Arbëri

Thaçi fton Pendarovskin për vizitë zyrtare në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, mori pjesë në inaugurimin e presidentit të ri të Maqedonisë Veriore, derisa ka njoftuar se e ka ftuar për vizitë zyrtare në Kosovë

Ai pasi e ka uruar për detyrën e re presidentin Pendarovski, e ka ftuar atë që të punojnë së bashku për thellimin e bashkëpunimit rajonal.

“Presidentit të zgjedhur të Maqedonisë Veriore dhe qytetarëve të Maqedonisë Veriore ua uroj marrjen e detyrës së presidentit edhe formalisht. Mirëpres bashkëpunimin drejt integrimit euroatlantik të vendeve tona”, u shpreh ai, transmeton Koha.net.

Në ceremoninë e inaugurimit, Thaçi takoi edhe presidentin Ilir Meta të Shqipërisë, presidentin Rumen Radev të Bullgarisë, presidentin Aleksandar Vuçiq të Serbisë dhe zyrtarë të lartë të shteteve tjera që morën pjesë në pritjen e organizuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë Veriore.

Në të gjitha këto takime u theksua nevoja për marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim ndërfqinjësor për të përshpejtuar integrimin e tërë rajonit në Bashkimin Evropian.