Në prezantimin e detyrave të qeverisë kalimtare, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, tha se nuk do të lejojë zgjedhje pa opozitën dhe as diktim të tyre nga bandat kriminale. I bindur se zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë, Basha tha se ka ardhur koha që vota e shqiptarëve të lexohet drejt. Gjatë fjalës së tij kreu demokrat Lulzim Basha u shpreh se: “Me sistemin elektoral, proporcional rajonal, parlament me 100 deputetë, sistem me dy dhoma, senat, mazhoritar i pastër janë disa nga idetë. Zgjedhje me Ramën nuk do të ketë as zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë. Zgjedhjet do të mbahen pasi të ndëshkohen hajdutët e votave të vitit 2017”.
Vëzhgim krahasues midis platformës së Partisë Zgjidhja dhe Partisë Demokratike
Nga një vështrim i shkurtër i platformave të paraqitura dje nga ana e Partisë Demokratike, pikat në të cilat Partia Demokratike me Zgjidhjen, ka të bëjë më zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Përafrimi është si më poshtë:
Platforma e PD
“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i legjitimitetit të Parlamentit, Qeverisë dhe Pushtetit Vendor.
Zgjedhjet pa standarde dhe të manipuluara hedhin në erë bashkëjetesën demokratike dhe stabilitetin; vullneti politik është parakusht për zgjedhje të lira e të ndershme; legjislacioni nuk mund të zëvendësojë vullnetin e munguar politik; vullneti politik është rekomandimi i parë i çdo raporti të ODIHR-it; një qeveri që nuk ka vullnet për zgjedhje të lira, përbën rrezik për stabilitetin demokratik; pavarësisht nevojës për reformë zgjedhore, problemet më madhore në mbarëvajtjen e zgjedhjeve nuk kanë nevojë për ndryshime në Kodin Zgjedhor; këto probleme janë çështje të qeverisjes së përditshme, pra, kërkojnë vetëm vullnetin politik dhe përgjegjshmërinë e qeverisë; në rast nevoje për legjislacion, nevojitet vetëm shumicë e thjeshtë, akte të Këshillit të Ministrave apo të ministrave përgjegjës; përfshirja e krimit të organizuar në bashkëpunim me qeverinë në shitblerjen e votës dhe presioni mbi zgjedhësit; presioni mbi administratën dhe abuzimi me burimet shtetërore; Identifikimi i besueshëm i zgjedhësve; lista e zgjedhësve dhe sistemi i adresave; votimi fiktiv i emigrantëve; roli i policisë në zgjedhje; për herë të parë, ODIHR-i bëri rekomandim për shitblerjen e votës në zgjedhjet 2015”.
Pakti Kombëtar i partisë “Zgjidhja”
“Të demokratizohen dhe depolitizohen zgjedhjet, me një KQZ dhe administratë zgjedhore të depolitizuar e tërësisht të pavarur, me një proces e ligj zgjedhor që garanton barazinë, ndershmërinë dhe lirinë e plotë të konkurrencës mes partive dhe individëve, duke eliminuar favorizimin e partive të vjetra dhe diskriminimin e partive të reja; votat duhet të ketë të njëjtën peshë për çdo subjekt apo individ dhe të numërohen në Qendrat e Votimit. Kutitë e votimit të mos transportohen të pa numëruara; të përfshihet teknologjia minimalisht për identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe për numërimin elektronik të votës në QV; emigrantët duhet që të kenë mundësinë të votojnë në konsullatat dhe ambasadat tona në botë, por jo në distancë; të mandatohet një qeveri teknike me bazë të gjerë për 12 muajt e ardhshëm. Ajo duhet të përgatisë dhe implementojë Reformën Kushtetuese dhe Reformën Zgjedhore. Largimi i Edi Ramës si kryeministër mbetet një kërkesë, por nuk është një kusht për këtë pakt”/Shekulli.