Arbëri

Brigada ushtarake e Serbisë që e ruan kufirin me Kosovën

Në afërsi të Kosovës, te Medvegja, gjendet baza ushtarake e Serbisë e cila merret kryesisht me ruajtjen e kufirit me Kosovën. Aty është e vendosur komanda e Brigadës së Tretë.

Komandanti i Brigadës së Tretë të ushtrisë Tokësore të Serbisë, gjeneral brigade Slagjan Stamenkoviq, ka thënë se sigurimi i kufirit me Kosovën është njëra nga detyrat kryesore të kësaj brigade.

Ai ka shtuar se pjesëtarët e Ushtrisë së Serbisë me sukses po e mbrojnë zonën e sigurisë dhe popullatën në këtë hapësirë.

Brigada e Tretë me bazën e vet “Medevce” gjendet në Zonën tokësore të Sigurisë në jug të Serbisë e në kufi me Kosovën, te Medvegja, transmeton Koha.net.

Këtë bazë sot e kanë vizituar ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, dhe shefi i Shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsiloviq, dhe ushtarëve të saj ua kanë uruar Pashkët Ortodokse.

Siç thotë kumtesa e Ministrisë serbe të mbrojtjes që përcjell b92, zyrtarët e lartë ushtarakë e shtetërorë të Serbisë, te kufiri me Kosovën kanë thënë se “Serbia është në gjendje t’i mbrojë dhe do t’i mbrojë të gjithë serbët kudo që të gjenden”.