Arbëri

MPMS-ja thotë se deri në fund të vitit do të shtojë edhe 20 inspektorë të punës

Descriptive Text

Mos respektimi i të drejtave të punëtorëve dhe mos ofrimi i kushteve të sigurta për punë, është bërë fenomen shqetësues në Kosovë.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, sipas zëvendësministrit Besnik Berisha, është angazhuar së fundmi në lehtësimin e një dialogu social në mes të punëdhënësve dhe punëmarrësve, në mënyrë që të informohen dhe vetëdijesohen për rëndësinë që ka marrja e masave të domosdoshme për siguri dhe shëndet në punë.

Këto deklarime, Berisha i ka bërë të mërkurën në panelin e diskutimit me temën “Rëndësia e sigurisë në punë”, në Kinemanë Lumbardhi në Prizren, nën organizimin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Ministrisë së Integrimit Evropian, transmeton Koha.net.

Synohet rritja e numrit të inspektimeve dhe fuqizimi i këtij institucioni.

“Është zotim i yni që brenda këtij viti të rrisim numrin e inspektorëve dhe besoj se deri në fund të vitit do t’i kemi edhe 20 inspektorë të rinj”, është shprehur Berisha.

Në anën tjetër, Libor Chlad, zëvendësshef për Bashkëpunim në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka deklaruar se situata e sigurisë në punë në Kosovë mbetet ende e panjohur.

“E panjohur, pasi nuk ka regjistrim të strukturuar të aksidenteve në punë dhe ekziston një nevojë urgjente për të zhvilluar një sistem të bazuar në akte ligjore për të regjistruar të gjithë aksidentet në punë me 3 dhe më shumë ditë pune të humbura siç bëhet në të gjitha vendet e BE-së, sipas Metodologjisë së Statistikave Evropiane për Aksidentet në Punë (ESAW)”, është shprehur Chlad.

Në katër muajt e parë të këtij viti, 4 punëtorë kanë humbur jetën dhe mbi 25 të tjerë kanë pësuar lëndime në vendet e tyre të punës.

Sipas zëvendëskryeinspektorit të Inspektoratit të Punës në Kosovë, Agim Millaku, është në të mirën e punëmarrësve që të marrin masat adekuate për t’i mbrojtur punëtorët e tyre.

“Në rast të ndonjë aksidenti, dëmet janë shumë më të mëdha për punëdhënësin sesa kursimi që ka tentuar ta bëjë duke mos i blerë pajisjet e nevojshme për mbrojtje të punëtorëve”, është shprehur Millaku në Ferizaj, në tryezën e rrumbullakët me temën “Rëndësia e sigurisë në punë”.

Eksperti për Siguri dhe Shëndet në Punë, Bekim Doli, i certifikuar edhe nga Inspektorati i Punës, ka shpjeguar në detaje para ndërtuesve në Prizren, për masat që duhet të marrin në vendpunishte. “Ndërtimi është aktivitet ku lëndimet janë të shpeshta dhe të përditshme, dhe numri i tyre është gjithnjë e më i lart. Ndërtimtaria prin si sektori me numrin më të madh të lëndimeve dhe vdekjeve në punë si pasojë e pasigurisë, që vjen kryesisht nga mungesa e trajnimit të punëtorëve dhe nga mosrespektimi i rregullave bazë të sigurisë në punë”, ka thënë Doli.

Ky panel diskutimi është organizuar në kuadër të projektit “Përkrahje për komunikim në procesin e integrimit evropian”, që financohet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ,në bashkëpunim me Ministrinë e Integrimit Evropian.