Arbëri

Haradinaj kërkon të shtohet inspektimi dhe siguria në ndërtimtari, i quan alarm incidentet e fundit me fatalitet

Descriptive Text

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thirrur një takim pune me përfaqësuesit e Shoqatës së ndërtimtarëve të Kosovës, Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ministrat e MAPL-së, MMPH-së dhe drejtorin e Policisë së Kosovës, për të diskutuar situatën në sektorin e ndërtimtarisë, pas vdekjes tragjike të një të riu në Mitrovicë në vendpunishte.

Lexo edhe: 28-vjeçari që vdiq në Mitrovicë nuk kishte kontratë e as kushte adekuate për punë

Siç njofton komunikata nga kryeministria, Haradinaj ka kërkuar nga të gjitha institucionet, por edhe akterët tjerë të përfshirë, që të zbatojnë standardet e parapara të ndërtimeve, si dhe masat mbrojtëse që parashihen me Ligjin e Punës, për të krijuar kushte të favorshme për të gjithë të punësuarit.

Lexo edhe: Ndërtimtaria ndër sektorët më të rrezikshëm, arkitektët thonë se duhen mjete mbrojtëse dhe sigurim i vend-punishteve

“Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë që ka sektori privat, në të cilin ka më së shumti të punësuar dhe që është promotor i zhvillimit ekonomik të vendit, por ne si institucione duhet të krijojmë infrastrukturën adekuate ligjore në fushën e ndërtimeve, si dhe të angazhohemi për kushte të mira të punës për mbrojtjen e të punësuarve në këtë sektor”, tha kryeministri Haradinaj.

Lexo edhe: Ndërtimtaria ndër sektorët më të rrezikshëm, arkitektët thonë se duhen mjete mbrojtëse dhe sigurim i vend-punishteve

Ndërkaq, në Facebook Haradinaj ka shkruar se rasti i incidenteve të fundit në sektorin e ndërtimtarisë, me pasoja fatale, janë sinjale për alarm.

“Për të adresuar çështjen e standardeve teknike të objekteve si dhe sigurisë dhe mbrojtjën në punë, kam zhvilluar takim pune me Shoqaten e Ndërtimtarëve, Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, ministren e MAPL, përfaqësuesit e MMPH, MPMS dhe Policinë e Kosovës. Qeveria do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në aktivizimin e inspektimit të punës dhe kontrollit të shtuar në tregun e ndërtimeve. Kërkova nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe Ministria e Ambientit që menjëherë t’i drejtohen komunave për shtimin e kapaciteteve të inspektimit dhe kontrollit adekuat të lejeve. Gjithashtu, Policia ka filluar menjëherë hetimin e rasteve të fundit dhe do të shtojë kapacitetet në asistencë të inspektorëve. Presim përshpejtim të miratimit të ligjit në Kuvend, i cili rregullon liçensimin e arkitektëve dhe inxhinierëve, gjë që do të kontribuonte në përcaktimin e saktë të përgjegjësisë së secilit” përfundon shkrimin Haradinaj.