Për arratisjen e të burgosurit nga QKUK-ja, SHKK-ja fajëson spitalin

Shahadije Bikliqi-Dragaçina Shahadije Bikliqi-Dragaçina 24 May 2019 20:09

Në mungesë të dhomave të sigurisë, të burgosurit dhe të paraburgosurit ende trajtohen nëpër klinika të QKUK-së, bashkë me pacientë të tjerë.

Por, kjo u ka ndihmuar disave prej tyre, të cilët në momentin e ardhjes nga burgu për trajtim shëndetësor, me lehtësi janë arratisur nga këto hapësira, raporton KTV.

Për këtë rast, përgjegjësi do të japin dy gardianët të cilët ishin të angazhuar në kohën e arratisjes së këtij të paraburgosuri.

Zëvendësdrejtori i SHKK-së, Rasim Selmani, thotë se përgjegjësinë për sigurimin e këtyre dhomave e ka menaxhmenti i QKUK-së, i cili ende nuk ka ndërmarrë hapa në këtë drejtim dhe si rezultat i kësaj, po ndodh arratisja e të burgosurve.

Në QKUK nuk kanë pranuar të flasin për këtë çështje, por në një përgjigje me shkrim kanë thënë se ky institucion nuk e ka për obligim t’i ruajë të burgosurit.

Sipas tyre, sigurimi i të burgosurve kur shtrihen në spital për trajtim, është përgjegjësi e gardianëve.

“QKUK ju njofton se Shërbimi Korrektues i ka punëtorët e sigurimit (gardianët) që kujdesen për sigurinë e të burgosurve, edhe pse janë shtrirë në QKUK. Pra, është përgjegjësi e gardianëve t’i ruajnë të burgosurit që janë të shtrirë në klinikat e QKUK-së”, ka thënë Shpend Fazliu, zëdhënës i QKUK-së.

Sidoqoftë, tashmë është formuar komisioni me përfaqësues nga QKUK-ja, Shërbimi Korrektues dhe përfaqësues nga Departamenti Shëndetësor i Burgjeve, që pritet të bëjnë zgjidhje për sigurimin e këtyre dhomave.

I mbetet vetëm QKUK-së që t’i sigurojë hapësirat nëpër klinika të ndryshme, ndërsa Shërbimi Korrektues i siguron ato me pajisje të nevojshme, sikurse kamerat dhe vendosja e grilave në dyert e atyre dhomave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme