“Familja dhe Shpresa” i kërkon SHBA-së që Ligji për Specialen të plotësohet edhe për krimet serbe Foto: Ilustrim

“Familja dhe Shpresa” i kërkon SHBA-së që Ligji për Specialen të plotësohet edhe për krimet serbe

18 April 2019 12:53

Kriminelët e Serbisë duhet që të ndëshkohen për krimet ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës dhe ligji për Gjykatën Speciale i miratuar nga Parlamenti i Kosovës në vitin 2015 duhet që të plotësohet për këtë qëllim pa vonesë.

Kështu citohet t’i ketë thënë sot përfaqësuesja e shoqatës “Familja dhe Shpresa” nga Klina, Zana Bytyqi diplomatit amerikan nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, Olivier S. Mains.

Bytyqi, sipas njoftimit për media të shoqatës, është takuar sot me Mansin, i cili është zyrtar për çështje politike në Ambasadën në Prishtinë, me kërkesën e këtij të fundit.

“Ligji për Gjykatën Speciale i miratuar me 3 gusht 2015 nga Parlamenti i vendit tonë duhet që të plotësohet, pikërisht nga ligjvënësit e vendit tonë”, tha Bytyqi gjatë takimit të sotëm të mbajtur në Prishtinë.

Bytyqi, sipas komunikatës, i foli Mainsit për krimin ndaj 86 civilëve shqiptarë nga komuna e Klinës të cilët u ekzekutuan nga ushtarët serbë me 4 prill 1999 në fshatin Kralan të Komunës së Gjakovës si dhe për krimet e tjera kur forcat ushtarake, policore e paramilitare vranë 13000 civilë shqiptarë e përdhunuan 20,000 gra dhe vajza shqiptare gjatë luftës së vitit 1998-1999 për pavarësi.

“Në Kosovë janë 500 varreza masive me viktima civile shqiptare gjatë luftës. Janë përdhunuar 20,000 gra dhe vajza e edhe pas 20 vitesh nuk ka drejtësi as për më të dashurit tanë qé u ekzekutuan në Kralan e as për krejt viktimat tjera civile shqiptare nëpër tërë Kosovën. Edhe pas 20 vitesh nuk do të ndalemi, por përkundrazi do të insistojmë edhe më fortë që të detyrojmë krerët e institucioneve të Kosovës, krejt partitë politike e anëtarët e tashëm të parlamentit për të plotësuar këtë ligj selektiv me të cilën u formua kjo gjykatë selektive”, tha Bytyqi, babai Bajrami, dhe daja i së cilës, Nevzat Rraci, e 84 të tjerë u ekzekutuan në Kralan kur ajo ishte 9 vjeçare.

Kjo shoqatë thotë se tashmë gjykatat e Kosovës edhe pse deri para pak ditësh ishin të ndihmuara nga prokurorët e gjykatësit e EULEX-it, nuk po mund të kryejnë punën e tyre për të çuar drejtësinë deri në fund, edhe pse ka pasur tentime e madje e dënime në mungesë të kriminelëve serbë të rangut të lartë ushtarak.

“Siç e dini, Vuçiqi dhe qeveria që ai drejton nuk pranojnë që kriminelët e tyre të luftës të i përgjigjen gjykatave të Kosovës/EULEX-it. Shembulli më i qartë i kësaj janë rastet e Mejës dhe Krushës së Madhe. Gjenerali Momir Stojanoviq dhe 16 të tjerë, përkundër që janë të akuzuar nga gjykatësit e BE-së dhe të Kosovës në gjykatën e Gjakovës për masakrat e kryera në Mejë dhe Krushë të Madhe gjatë luftës së viteve 1998-1999, ende shëtisin të lirë në Serbi. Ata janë të mbrojtur nga Aleksandar Vuçiqi. Të gjithë këta ushtarakë të akuzuar, janë edhe në listën e personave të kërkuar nga INTERPOL-i tanimë 4 vite. Serbia nuk i dorëzon dhe nuk do të i dorëzojë kriminelët e vet tek gjykatat e Kosovës. Prandaj edhe duhet plotësuar ky ligj në mënyrë që gjykata të fillojë të merret me krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve dhe këta kriminelë dhe krejt kriminelët e tjerë që gjenden në Serbi e gjetiu të dërgohen atje në Hagë”, tha Bytyqi në vazhdim të bisedës me diplomatin amerikan, Olivier Mains.

“Krejt çfarë ne po kërkojmë është që të ketë drejtësi për të gjithë e jo siç po bëhet me gjykatën e formuar e cila për kërkon drejtësi selektive dhe po injoron viktimat shqiptare”, tha përfaqësuesja e shoqatës “Familja dhe Shpresa”.

Shoqata, në njoftimin për media, tha se që të dy në fund të takimit u pajtuan që të mbesin në kontakt në të ardhmen dhe eventualisht të mund të krijohet ndonjë lloj bashkëpunimi (pas kërkesës së zotëri Mainsit) midis shoqatës “Familja dhe Shpresa” dhe Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë lidhur me çështjet e krimeve të luftës, personave të zhdukur dhe aktiviteteve të tjera në pritje të shoqatës në Klinë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme