Nisma Evropiane për Stabilitet: BE-ja të refuzojë idenë e “korrigjimit të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë Foto: Driton Paçarada / Koha

Nisma Evropiane për Stabilitet: BE-ja të refuzojë idenë e “korrigjimit të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë

26 April 2019 15:39

Nisma Evropiane për Stabilitet (ESI) ka publikuar një raport të përpiluar nga një grup ekspertësh të profilizuar në Evropën Juglindore, ku i bëhet thirrje Bashkimit Evropian që të parandalojë bisedimet mbi çështjen e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë raport të fundit, ESI-ja i adresohet Brukselit duke i kërkuar që të ushtrojë më shumë trysni mbi Beogradin zyrtar për të ndalur retorikën nacionaliste serbe të rimarrjes së kufijve në bazë të përkatësisë etnike.

“Bashkimi Europian duhet të mbyllë menjëherë kutinë e Pandores për bisedime të mëtejshme mbi riformatimin e kufijve të Ballkanit”, shkruhet në raportin e ESI-së. Më tej, në brendi të dokumentit propozohet që BE-ja t’u ofrojë Serbisë, Kosovës, si edhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të besueshme në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në familjen e madhe evropiane. “Duke qenë se anëtarësimi i plotë mbetet i pamundur për çdo vend para 2025-s, një objektiv konkret, ambicioz dhe kuptimplotë mund të vendoset për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor: të përmbushë standardet e kërkuara për t’u bërë anëtar me të drejta të plota të tregut të përbashkët të BE-së deri në vitin 2025”, vë në dukje raporti.

Ideja e “korrigjimeve kufitare” në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve bilaterale, u propozua në vitin 2018 nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Në mënyrë të ngjashme, edhe homologu i tij Hashim Thaçi, sugjeroi që komunat jugore të Serbisë me popullsi të konsiderueshme etnike shqiptare, duhet të bëhen pjesë e Kosovës./kj

Komentet

Shto koment

Të ngjashme