Arbëri

Kryeziu: LDK dhe VV duhet të jenë pjesë e dialogut me Serbinë

Descriptive Text

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu vlerëson se është shumë e rëndësishme që Lidhja Demokratike e Kosovës t’i bashkohet grupit negociator për dialogun me Serbinë.

Sipas tij, LDK dhe Vetëvendosje duhet të gjejnë mënyrën dhe fuqinë për të qenë pjesë e ekipit dhe dialogut.

Kryeziu, thotë se me tërheqjen e kryeministrin Haradinaj nga pjesëmarrja në dialog dhe me debatin e presidentit për korrigjimin e kufijve, klasa politike e ka kthyer vëmendjen të kjo çështje dhe është formuar grupi negociator i cili i ka marrë votat e Kuvendit të Kosovës.

“Është shumë e rëndësishme për dialogun që pjesë e këtij grupi të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, normalisht edhe Vetëvendosje. Kërkesat tona gjithmonë kanë qenë që debati dhe fuqia t’i kthehet Kuvendit si vendimmarrje për këtë proces, në kërkim të llogaridhënies nga ana e saj. Tani e kemi kthyer në Kuvend, gjithsesi LDK dhe Vetëvendosje nuk janë pajtuar me këtë format dhe me këtë formë, mënyrë të qasjes. Qeveria e ka shumicën, dhe qeveria mund ta përfaqësojë Kosovën pa opozitën, normalisht që kemi me pas një nevojë kur marrëveshja përfundimtare duhet ta ketë shumicën në Parlamentin e Kosovës, dhe kjo shpeshherë ka qenë kërkesa e opozitës që të vazhdojë qeveria”, thotë ai.

Kryeziu konsideron që Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të jenë pjesë e ekipit.

“Opozita duhet të gjejë mënyrën dhe fuqinë për të qenë pjesë e këtij grupi dhe për t’u futur në dialogun me Serbinë, i cili adresuar edhe në letrën që e ka bërë presidenti Trump dhe zhvillimet tjera, ndoshta do ta kishte si pikë përfundimtare vitin 2019, nëse do të mundnim ta përmbyllnim do të kishte qenë më mirë për qytetarët e Kosovës, për rajonin dhe për shërbimet politike të brendshme gjithsesi”, thotë ai./KosovaPress/