Rreth 20 persona janë propozuar për të dëshmuar në Komisionin parlamentar për hetim në PTK dhe Vala. Aty përfshihet edhe Hashim Thaçi, i cili ishte kryeministër kur u lidhën disa nga kontratat kryesore në këtë ndërmarrje. Në mbledhje, gjithashtu, u ngrit shqetësimi lidhur me kërcënimet që, siç u tha, janë bërë nga Blerim Devolli dhe ‘Z-Mobile’, për zbatimin e vendimit për ekzekutimin e 26 milionë eurove.
Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, i prijnë listës së personave të cilët pritet të intervistohen gjatë javëve në vazhdim nga Komisioni hetimor parlamentar, në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, raporton KTV.
Në mbledhjen e së martës, ky komision ka shqyrtuar dhe miratuar listën e dëshmitarëve që do të dëgjohen.
Në këtë listë janë të përfshirë ministra, ish-ministra, ish-krerët e Bordit të PTK dhe anëtarët e tanishëm të këtij bordi, përfshirë edhe Osman Ejupin, i cili ishte dorëhequr pas raportimeve të KTV-së për punësimin e fëmijëve të tij në këtë ndërmarrje publike.
Në mbledhje, Albulena Haxhiu nga Vetëvendosje, ngriti shqetësimin për kërcënimet e fundit, siç tha ajo, nga Blerim Devolli dhe ‘Z-mobile’, për zbatimin e vendimit të Arbitrazhit, me të cilin parashihet që Telekomi t’ia paguajë Z-Mobile-it rreth 26 milionë euro.
Por, ky propozim u kërkua që të kalojë përmes Zyrës Ligjore të Kuvendit. Derisa u kërkua edhe një seancë e jashtëzakonshme për këtë çështje.
Ndërsa deputeti Bekim Haxhiu, ka theksuar se duhet të nxirret i gjithë procesverbali gjatë nënshkrimit të kontratës me Z-Mobile-in, e pastaj të bëhet intervistimi i dëshmitarëve. Ky komision ishte formuar për ta hetuar gjendjen e rëndë financiare në Telekom dhe Vala.