Të enjten Kuvendi debaton për themelimin e Gjykatës për krimet serbe në Kosovë

Të enjten Kuvendi debaton për themelimin e Gjykatës për krimet serbe në Kosovë

Dardane Neziri Dardane Neziri 13 May 2019 12:14

Të enjten është caktuar të mbahet seanca plenare për jetësimin e procedurave të ardhshme për formimin e Tribunalit Ndërkombëtarë për krime serbe në Kosovë.

Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka thënë se në seancën plenare që do të mbahet të enjten, pikë e rendit te ditës do të jete votimi i Rezolutës për gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë, raporton Koha Ditore.

Sipas tij, për këtë pikë kanë rënë dakord të gjithë brenda mbledhjes së Kryesisë.

Ndërkaq, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu, pas kësaj mbledhje ka folur rreth seancës së jashtëzakonshme që do të mbahet nesër rreth gjendjes në Telekom.

Ajo ka thënë se kjo ndërmarrje është buzë kolapsit për fajin e njerëzve të pushtetit.

Haxhiu është pyetur edhe rreth arrestimit te deputetit të PSD-së, Dardan Molliqaj, nëse do të kërkojnë lirimin e ish-partiakut të tyre.

“Mendoj se kjo nuk ishte temë diskutimi gjatë mbledhjes së Kryesisë dhe s’kam çfarë të shtoj për këtë çështje”, ka shtuar ajo, duke refuzuar që të përgjigjet.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme