Arbëri

Kurti: Liria dhe territori i shqiptarëve ende në rrezik nga politika e Serbisë

Një delegacion me veteranë të “Batalionit Atlantiku” nga shqiptarët e Amerikës që u bashkuan në luftën çlirimtare të UÇK-së, i shoqëruar edhe nga disa kontribuues të çështjes kombëtare nga mërgata shqiptare, kanë vizituar të enjten selinë e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë në vazhdën e aktivitetit disa ditor të emërtuar si “Rrugëtimi i Lirisë” që po mbahet me rastin e 20 vjetorit të këtij Batalioni.

Sipas një njoftimi dërguar medieve, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se gjatë shekullit të XX-të shqiptarët humbën shumë territore por fituan më shumë liri, që arriti në fund të ndalë një pjesë të rrudhjes së trevave kombëtare.

Sipas tij, ende sot liria e shqiptarëve dhe territori ynë mbeten të rrezikuara për shkak të politikave të Serbisë.

Ai theksoi se në shekullin XXI nuk mjafton që Shqipëria është në NATO dhe se Kosova ka ndryshuar disa ligje për transformimin gradual të FSK-së në ushtri.

“Për mbrojtjen e lirisë dhe në kuadër të sigurisë kombëtare, është e domosdoshme që edhe forcat ushtarake të shqiptarëve të veprojnë e zhvillohen së bashku me të njëjtën doktrinë dhe me pajisje moderne që i përgjigjen zhvillimeve teknologjike të kohës, duke vazhduar e rritur bashkëpunimin me SHBA-në”, ka thënë ai.

Përfaqësuesit e delegacionit shprehën falënderimet e tyre, si dhe vlerësimin për punën e Lëvizjes në përparimin e idealeve kombëtare. Në mesin e përfaqësueseve të “Batalionit Atlantiku” ishte edhe Elinda Muriqi, e cila i ishte bashkuar Batalionit 20 vite më parë në moshën 16 vjeçare.

VV thotë se angazhimi i Elinda Muriqit në luftë është një tjetër dëshmi e kontributit të gjithanshëm, të drejtpërdrejtë e të paçmueshëm të grave shqiptare në përpjekjen për liri. Ne këtë takim u kujtuan me nderim tre vëllezërit Bytyqi nga “Batalioni Atlantiku”, që ranë dëshmorë në luftë.

“Sakrifica e tyre sublime tregon edhe një herë për mënyrën se si mërgata shqiptare ka dhënë gjithçka, përfshirë jetën, për çlirimin e atdheut. Në diskutimet e përzemërta mes disa prej bashkëluftëtarëve, u përmendën me respekt edhe episode nga lufta dhe zonat operative të UÇK-së”, thuhet më tutje në njoftimin e dërguar.