Video

28-vjeçari që vdiq në Mitrovicë nuk kishte kontratë e as kushte adekuate për punë

I ndjeri Visar Behrami, i cili vdiq në vendin e tij të punës, nuk kishte fare kontratë pune, derisa atij i ishte kërkuar që të punonte së fundi në ditë vikendi dhe ditë feste.

Familjarët e 28-vjeçarit, që u gjet mbrëmë në rrënojat e ndërtesës pas më shumë se 6 orëve kërkimi, thonë se ishin të njoftuar se i ndjeri punonte në kushte të rënda pune, raporton KTV.

Pavarësisht inspektimeve të Komunës gjatë ditëve të vikendit dhe festave, ajo nuk kishte arritur të identifikonte se në këtë objekt po kryheshin punime pa leje.

Komuna e Mitrovicës tashmë ka themeluar një komisioni, i cili do të dalë me raport se si kishte ndodhur ky incident.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka nisur hetimet për këtë incident të rëndë.

Me dyshimet se kanë shkaktuar rrezikim të përgjithshëm, prokuroria ka ndaluar dy persona - punëdhënësin A.H, si dhe punëkryesin me inicialet Q.H.

KTV-ja merr vesh se punëkryesi kishte punësuar disa persona për të renovuar objektin e ish-hotel Adriatikut pa pasur fare kompani të regjistruar për këtë lloj të ndërtimeve.

Ndërsa, njëri nga pronarët e objektit, Naim Zekaj, nuk ka pranuar të japë sqarime për incidentin.

Këtë të martë, Komuna e Mitrovicës e ka shpallur ditë zie, duke anuluar të gjitha aktivitetet.

Ndërsa, i ndjeri Visar Behrami në orët e pasdites është varrosur në fshatin Vidimriq të Mitrovicës.

Në një operacion kërkimi që zgjati më shumë se 6 orë, të hënën në mbrëmje, FSK-ja së bashku me ekipet e shpëtimit në Mitrovicë, si dhe zjarrfikësit, arriti të gjejë trupin e pajetë të Visar Behramit.