Thaçi e Haradinaj thonë që s’kanë informacion për ndonjë draft-marrëveshje nga Berlini Foto: Koha

Haradinaj s’deklarohet për mediat pas Samitit të Berlinit

Xhemajl Rexha 29 April 2019 12:19
00:05

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është deklaruar për mediat e mbledhura në Berlin pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

KTV-ja megjithatë ka mësuar se Haradinaj, samitin e sotëm e ka vlerësuar pozitiv.

23:49

Vuçiq: S’pati asnjë përparim në Samit, bisedime të reja në Paris

Pas përfundimit të Samitit të Berlinit, ka folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se në Samit nuk ka pasur asnjë përparim.

“Konkluzioni i Samitit është të vazhdojnë bisedimet në një format të ngushtë, me ndërmjetësimin e BE-së, Gjermanisë dhe Francës, në mënyrë që të arrijmë deri tek zgjidhja për vazhdim të dialogut”, tha Vuçiqi para gazetarëve pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

“Sot të gjithë luajtën me letra të hapura dhe pa doreza. Dëgjuam akuza nga rajoni në drejtim tonin”, tha më tej ai, duke potencuar se kryeministrat e Sllovenisë dhe të Kroacisë “ishin konkretë” dhe se nuk mund të thotë asgjë për presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.

“U befasuar me gjuhën e ashpër me të cilën folën shqiptarët nga Kosova dhe me deklarimin e parë të presidentit të Këshillit të ministrave të Bosnjës e Hercegovinës, Denis Zvizdiq. Presidenti i Qeverisë së Maqedonisë, Zoran Zaev, ka tentuar të gjente arsyetim për vendosjen e taksës ndaj mallrave nga Serbia sepse Beogradi është fajtor pse Kosova nuk ka hyrë në Interpol”, tha më tej presidenti serb, raporton “FoNet”.

Ai shtoi se “përfaqësuesit e Prishtinës kërkuan që Serbia të njohë Kosovën, se nuk mund të ketë autonomi për serbët e Kosovës, e as kompetenca ekzekutive për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë”.

“As në të ardhmen nuk do të jetë më lehtë se sot”, vlerësoi Vuçiqi, duke shtuar se kërkesa e vetme e Beogradit për vazhdim të dialogut ishte heqja e taksës.

Sipas tij, Merkeli dhe Macroni ishin shumë të arsyeshëm dhe seriozë dhe kanë provuar të gjejnë zgjidhje për vazhdim të dialogut dhe për mundësi të stabilitetit në Ballkan.

Duke komentuar deklaratën e Thaçit se “BE-ja është shumë e dobët dhe e ndarë” për të drejtuar dialogun mes Kosovës e Serbisë, Vuçiqi tha se problemi nuk është tek BE-ja, “por tek të gjithë ne që nuk kuptojmë se duhet të shkojmë kah e ardhmja”.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, tha se në Samit nuk është arritur asnjë përfundim.

23:09

Thaçi: Ishte takim i rëndë, më 1 korrik sërish takohemi në Paris me ftesë të Macronit

Image

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, pas përfundimit të Samitit të Berlin, ka thënë se ka qenë një takim i rëndë e pa ndonjë rezultat konkret. Ai bëri të ditur se palët do të takohen sërish, më 1 korrik. Këtë herë në Paris me ftesë të presidentit francez Emmanuel Macron.

Thaçi ka shtuar se ka pasur një paqartësi edhe sonte për liberalizimin e vizave për kosovarët.

“Ishte takim i rëndë. Nuk mund të themi se pati ndonjë rezultat konkret. Kosova ka theksuar shumë qartë se na duhet patjetër vendimi për liberalizim sepse diçka të tillë Kosova e meriton. I kemi implementuar të gjitha kriteret e nevojshme dhe nëse diçka e tillë nuk ndodhë në një të ardhme të afërt, do të ketë zhgënjim të madh. Pati edhe sonte paqartësi për këtë çështje. Ndërsa e konfirmuar zotimin tonë për fqinjësi të mirë, për normalizim të raporteve me Serbinë. Dëgjuam me vëmendje Merkelin e Macronin, qëndrimet e tyre për Ballkanin. Ishte konstatim i të gjithëve se ky problem duhet të tejkalohet, dhe se nuk do të ketë dialog të kushtëzuar. Gjithashtu diskutuam edhe për mundësitë se si të lëvizjet më shpejt dhe më mirë, dhe kërkova që të mos ketë dallime nga shtetet e BE-së. Është konfirmuar se takimi i radhës do të ndodhë më 1 korrik në Paris”, theksoi Thaçi në një prononcim para mediave pas përfundimit të Samitit të Berlinit.

