Arbëri

Sot shënohet Dita e Punëtorëve, protesta në Prishtinë dhe Han Elez

Foto: Alban Bujari / Koha / arkiv

Sot me rastin e Ditë së Punëtorëve, 1 Majit, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë prej orës 11:00 do të mbahet protestë e organizuar nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) me kërkesat për Marrëveshjen Kolektive, për rritje të pagës minimale, për skema pensionale si dhe për sigurime shëndetësore.

Në këtë protestë kanë konfirmuar se do të marrin pjesë edhe punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), por me kërkesa të veçanta, që punëtorët e KEK-ut mos të janë të përfshirë në ligjin për paga, të aprovohet Marrëveshja Kolektive, njohja e përvojës së punës gjatë viteve 90-99 dhe njohja e sëmundjes profesionale më ligj që merren në vend të punës, shkruan ksp.

Po ashtu për Ditën Ndërkombëtare të Punës, protestë do të mbahet edhe në Han të Elezit nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve dhe Shoqërisë Aksionare të katër fabrikave aksionare të Kombinatit “Sharri”.

Kryetari i BSPK-së Avni Ajdini thotë se në protestën e 1 Majit, do të adresohen dhe kërkesat për sigurinë dhe shëndetin në punë, ngaqë në vazhdimësi është duke u rritur numri i viktimave në vendin e punës. Ajdini thotë se sektori privat është një problem serioz dhe qeveria me inspektoratin e saj duhet të angazhohen me seriozitet të lartë rreth kësaj çështje.

Kryetari i BSPK-së ka kërkuar nga punëtorët që të marrin pjesë në protestën njëorëshe dhe pastaj të festojnë në Gërmi dhe në vendet bregdetare.

Po ashtu më 1 Maj në ditën e punëtorëve Kuvendi i Këshillit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve dhe Shoqërisë Aksionare të Kombinatit “Sharri”, ka paralajmëruar protestë duke filluar prej orës 12:00 para portës së çimentores në Han të Elezit, me qëllim që të kundërshtohet forma e privatizimit ilegal që i është bërë kësaj ndërmarrje.

Përfaqësuesi më i lartë i katër kompanive “Çimento”, “Salloniti”, “Lepenci” dhe “Silcapori”, Xheladin Laçi iu ka bërë thirrje të gjithë punëtorëve të kombinatit “Sharri” që masovikisht t’i përgjigjen kësaj proteste.

Sipas tij, ish AKM-ja, tani AKP-ja dhe Agjencioni i Lartë i Likuidimi po i mbanë peng këto katër njësi të kombinatit “Sharri”.

Laçi tha se kërkesa e vetme është që kombinatit “Sharri”, t’i kthehet statuti si shoqëri aksionare dhe 1 mijë e 100 punëtorë të larguar me dhunë në formë kolektive në vitin 2010, t’i kthehen punës.

Nënkryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës (SR-KEK), Nexhat Llumnica thotë për Kosovapress se kërkesë kryesore e tyre është që Korporata Energjetike e Kosovës përkatësisht punëtorët e KEK-ut mos të janë në ligjin për paga, të aprovohet Marrëveshja Kolektive, njohja e përvojës së punës 90-99 dhe Njohja e sëmundjes profesionale më ligj që merren në vend të punës.

“Ne nuk do të protestojmë në Obiliq, por kemi protestë së bashku me BSPK-në, mirëpo secila degë kemi kërkesat e veçanta. Pra, prej orës 11:00 më 1 maj ftoj jo vetëm punëtorët e KEK-ut, por të gjithë qytetarët e pa punë dhe punëtorët të shprehim pa kënaqësinë tonë lidhur më drejtat e punëtorëve në Kosovë”, thotë Llumnica.

Ndërsa, këshilltari i kryeministrit, Haki Shatri thotë se është e drejtë e punëtorëve të protestojnë dhe të dalin me kërkesat e tyre të cilat pastaj do të shqyrtohen nga Qeveria.

Shatri thotë se çështja e punësimit dhe problemeve sociale, dhe të gjitha çështjet që lidhen me mirëqenien ose rritjen e mirëqenies të popullsisë, do të trajtohen në kuadër të krijimit të kushteve për zhvillim më dinamik, si vit i ekonomisë, i shpallur nga kryeministri.

Ndryshe, punëtorët e sektorit të ndërtimtarisë janë më të rrezikuarit. Gjatë vitit të kaluar 22 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, ndërkohë që lëndime të rënda kanë pësuar 104 persona. Kjo dukuri është në rritje edhe në vitin 2019.