O’Connell: Ka ardhur koha që qytetarët t’i ndalojnë politikanët Foto: Koha

O’Connell: Ka ardhur koha që qytetarët t’i ndalojnë politikanët

Edona Kutleshi Edona Kutleshi 08 May 2019 12:32

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O'Connell, në forumin “Fol Hapur” të Lëvizjes Fol, ka thënë se ka ardhur koha që të ngrihet zëri qytetar ndaj korrupsionit në Kosovë.

Sipas tij, kjo nuk do të thotë se po bën thirrje për protesta por për vetëdijesim të qytetarëve. Kjo pasi, siç është shprehur ambasadori britanik, e vetmja mënyrë për të detyruar politikanët të marrim masa ndaj kësaj gjendjeje është presioni qytetar.

Ai ka thënë se Kosova do të gjykohet jashtë vendit për shkak të sjelljeve të Qeverisë por edhe nëse qytetarët e pranojnë këtë sjellje të Qeverisë. Kjo sipas tij, ndikon në politikë, në investim e turizëm.

Problemet e tilla ka thënë se nuk mund t’i rregullojnë të huajt por vet qytetarët e atij shtetit.

“Ne nuk kemi të drejtë vote, nuk jemi pjesë e shoqërisë, jemi vetëm miqtë e Kosovës. Duhet të dëgjoi miqtë kur themi se ka ardhur koha të rregulloni këto probleme sepse nuk ka më durim. Kosova ka nevojë për përkrahjen e përditshme të Bashkësisë Ndërkombëtare dhe nëse kjo përkrahje humb do të ishte një problem jetik për Kosovën”, ka theksuar ai, raporton “Koha Ditore”.

Sipas tij, për ta është e papranueshme që në dy vitet e fundit askush në Kosovë nuk është dënuar për korrupsion për rastet e krimeve të mesme dhe të larta.

“20 vjet pas luftës kemi ardhur në momentin që duhet të merren masa konkrete për të pasur rezultate”, ka theksuar ai.

Ai ka folur edhe për çështjen e rekrutimeve në pozita të ndryshme, duke thënë se në disa raste nuk janë marrë parasysh rekomandimet e ambasadës Britanike.

“Disa herë janë injoruar rekomandimet e disa herë jo, ne do të vazhdojmë ta monitorojmë këtë proces, nëse ka mohime flagrante të rekomandimeve duhet të vendosim të shpenzojmë para ose jo”, ka shtuar ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Xhavit09/05/2019 13:47

Zoti O'Conell, politikanët e Kosovës vetëm ju (bashkësia ndërkombëtare) mund t'i ndaloni. Ju i keni bërë ata të tillë, ju i keni sjellë dhe ju i mbani në pushtet ata. Ndaj, po të doni, jeni vetëm ju ata që mund t'i ndaloni këta politikanë kanibalistë sepse i keni në dorë. Popullit të shkretë ua keni marrë edhe forcën, edhe dinjitetin, edhe besimin, edhe shpresën!

Armendi09/05/2019 13:48

Zoti ambasador, qytetari kosovar nuk eshte qytetar anglez,francez apo gjerman. Po te ishim te tille nuk do te ishim tkurrur historikisht ne territor. Vetem te shqiptaret udheheqesit politik lene pasoja qindra vjeqare te qytetaret. Ne shtetet me popullsi te emancipuar lideret politik nderrohen brenda nate duke dhene doreheqje. Te ne populli jep doreheqje para klaneve politike duke ikur ne shtetet e jashtme. Keta jemi ne.

Shto koment

Të ngjashme