e vetmja që nisi fushatën me një tubim festiv. Ndërsa Partia Demokratike e opozitës po përgatit për një tjetër protestë të dielën, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Partia Socialiste po ecën me vendosmëri drejt zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, ndërsa Partia Demokratike ka dalë nga parlamenti dhe nuk po merr pjesë në këto zgjedhje me kandidatë bashkiakë.

Të dyja palët po mbajnë qëndrime të skajshme, e para, duke thënë se zgjedhjet do të mbahen patjetër, dhe opozita se zgjedhje në 30 qershor nuk do të ketë.

Nga Tirana, socialistët ndezën motorët e fushatës elektorale për t’i çuar shqiptarët drejt kutive të votimit më 30 qershor, pavarësisht bojkotit të opozitës. Në mënyrë simbolike, Erion Veliaj i dhuroi kryesocialistit një bluzë me mbishkrimin “Ram Ik Përpara”.

“Sot nis një maratonë 30-ditore për një betejë politike më të qartë se asnjëherë më parë mes të shkuarës dhe të ardhmes. Kjo që nisim sot nuk është një fushatë zgjedhjesh pa kundërshtarë, por një betejë e madhe, historike me kundërshtarët e zgjedhjeve”, tha Edi Rama.

Mbështetësve socialistë, Edi Rama u tha se nuk është përgjegjësi e tij mosmarrja pjesë e opozitës në zgjedhje.

“Zgjedhjet pa opozitën kryesore janë antidemokratike vetëm në qoftëse opozita pengohej të hynte në zgjedhje, por kur ajo vendos vet që të mos hyjë, zgjedhjet nuk janë aspak jodemokratike. Ata kanë një problem, janë pak. Ne kemi një avantazh, jemi shumë”, shtoi Edi Rama.

Kryesocialisti Rama shpjegoi dallimet e thella mes partisë që drejton dhe PD-së.

“Ata janë dembelë dhe janë të paaftë për të drejtuar, ne jemi punëtorë dhe jemi të përkushtuar në drejtim. Ata prish, ne rregullo. Ata bëj pis, ne pastro. Ata hapin plagë, ne kurojmë. Ata bëjnë pas, ne shty përpara. Ata, përça dhe sundo; ne, mblidh e bashko. Ata fusin njerëzit nëpër piramida dhe zhytin vendin në borxhe, ne lajmë borxhet e tyre dhe rindërtojmë themelet e ekonomisë. Ata me baltë e me zjarr veç për pushtet, ne luftë me mund e me reforma vetëm për të bërë shtet”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Rama ironizoi akuzat e opozitës për partneritetet publike-private.

“Jemi aktualisht duke ‘vjedhur’ në rrugën strategjike Milot-Balldre, të cilën ata e kthyen dhe e vulosën si autostradën e vdekjes. Ne do ta transformojmë në një rrugë europiane të standardit A dhe do të vazhdojmë së bashku me Pierinin (Ndreu)”, vijoi Rama.

Në të gjithë fjalën e tij, Edi Rama nuk ia përmendi emrin Lulzim Bashës, por akuzat për situatën në PD ia faturoi Sali Berishës.

“Kjo është një betejë për t’i dhënë fund çdo iluzioni ringjalljeje një plaku të marrë dhe të marrë fund, që është mësuar të luajë me zjarrin dhe të kërcënojë socialistët. Që e ka djegur Shqipërinë njëherë për së gjalli dhe ka arritur të rikthehet në pushtet duke përfituar nga përçarja jonë në të shkuarën. Që për fatin e keq të këtij vendi kujton ende se na bën dot shantazh me zjarrin e urrejtjes së tij përçarëse dhe me atë pinokun e vogël që ka në krye të partisë së tij”, u shpreh Edi Rama.

Erion Veliaj, që kandidon për një mandat të dytë, u ndal te rëndësia e votës më 30 qershor.

“Ne nuk mund t’iu themi fëmijëve tanë se Shqipëria nuk do të qeveriset, se nuk do të ketë zgjedhje, se do të bllokohet sepse një grup fëmijësh të parritur nuk janë gati të vijnë në betejë. Kjo është betejë për fëmijët tanë, nuk është betejë për partitë. Ndaj miqtë e mi, në datën 30 qershor duhet të fitojë Shqipëria, Tirana, Shkodra, Tropoja, Kamza dhe fëmijët e Shqipërisë kudo që janë”, deklaroi Erion Veliaj.