LDK: Raporti i Progresit tregon stagnimin e Kosovës drejt integrimit evropian Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

LDK-ja s’e merr seriozisht idenë e Thaçit për bashkim me Shqipërinë

Dardane Neziri Dardane Neziri 31 May 2019 10:51
11:00

Deputetët e LDK-së, Armend Zemaj dhe Vjosa Osmani kanë mbajtur sot një konferenca për media, me ç’rast kanë folur për Raprtin e Progresit, mocionin e mosbesimit dhe idenë e Thaçit për bashkim me Shqipërinë.

Sa i përket idesë së presidentit Hashim Thaçi, për bashkim me Shqipërinë, Osmani ka thënë se si LDK nuk e marrin seriozisht asnjë ide të tij, transmeton Koha Ditore.

“Këtë ai po e bën sa për të mbuluar pjesën e idesë për shkëmbim territoresh me Serbinë. Le të merret ai njëherë me ‘patatet’ që bllokohen në kufi me Shqipërinë”, ka thënë ajo.

Ndërsa lidhur me mbledhjen e nënshkrimeve për rrëzimin e Qeverisë, Osmani ka thënë se deri më tani i kanë mbledhur 58 nënshkrime dhe se gjatë këtyre ditëve do t’i konfirmojnë nënshkrimet, të cilat i kanë mbledhur.

Poashtu, ka thënë se target i kanë deputetët e pushtetit për t’i bërë 61 nënshkrime.

“Deputetë të pushtetit, të cilët kanë shqetësime rreth kësaj qeverisje. Sa i përket votave të Listës Serbe, ne nuk do të llogarisim në votat e tyre, por gjatë votimit ne nuk mund t’i kontrollojmë deputetët se si votojnë”, ka thënë ajo.

10:51

LDK: Raporti i Progresit tregon stagnimin e Kosovës drejt integrimit evropian

Gjatë konferencës për media të thirrur nga LDK-ja, deputeti i saj, Armend Zemaj, ka komentuar Raportin e Progresit të BE-së karshi Kosovës.

Ka thënë se ky raport ka dëshmuar se ka munguar vullneti politik i koalicionit qeverisës për avancim në rrugën e integrimit evropian, raporton Koha Ditore.

“Sundimi i ligjit vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, kemi qeverisje të stërngarkuar me zëvendësministra, e ministra nën akuzë. Shqetësuese për ne është moszbatimi i programit të MSA-së, ku mbi 70% e tij ka mbetur pa u zbatuar. Kjo është shkak edhe i lojërave që po luhen në Kuvend nga ky koalicion”, ka thënë ai.

Zemaj ka shtuar se kjo tregon për papërgjegjësi politike dhe “përmbushje e egos personale sa për të qenë në pushtet”.

Pas tij fjalën e ka marre deputetja tjetër e LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo ka thënë se kjo qeveri, jo veç që nuk ka dëshmuar orientimin properëndimor dhe evropian, por reformat në rrugën evropiane janë stagnuar.

“Shihet qe nuk janë vënë hapa esencialë për anëtarësim në BE. Është thënë se korrupsioni është i lidhur me nivelin e lartë qeverisës. Është konstatuar se ka shpresa shume të vogla në sundim të ligjit përderisa Kosova ka një elitë politike që nuk bën presion për luftimin e dukurive negative”, ka thënë ajo.

Osmani ka thënë se Kosova ka dështuar në procesin e njohjeve dhe në diplomacinë e jashtme, në përgjithësi.

“Ka përfaqësues të vendit tonë që e kanë vendosur statusin e Kosovës në tavolinë duke kontestuar kufijtë e shtetit”, ka shtuar ajo.

Në fund, Osmani ka thënë se Kosovës i duhet ndryshim dhe logjikë e re qeverisëse, që “nuk e konsideron buxhetin si pronë private”.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme