Dy kandidatët për president të Maqedonisë së Veriut që kaluan në balotazhin që do të mbahet më 5 maj, në tubimet me elektoratin janë përqendruar edhe në votat e shqiptarëve, të cilat besohet se janë vendimtare duke marrë parasysh rezultatet thuajse të barabarta, por edhe rreth 80 mijë votat që mori në raundin e parë kandidati shqiptar, Blerim Reka.
Në tubimet me elektoratin, por edhe në paraqitje të ndryshme para mediave për herë të parë, kandidatja e opozitës Gordana Siljanovska- Davkova, si dhe partia që e ka nominuar VMRO DPMNE-ja, kanë ndryshuar retorikën nga ciklet e kaluara zgjedhore duke ftuar shqiptarët që të votojnë për të në raundin e dytë më 5 maj.
Siljanovska, ndërkohë, i ka quajtur të palogjikshme dhe tendencioze deklaratat e zyrtarëve të LSDM-se, se ajo është albanofobe dhe se nuk duhet të llogarisë në votat e shqiptarëve.
“Mund të dëgjojmë deklarata tragjikomike se gjoja unë kam qenë albanofobe. Kjo është jashtë logjikës së shëndoshë, dhe jo vetëm nga realiteti. Albanofobia është sjellje jonjerëzore. Unë asnjëherë nuk kam bërë diçka të tillë në jetën time. Që nga fëmijëria jam shoqëruar me shqiptarë dhe mund të numëroj shumë shembuj të bashkëjetesës. Nga ta kam mësuar se çfarë është Besa, fjalë e dhënë e shumë gjera tjera të mira”, ka deklaruar Siljanovska.
Ajo ka theksuar se në fjalimet e saj në tubimet me elektoratin asnjëherë nuk ka përçuar urrejtje mes bashkësive, përkundrazi, u është drejtuar të gjithë qytetarëve ashtu siç do t’u drejtohet deri në fund të fushatës zgjedhore.