Thaçi ka përsëritur kërkesën që Serbia ta njohë Kosovën dhe të zhvillohet dialog pa kushte. Ka mohuar se do të ketë shkëmbim territoresh, por ka përmendur sërish kërkesën për përfshirje të Luginës së Preshevës në territorin e Kosovës.

“Sonte ka pasur mundësi të ketë celebrim për dy marrëveshjet e arritura, ajo mes Greqisë e Maqedonisë, por edhe mundësisë së lënduar të një procesi mes Kosovës dhe Serbisë. Ishte konstatim se është humbur kohë në një proces që mund të vazhdojë në të ardhmen. Serbia duhet të njohë Kosovën pa kushte, dhe dialogu duhet të fillojë e vazhdojë pa kushte. Shpresoj në unitet të BE-së. Edhe shtetet e rajonit mbështetën procesin që kemi kaluar. Në çdo rrethanë, Kosova do të mbetet multietnike, nuk do të ketë shkëmbim të territoreve, gjithmonë duke bërë përpjekje maksimale për përfshirjen e Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit në territorin e Republikës së Kosovës. Por, vendimtare për arritjen e marrëveshjes është inkuadrimi i SHBA-së”, deklaroi Thaçi.

Në fund, ai tha se në takim "u pajtuam që të mos pajtohemi".

22:52

Mbyllet Samiti i Berlinit

Image

Është mbyllur Samiti i Berlinit.

22:44

Darka në Berlin zgjat përtej parashikimeve, Macroni insiston në dakordim të palëve për avancim të Ballkanit

Darka në Berlin është duke zgjatur më shumë se që ishte parashikuar pasi presidenti francez Emmanuel Macron po insiston që palët të dakordohen për mënyrën e ecjes përpara në Ballkanin Perëndimor, mëson KTV-ja.

22:26

Haradinaj u përball me presion të madh në Berlin për heqjen e taksës që dialogu të vazhdojë

Kryeministri Haradinaj është përballur me presion të madh për heqjen e taksës gjatë Samitit të Berlinit, si mënyrë për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mëson KTV-ja.

22:22

Thaçi: Marrëveshja me Serbinë medoemos sjell demarkimin, por sovraniteti ynë është i pacenueshëm

Image

Presidenti Thaçi, përmes një njoftimi në Facebook, ka thënë se në darkën e përbashkët kanë vazhduar diskutimet për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit.

Po ashtu, është diskutuar edhe për bllokadën në të cilën, siç tha ai, gjendet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku thotë të ketë theksuar disa faktorë që e kanë sjellë këtë situatë të pashpresë.

“Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës për prodhimet serbe. Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut, të cilin e kemi respektuar që nga pikënisja e tij. Së dyti, faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këtë marrëveshje nuk mund ta arrijmë nëse shtetet e Kuintit nuk janë të bashkuara dhe nuk flasin me një zë”, tha Thaçi, duke ripotencuar se “edhe shtetet e Kuintit, edhe ne e dimë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së”.

Kundërshtimet, sipas tij, kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se “gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike”.

“Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta! Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm. Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe të heqë dorë nga cenimi i sovranitetit tonë”, deklaroi presidenti Thaçi.

Më tej, ai u shpreh i bindur se Asociacioni i komunave serbe mund të ketë kompetenca ekzekutive.

“Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo se në veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive e modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë. Nuk mund të këtë një zgjidhje as në modelin gjermano-gjerman dhe as me një sovranitet të dyfishtë. Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës. Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë”, potencoi Thaçi.

22:11

Merkeli e Macroni shtrojnë darkë për liderët e Ballkanit, Thaçi e Vuçiqi afër njëri-tjetrit

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, pas takimit zyrtar që u zhvillua në orët e pasdites me liderët e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor, kanë shtruar një darkë joformale për ta.

