Tahiri: Kërcënimet e Vuçiqit s’do ta ndalin zbardhjen e të vërtetës për rastin Ivanoviq Foto: MD

Tahiri: Kërcënimet e Vuçiqit s’do ta ndalin zbardhjen e të vërtetës për rastin Ivanoviq

19 April 2019 18:23

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri reagon ndaj manipulimeve të shfaqura në opinionin publik nga ana e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Tahiri ka reaguar lidhur me procedurat që janë duke u zhvilluar në rastin e hetimeve për vrasjen e politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, të cilat paraqesin kërcënim direkt ndaj qytetarëve serb të Kosovës që bashkëpunojnë me organet e sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës për zbardhjen e të vërtetës dhe vendosjen e përgjegjësve para ligjit, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, si edhe në të kaluarën, po vazhdon të manipulojë opinionin publik lidhur me rastin e vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq. Pjesë e këtij manipulimi të radhës, është prezantimi që dje presidenti serb i bëri “dokumenteve të pretenduara” të Prokurorisë së Republikës së Kosovës, ku thuhet se si dëshmitare e këtij rasti ka qenë edhe shtetasja Rada Trajkoviq”, thotë Tahiri. “Një shfaqje e tillë nuk është asgjë tjetër vetëm se një përpjekje e ulët për të penguar hetimet në lidhje me zbardhjen e të vërtetës për këtë vrasje”.

Sipas Tahirit po tentohet që të frikësohen dëshmitarët.

“Në qendër të këtyre orkestrimeve të presidentit Serb, është qëllimi për t’i frikësuar dëshmitarët dhe qytetarët serbë të Kosovës që i besojnë sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe që do të mund të bashkëpunonin me Prokurorinë e Republikës së Kosovës lidhur me hetimin e këtij rasti. Ky diskurs i paprecedent dhe tendencioz i cili synon të pengojë me çdo mjet zbardhjen e rastit Ivanoviq, përfshirë me këtë rast shantazhin dhe kërcënimet, është i papranueshëm”, thotë Tahiri, transmeton Koha.net.

Ai shton tutje se ka pasur një bllokadë të bashkëpunimit juridik për të zbardhur këtë rast.

“Është i njohur tashmë fakti se kërkesat tona ndaj autoriteteve serbe për bashkëpunim juridik në rastin Ivanoviq janë bllokuar pikërisht në çastin kur dyshimet e bazuara e kanë pasur një adresë, Milan Radojçiqin, i cili relacionet e tij me presidentin e Serbisë Vuçiq i ka aq të ngjeshura dhe direkte. Kështu, në vend të bashkëpunimit dhe vendosjes para drejtësisë së të dyshuarit kryesor, presidenti serb i ofron atij mbrojtje politike. Prandaj ai tenton që në të njëjtën kohë ta manipulojë opinionin publik si dhe ta pengojë punën e organeve kompetente në zbardhjen e të vërtetës”. thotë Tahiri.

Mirëpo, pavarësisht këtyre presioneve, Tahiri thotë se qytetarët e Kosovës dhe veçmas ata të komunitetit serbë duhet të jenë të sigurt se drejtësia herët a vonë do ta sjellë para përgjegjësisë autorin e këtij krimi.

“Kërcënimet e kësaj natyre nga krerët e shtetit serb, nuk do ta ndryshojnë dinamikën dhe vendosmërinë e organeve të sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës për ta zbardhur këtë rast sa më parë që është e mundur”, shprehet Tahiri.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme