Tiranë, 22 prill - Alpet Shqiptare po kthehen me shpejtësi në një destinacion të preferuar turistik. Më shumë se 600,000 turistë llogaritet ta kenë vizituar këtë destinacion gjatë vitit të kaluar, ku padyshim Vermoshi ka tërhequr më së shumti turistët me peizazhet e veta malore.
Me një fond prej 1.3 milion euro, kompania shqiptare që fitoi tenderin për zonën e Vermoshit, do të ndërmarrë një projekt për përmirësimin e infrastrukturës turistike në fshatin verior të vendit Vermosh.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit bëri me dije, se ka zgjedhur kompaninë lokale të ndërtimit Uleza Ndertim si fituesin e këtij tenderi dhe punimet e ndërtimit duhet të përfundojnë brenda gjashtë muajve.
Punimet e infrastrukturës turistike në Vermosh janë pjesë e një projekti madhor për zhvillimin e Alpeve dhe zonave bregdetare shqiptare, të bashkëfinancuar nga Qeveria shqiptare dhe Banka e Zhvillimit të Këshillit të Evropës (CEB).
Vermoshi është një ndër pikat më të preferuar, për turistët vendas dhe të huaj. Aktiviteti i preferuar në Lëpushë dhe Vermosh, është padyshim ‘hiking’. Në Kelmend është një luginë me origjinë akullnajore, në 1.100 metra mbi nivelin e detit. Në të dy anët e luginës janë shpatet malore të mbuluara me pyje dhe kullota. Ka 45 maja me lartësi mbi 2,000 metra, secila prej tyre me një emër të vetin. Bimësia përbëhet kryesisht nga pemët e ahut dhe bredhat. Është e njohur për peizazhet dhe reshjet e borës që zgjasin rreth 100 ditë çdo vit/ ATSH.