Në videon e siguruar nga Koha.net nga kjo darkë shihet se delegacioni i Kosovës, në përbërje të presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, është ulur afër delegacionit të Serbisë, ku Thaçi është përkrah presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ndërsa në krah të Haradinajt është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

20:34

Haradinaj në Berlin kërkon që Serbia ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në Samitin e Berlinit ka kërkuar që Serbia ta njohë Kosovën në kufijtë aktualë.

Haradinaj ka thënë se pa njohje reciproke mes dy vendeve, nuk mund të ketë progres. Sipas tij, njohja do të nënkuptonte tejkalimin e të gjitha pengesave të progresit. Këtu ka thënë se nuk do të kishte më as barriera tregtare.

“Është e qartë se ne nuk mund të ecim përpara derisa të pranojmë të vërtetën mbi të kaluarën dhe realitetin e së tashmes. E vërteta e së kaluarës është se Kosova pësoi mizori dhe ne duhej të fillonim nga zeroja. Realiteti i së tashmes është se Kosova tani është një shtet i pavarur - si dhe është duke shënuar progres politik, ekonomik dhe social. Ky është realiteti që duhet të pranojmë për të ecur përpara. Serbia duhet ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, ka deklaruar Haradinaj.

“Njohja është pika fillestare për progres: nuk është pika përfundimtare. Pa njohje reciproke dhe respekt të ndërsjellë nuk mund të ketë progres. Njohja do të nënkuptojë tejkalimin e të gjitha pengesave tjera të progresit. Për shembull, nuk do të ketë nevojë për barriera tregtare, nga asnjëra palë. Njohja nënkupton respektimin permanent të kufijve ekzistues. Kufijtë e rishikuar do të mundësonin fillimin e një valë të re të ndarjes etnike dhe ndoshta edhe fillimin e dhunës. Ne kemi nevojë për unitet, jo për ndarje. Ne kemi nevojë për të hapur kufijtë tanë, dhe jo për të krijuar kufi të rinj”, ka thënë ndër tjerash ai.

Teksa ka falënderuar Gjermaninë për mbështetje ndaj Kosovës, Haradinaj ka ftuar këtë shtet që të vazhdojë të mbrojë të drejtën e Kosovës për shtetësi e integritet territorial.

Haradinaj ka postuar në Facebook fjalimin e tij të plotë në Samitin e Berlinit të thirrur nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron:

Fjala ime e plotë në takimin e nivelit të lartë të vendeve të Ballkanit Perendimor, thirrur nga Kancelarja Merkel dhe Presidenti Macron:

E nderuara Kancelarja Merkel,
President Makron,
Të nderuar Krerë të Delegacioneve Shtetërore,

Dëshiroj të ju shpreh mirënjohjen time për këtë iniciativë të rëndësishme. Duke ndërmarrë këtë hap, ju keni krijuar një mundësi historike për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për problemet që na kanë ndarë ne për një kohë të gjatë.

Dëshiroj gjithashtu të falënderoj mbështetjen e qëndrueshme gjermane për të drejtën e Kosovës në shtetësisë dhe integritetit territorial si një kusht për paqe në rajon. Kërkojmë nga ju të vazhdoni të shpjegoni dhe ta mbroni këtë të drejtë në BE, sepse si shtet i vogël nuk kemi kapacitete për t'i arritur të gjithë. Shpresoj që takimi i sotëm mund të rezultojë në një sens të ri të përgjegjësisë individuale dhe të përbashkët për të ardhmen tonë kolektive.

Është e qartë se ne nuk mund të ecim përpara derisa të pranojmë të vërtetën mbi të kaluarën dhe realitetin e së tashmes.

E vërteta e së kaluarës është se Kosova pësoi mizori dhe ne duhej të fillonim nga zeroja.

Realiteti i së tashmes është se Kosova tani është një shtet i pavarur - si dhe është duke shënuar progres politik, ekonomik dhe social.
Ky është realiteti që duhet të pranojmë për të ecur përpara. Serbia duhet ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Unë dëshiroj të paraqes këtu para juve zotimin tim personal dhe të pakushtëzuar që unë do të kontribuoj për të përmirësuar jetën e qytetarëve tanë serbë. Unë e bëj këtë zotim pa pasur ndonjë ofertë nga Beogradi. Në fakt, është një zotim që ne e kemi aplikuar pasi kemi mishëruar të gjitha rekomandimet e planit të Ahtisaarit në kushtetutën dhe ligjet tona.

