Më 27 prill 1999, forcat serbe ndalën edhe dy djemtë e Pashke Markut, Milanin 35 dhe Gjovalinin 36 vjeç. Atë ditë Nana Pashke me pjesën tjetër të familjes në kolonën e të dëbuarve u ndoqën në Shqipëri. Milanit një oficer i kishte rënë plumb në ballë. Drejt të vëllait kishte mësy Gjovalini, por atë e kishin ndalur më një rafal automatiku…
Në fillim të korrikut 1999 familja e Pashke Markut u kthye në Kosovë.
Nana Pashke i kërkoi gjithandej djemtë e saj. Një ditë e çuan në Rahovec, ku silleshin mbetjet mortore nga varrezat masive nëpër Serbi. Ua njohu teshat e trupit. Ua preku gjymtyrët nën tesha, por pati përshtypjen se kishte mbetur vetëm shkrumbi i tyre.
Prej atë ditë i shkoi mendja se mund t’ia kenë djegur djemtë, prandaj i lindi ideja se duhet të digjej edhe ajo.
Një ditë i shpëtoi një fjalë: O kanë mirë me shku e me u djegë para Kuvendit të Kosovës.
Më 26 maj 2003, Nana Pashke veshi teshat më të mirat që i kishte, e mori një kantë me benzinë dhe u nis për në botën tjetër. Shkoi te varret e djemve. Pastaj u kthye, e u ndal afër rrugës. Ishte tamam midisi i largësisë që ndante varret e djemve dhe shtëpinë e familjes. U lye me benzinë dhe ia vuri flakën vetes.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)