Ka tre vjet që Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.
Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.
Ditë më parë, Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka theksuar se vendimet e Kushtetueses janë përfundimtare dhe duhet të zbatohen. Përmes një njoftimi, Apostolova ka kërkuar nga institucionet e të gjitha niveleve që ta zbatojnë vendimin e Kushtetueses dhe të mbështesin sundimin e ligjit.
“BE-ja shpreh shqetësim të thellë për mungesën e zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 19 majit 2016 mbi çështjen e mosmarrëveshjes së tokës në Deçan dhe të tjerave që ndikojnë në pronat e anëtarëve të komuniteteve jo-shumicë".
“Vendimet nga autoriteti më i lartë ligjor i Kosovës, janë përfundimtare dhe duhet të zbatohen pa vonesa të mëtejshme. BE-ja u bën thirrje autoriteteve në të gjitha nivelet që të mbështesin fuqishëm sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik”, ka shkruar Apostolova.
Mirëpo, Komuna e udhëhequr nga partia e kryeministrit Ramush Haradinaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk e ka ndërmend ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i kësaj komune Bashkim Ramosaj, tha se nuk do ta zbatojë këtë vendim edhe nëse kjo do t’i kushtojë me postin e kryetarit. Ramosaj theksoi se vendimi i Kushtetueses është një goditje për zhvillimin ekonomik të komunës së Deçanit, dhe se ai vendim, sipas tij, po e vret shpresën e qytetarëve të kësaj komune, duke i penguar të shfrytëzojnë resurset dhe potencialet që ka Deçani.