Arbëri

Basha: Negociatat nuk hapen, Rama e di

Kreu i PD-së në Shqipëri, Lulzim Basha ishte në Fier ku zhvilloi një takim me qytetarët atje.

Basha u tha qytetarëve se “Ramën e kanë njoftuar se Këshilli Evropian në qershor do votojë për mos hapjen e negociatave” dhe se sipas tij ky “është një lajm ndëshkimi për çdo shqiptar, ndëshkim i pamerituar që ka një fajtor, një emër, Edi Ramën dhe qeverinë e tij antievropiane”.

“Edi Rama e ka frikë hapjen e negociatave sepse e di fare mirë se çka ndodhur në ato vende ku janë hapur negociatat. Se të parët që kanë shkuar para drejtësisë kanë qenë pushtetarët që kanë abuzuar me pushtetin”, shtoi ai, transmeton TCH.

Sipas tij, Rama duhet të largohet nga pushteti për t’i hapur rrugë zgjidhjes politike.

“Nuk ka vend që i hapen negociatat në BE pa zgjedhje të lira. Nuk ka vend në BE që i hapen negociatat me shitblerje votash me krimin. Largimi i Edi Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira dhe të ndershme, janë rruga jonë drejt Bashkimit Evropian”, është shprehur ai.