Njohja është pika fillestare për progres: nuk është pika përfundimtare. Pa njohje reciproke dhe respekt të ndërsjellë nuk mund të ketë progres. Njohja do të nënkuptojë tejkalimin e të gjitha pengesave tjera të progresit. Për shembull, nuk do të ketë nevojë për barriera tregtare, nga asnjëra palë.

Njohja nënkupton respektimin permanent të kufijve ekzistues. Kufijtë e rishikuar do të mundësonin fillimin e një valë të re të ndarjes etnike dhe ndoshta edhe fillimin e dhunës.

Ne kemi nevojë për unitet, jo për ndarje. Ne kemi nevojë për të hapur kufijtë tanë, dhe jo për të krijuar kufi të rinj.

Qeveria dhe parlamenti i Kosovës kanë mandatuar një platformë kombëtare si dhe delegacionin për fazën përfundimtare të procesit të dialogut me Serbinë, i cili do të rezultojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse që duhet të jetë ligjërisht e detyrueshme për njohje reciproke.

Ne jemi të gatshëm, që sot, të finalizojmë të gjitha çështjet e pazgjidhura midis dy shteteve tona.

Kancelare, President, të nderuar Krerë të Delegacioneve Shtetërorë - ne ndajmë me ju jo vetëm një perspektivë evropiane, por edhe perspektivë globale. Ne nuk duam asgjë më shumë se të drejtat e njëjta siç i gëzojnë vendet tjera - dhe kjo duhet të përfshijë liberalizimin e vizave. Ne dëshirojmë të pranojmë përgjegjësinë tonë të plotë si anëtare e Aleancës Perëndimore, në partneritet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne besojmë se është në interesin e të gjithëve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë garantuese e zgjidhjes, së bashku me Bashkimin Evropian.

Dëshiroj të ju falënderoj për mundësinë që na keni ofruar të jemi këtu të gjithë së bashku. Ky është një moment i rëndësishëm për ne, dhe besoj se është i rëndësishëm edhe për të ardhmen e Evropës.

RH

20:18

Haradinaj i rrethuar nga të gjithë liderët pas përfundimit të Samitit

Koha.net ka siguruar disa pamje pas përfundimit të pjesës zyrtare të Samitit të Berlinit, ku shihet kryeministri Ramush Haradinaj i rrethuar nga Merkel e Macron, por edhe nga liderët e shteteve të Ballkanit.

Aty shihet edhe presidenti serb Vuçiq dhe kryeministrja serbe Bërnabiq.

Më vonë pritet që liderët pjesëmarrës së Samitit të mblidhen në një darkë jozyrtare.

Image

Image

Image
18:44

Thaçi në Samitin e Berlinit: Serbia e Bosnja duhet të njohin Kosovën për të ndodhur pajtimi

Në hapjen e Samitit të Berlinit, presidenti Hashim Thaçi thotë të ketë folur për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin.

Në një postim në Facebook, Thaçi tha se situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar.

Image

Image

“Kjo situatë e keqe nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte. Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare. Edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Thaçi, raporton Koha.net.

Gjermania dhe Franca, sipas tij, kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme.

“Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë”, deklaroi ai, duke ritheksuar se Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë dhe se qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe është shumë e padrejtë të vazhdojnë të diskriminohen.

18:34

Mblidhen krerët e Ballkanit Perëndimor në takimin me Merkelin e Macronin

Takimi i thirrur nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron në Berlin me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, ka nisur.

Agjencia e lajmeve Reuters ka publikuar një fotografi nga takimi, ku shihen Presidenti Thaçi bashkë me Shefin e Stafit të tij, Bekim Çollaku, raporton Koha.net.

Image

Në takim janë edhe kryeministri Haradinaj dhe zëvendësi i tij, Behgjet Pacolli.

Pranë tyre janë edhe delegacioni nga Shqipëria, ku në përbërje janë ministri i Jashtëm, Gent Cakaj dhe kryeministri Edi Rama.

Në anën tjetër, përball tyre, janë edhe delegacioni i Serbisë, në përbërje të presidentit Vuçiq e kryeministres Bërnabiq.

17:29

Merkel: Sonte diskutojmë për gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën e Serbinë, s’ka ndonjë vendim

Image

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, nga Berlini, gjatë një konference të përbashkët me presidentin francez, ka thënë se vendim për zgjidhjen e çështjes Kosovë-Serbi sonte nuk pritet të ketë, por tha se “pret zgjidhje mes dy vendeve”.

“Jemi të përkushtuar për perspektiven evropiane të vendeve të Ballkanit, por kjo s’ka të bëjë me zgjerimin. Gjermania e Franca duan të tregojnë se është në interes të përbashkët që të shohim zhvillimin e Ballkanit. Në darkë do të diskutojmë se si mund ta gjejmë një zgjidhje për Kosovën dhe Serbinë. Ideja jonë është që të shohim se si të pajtohemi për t’i lehtësuar e jo vështirësuar gjerat. Nuk do të ketë ndonjë vendim sonte. Ky është një format joformal që nuk e zëvendëson Procesin e Berlinit”, tha Merkel, raporton KTV.

Ndërsa, presidenti Francez, Emmanuel Macron, ka thënë se takimi i sotëm është joformal dhe si i tillë në të s’do të flitet për çështje të hapura të vështira.

“E kemi parë që ka mundësi të zgjidhjeve siç është rasti i Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo ndodhë kur njerëzit janë të guximshëm. Çështja kryesore e diskutimit do të jetë Kosova dhe Serbia. Duam që të vazhdojnë dialogun. Nuk duam të imponojmë zgjidhje për Kosovën e Serbinë. Shpresojmë që të mos ketë emocione në rrugën përpara dhe vështirësi të reja. Ku ka tensione, duam t’i adresojmë”, deklaroi Macron, raporton KTV.

Pas konferencës për media, Merkel e Macron kanë pritur edhe delegacionin e Kosovës, i përbërë nga kryeministri Ramush Haradinaj e presidenti Hashim Thaçi.

Image
Foto: Reuters
Image
Foto: Reuters
17:12

Haradinaj ambasadorit amerikan në Gjermani: Jemi kundër këmbimit të territoreve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se në takimin me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, ia ka bërë me dije se qeveria e Kosovës e kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve me Serbinë.

Në këtë takim, Haradinaj ka thënë se ka shprehur “përkushtimin e Kosovës për dialogun me Serbinë, për konsolidimin e ekipit negociator të vendit dhe për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese, bazuar në ligjet dhe kushtetutën e vendit dhe se Kosova është e gatshme për tregti të lirë me Serbinë, si pjesë e një marrëveshje që rezulton me njohje reciproke”.

“Theksova gjithashtu se Qeveria e vendit kundërshton fuqishëm idenë e këmbimit të territoreve, duke e cilësuar si opsion të rrezikshëm dhe që do ta destabilizonte jo vetëm vendin por edhe rajonin. Ambasadorit Grenell i tregova për progresin e arritur në vend në fushën e sundimit të rendit dhe ligjit dhe për përkushtimin e Kosovës për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, gjithmonë në partneritet me aleatët tanë dhe me aspiratat tona për rrugën euro-atlantike”, ka shkruar Haradinaj teksa në fund ka shtuar se “roli i ShBA-ve në proceset e mëtejme politike të vendit është i domosdoshëm!”

Në anën tjetër, presidenti Hashim Thaçi e ka quajtur takim me rëndësi atë me Grenellin. Sipas Thaçit, roli i SHBA-së ka qenë dhe mbetet vendimtar për Kosovën.

“Për Republikën e Kosovës është shumë i rëndësishëm koordinimi i ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Para nisjes së Samitit të Berlinit, një takim me rëndësi kishim edhe me ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell. Roli i SHBA-së ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë vendimtar për ne. Jemi të bekuar me mbështetjen e SHBA-së!” ka shkruar ai.

16:06

Nga Samiti prej të cilit s’pret mrekulli, Thaçi kërkon dialog pa kushte

Presidenti Hashim Thaçi në një deklaratë për medie, pas takimit me përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka thënë se Kosova do të kërkojë në Samitin e Berlinit që të vazhdohet dialogu me Serbinë i pakushtëzuar.

Ai tha se në këtë takim nuk do të ketë dialog e as negociata mes Kosovës dhe Serbisë sikurse që është larg arritja e ndonjë marrëveshje, por para se gjithash, sipas tij, nuk do të ketë as dialog as negociata pa rolin e SHBA-së, raporton KTV.

