Basha: Edhe mua më është prezantuar nga Serbia ideja e ndryshimit të kufijve të Kosovës Foto: Reuters

Basha: Edhe mua më është prezantuar nga Serbia ideja e ndryshimit të kufijve të Kosovës

17 May 2019 23:08

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ka deklaruar për herë të parë se edhe atij kur ishte ministër i Jashtëm i ishte propozuar nga Serbia ndryshimi i kufijve.

Basha tha gjithashtu se këto ide të Ivica Daçiqit nuk ia kishte marrë mendja se do t’i dëgjonte si ide origjinale nga goja e Edi Ramës dhe e Hashim Thaçit.

“Në lidhje me historinë e hapjes sërish të diskutimit të kufijve. Një miku ynë i përbashkët, ish-Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, tha para pak ditësh se çdo ministri të Jashtëm i është propozuar ndryshimi i kufijve të Kosovës. S’e kam thënë më parë, por po e them tani nga Londra: Po, po. Edhe mua më është propozuar. Kanë ardhur, në atë kohë, autoritetet serbe dhe më kanë paraqitur idenë e ndryshimit të kufijve të Kosovës. Këtë e di unë, e di udhëheqja aktuale e Kosovës, se i kam informuar, e dinë partnerët tanë nga Uashingtoni në Londër, nga Brukseli në Berlin. Ju thash më parë që jam i tmerruar nga papërgjegjësia totale, me të cilën ata mendojnë se mund të rikthejnë kohën e Millosheviqit apo kohën e luftërave të periudhës së Kongresit të Berlinit. Këta mendojnë akoma si të jenë në shekullin e 19-të. Po kurrë nuk ma kishte marrë mendja se idetë që do të dëgjoja nga goja e Vuk Jeremiqit dhe Ivica Daçiqit, do t’i dëgjoja më vonë si ide origjinale nga goja e Edi Ramës dhe e Hashim Thaçit. Këtë nuk ma kishte marrë mendja kurrë”, tha Basha, raporton TopChannel.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme