Arbëri

Qeveria e kyç Ferizajn e Vitinë në autostradë, pa procedurë dhe në negocim direkt me “Bechtelin...”

Qeveria ka vendosur të bëjë një ndërhyrje në autostradën “Arbën Xhaferi”, vetëm një ditë para se ajo të lëshohet për qarkullim.

Deri në fund të vitit 2020, asaj do t’i shtohen edhe dy kyçje, në Ferizaj dhe Viti, si dhe një mbikalim në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit, raporton KTV.

Për këtë punë shtesë, do të shmangen procedurat e prokurimit dhe ajo do të negociohet direkt me “Bechtel Enkan”.

Propozimi është përkrahur nga kabineti qeveritar, derisa kryeministri Ramush Haradinaj, tha se ende nuk e di sa mund të kushtojnë punimet.

Ai e ka përmendur një tjetër autostradë, atë me Shqipërinë, të njohur si Rruga e Kombit, kur është pyetur për deklaratat e presidentit Thaçi për bashkim të trojeve.

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik, sipas Haradinajt, është nevojë e kohës.

Presidenti Thaçi, pas deklaratave për korrigjim kufijsh dhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovë, ka nisur me deklaratat e tjera, ato për heqjen e kufijve dhe bashkimin me Shqipërinë.