“Kosova është e gatshme për dialog të pakushtëzuara. Sot është dita që kancerlarja Merkel ta bindë Vuçiqin ta njohë Kosovë, t’i bindë edhe pesë vendet e Bashkimit Evropian që ta njohin Kosovën. Taksa është e drejt e ligjshme dhe nëse Serbia do të vazhdojë me veprime agresive ne do t’i shtojmë masat dhe do të shkojmë në nivel të reciprocitetit”, tha ai.

Thaçi thotë se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm pasi që sipas tij Bashkimi Evropian është shumë i dobët dhe jo unik për t’i lëvizur gjërat në Ballkanin Perëndimor.

Ai ndër të tjera shtoi se Kosova do të mbajë qëndrimin e njëjtë për bashkimin e territoreve sipas të cilit padrejtësisht iu morën.

Thaçi tha se nga ky Samit do të kërkojnë edhe liberalizimin e vizave.

“Kosova ka implementuar të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizim 95%, ndërkaq vendet e rajonit kanë implementuar 55%. Do të thotë ka qenë një standard i dyfishtë për Kosovën. Ne i kemi kryer detyra tona", ka deklaruar ai.

Ai tha se liberalizimin nuk po e kërkojnë si dhuratë por është diçka që Kosova e meriton.

“Është një padrejtësi, diskriminim dhe ndëshkim që i bëhet njerëzve në Kosovë. Unë besoj që sot kancelarja Merkel dhe presidenti Macron do të jenë të qartë sa i përket liberalizimit të vizave. Nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë do të jetë një zhgënjim për takimin në Berlin.”

“Ne gjithashtu do të kërkojmë që ky Samit të dënojë gjenocidin e Serbisë të kryer në Kosovë. E shoh si mundësi këtë takim dhe një rutinë por jo ndonjë zgjidhje magjike që dikush mund ta sjellë”, tha ai.

15:00

Vuçiq: Nuk e kam të qartë për çfarë kufij do flasim, ata që i njeh Gjermania apo ata që i njeh Greqia

Image

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i është adresuar medieve para fillimit të Samitit të Berlinit.

Sipas tij, as gjatë këtij takimi taksa nuk do të hiqet, e si rrjedhojë nuk do të ketë as vazhdim të dialogut Kosovë-Serbi, raporton KTV.

Ai thotë se taksa është jocivilizuese, ndërkaq sipas tij dialogu nuk vazhdon veç nëse bie diçka nga qielli.

“Taksa nuk do të hiqet. Dialogu nuk vazhdon pa heqjen e taksës, veç nëse bie diçka nga qielli. Taksa është jo-civilizuese”, ka thënë ai.

Vuçiq ka shtuar se nuk e ka të qartë për çfarë kufij do të flasin, “ata që i njeh Gjermania apo ata që i njeh Greqia”, ka thënë ai.

14:39

Nis takimi Thaçi-Mogherini

Image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nisur takimin e tij me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Takimi i tyre po mbahet para fillimit të Samitit të Berlinit, njofton KTV.

12:19

Thaçi e Haradinaj thonë që s’kanë informacion për ndonjë draft-marrëveshje nga Berlini

Image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, pas takimit me disa bashkatdhetarë në Berlin, i janë adresuar medieve vendore.

Ata kanë thënë se Kosova në Samitin e Berlinit do të paraqitet me qëndrimet e veta.

Ndërkaq lidhur me pajtimin e Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshje përfundimtare e cila u raportua në medie duke u bazuar në një draft nga Samiti i Berlinit, të dy krerët shtetërorë thanë se atyre nuk u është prezantuar diçka e tillë.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se Kosova i ka qëndrimet e veta dhe sonte do të jenë në nivel të përgjegjësisë.

“Nuk ka ndonjë draft ose dokument ose ndonjë marrëveshje as të dakorduar e as të informuar paraprakisht por ajo çka është me rëndësi që e kemi thënë çdo herë, është se Kosova i ka qëndrimet e veta, besoj që edhe sonte do të jemi në nivel të përgjegjësive tona”, tha ai.

Ndërkaq presidenti Hashim Thaçi, theksoi se nuk do të ketë dialog pa SHBA-në, derisa përsëriti qëndrimin e tij për bashkimin e Kosovës me Luginën.

“Nuk ka dialog dhe negociata pa SHBA-në, Kosova është vend i pavarur dhe sovran. Preshevë Medvegjë , Bujanovc krejt me qenë një Kosovë, krejt mirë ka me u bë”, është shprehur Thaçi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme