Bytyqi: Kemi përqindje të ulët të njohjes së matematikës në shkolla

Bytyqi: Kemi përqindje të ulët të njohjes së matematikës në shkolla

25 May 2019 16:11

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi duke përmendur rolin e matematikës në shoqëri, ka thënë se ka një përqindje të ulët të njohjes së matematikës në Kosovë.

Sipas tij, ka suksese individuale por jo të përgjithshme. Për këtë ai tha se duhet një përkushtim më i madh në përmirësimin e sistemit arsimor.

Këto deklarata, ministri i tha gjatë ceremonisë së ndarjes së certifikatave të suksesit dhe medaljet për më të suksesshmit të garës së matematikës, “Kangaroo 2019” që është mbajtur në Kosovë.

“Përveç që kanë identifikuar suksesin dhe talentin, në përqindjen më të madhe kemi njohje të ulët të matematikës në shkollat tona. Pra, nuk arrijmë suksesin e përgjithshëm. Kemi një sukses të dalluar individual, por jo suksesin çfarë duhet të kemi në shkollat tona. Kjo na bën që të përkushtohemi më shumë në përmirësimin e sistemit arsimor”, tha ministri Bytyqi.

Ndërkaq, drejtori i Institutit Atom, Jusuf Thaçi, tha se përmes kësaj gare po tentojnë të promovojnë vlerën e matematikës në Kosovë, me qëllim që të identifikohen talentet në këtë fushë.

“Instituti Atomi synon me popullarizuar matematikën në Kosovë me promovuar rëndësinë dhe vlerën e saj. Po të njëjtën kohë dhe me shfrytëzu si një mekanizëm për me identifiku që pastaj dhe me përkrah me mundësitë që i kemi ata talent të matematikës të cilët i kemi sot prezent”, u shpreh Thaçi.

Përfaqësuesi i autorizuar për garën e matematikës Kangoroo në Kosovë, Valmir Krasniqi tha se me anë të kësaj gare po synojnë të ngritin një vetëdijesim më të madh në shoqëri për matematikën.

Në fund për gjithë nxënësit që kanë dal fitues u ndan certifikata dhe medalje suksesi./KsP/

Komentet

Shto koment

Të ngjashme