Arbëri

Haradinaj: Turqit e Kosovës, urë lidhëse mes Kosovës e Turqisë

Foto: ZKM

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka takuar zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Faruk Kaymakci, me rastin e festimit të Ditës së Komunitetit Turk.

Fillimisht, kryeministri e ka njoftuar zëvendësministrin turk për progresin e përgjithshëm në Kosovë, prioritetet e Qeverisë së Kosovës, agjendën e Reformave Evropiane, zhvillimin ekonomik, si dhe orientimin euroatlantik të Kosovës.

Në këtë takim, Haradinaj kërkoi mbështetjen e shtetit turk për proceset e rëndësishme të vendit dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.

Pas takimit, dy zyrtarët morën pjesë në shënimin e Ditës së Komunitetit Turk, në mesin e shumë të ftuarve të tjerë.

Kryeministri i Kosovës, me këtë rast tha se, Dita e Turqve të Kosovës, është një ditë që shënohet në Kosovën e re dhe është një moment i mirë që të reflektohet për marrëdhëniet shumë të mira që ka komuniteti turk në Kosovë, me popullin e saj, marrëdhënie që datojnë me shekuj.

“Të drejtat për komunitetin turk, gjuha, përfaqësimi në institucione publike, roli vendimmarrës i komunitetit turk në Kosovë, ka avancuar”, tha kryeministri Haradinaj, duke falënderuar për angazhimin e turqve të Kosovës në konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Ai tha se populli turk i Kosovës është një urë lidhëse e fuqishme me Republikën e Turqisë dhe si rezultat i kësaj, Republika e Kosovës ka një bashkëpunim shumë të mirë me këtë vend, të cilin e falënderoi për përkrahjen, për ruajtjen e paqes me KFOR-in, përkrahjen ekonomike, politike.

“Republika e Turqisë është ndër vendet e para që e ka njohur Kosovën dhe vazhdon ta përkrahë në planin ndërkombëtar”, tha Haradinaj, duke shtuar se si kryeministër, angazhohet që të jetë një koleg i mirë me gjithë komunitetin turk në Kosovë, si dhe të trajtojë kërkesat dhe temat që lidhen me jetën e turqve të Kosovës.

Ndërkaq, zëvendësministri i Jashtëm i Turqisë, Faruk Kaymakci, duke uruar për ditën e Komunitetit Turk, tha se ky komunitet në Kosovë është urë lidhëse e komuniteti turk në Turqi dhe se dëshirojnë që kjo urë lidhëse të forcohet edhe më shumë.

“Çfarëdo që të jetë gjuha dhe feja, të gjitha komunitetet duhet të jetojnë në paqe dhe së bashku. Kosova është një shembull shumë i mirë i kësaj dhe se gjashtë yjet ne flamurin e Kosovës përfaqësojnë gurthemelet kryesore të Kosovës, duke theksuar se Turqia do të bëj përpjekje që Kosova të pranohet në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, tha Kaymakci.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se Kosova ka vullnetin për përkrahjen e të gjitha komuniteteve dhe për këtë ka infrastrukturë të mirë ligjore dhe kushtetuese, duke theksuar nevojën për përkrahje të mëtejmë përmes projekteve të ndryshme për komunitetin turk që jeton në Kosovë.

Një fjalë para të pranishmëve e mbajti edhe deputetja Myfera Shinik.