Arbëri

Partitë pajtohen se duhet të bëhen reforma zgjedhore

Për shkak të parregullsive që i kanë përcjellë proceset zgjedhore në Kosovë, partitë politike që kanë ulëse në Kuvendin e Kosovës, kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët me anë të së cilës kanë shprehur gatishmërinë dhe angazhimin e tyre për të përmirësuar dhe forcuar procesin zgjedhor.

Kryetarët e grupeve parlamentare kanë rënë dakord edhe për themelimin e një komision ‘ad hoc’ parlamentar për të përmirësuar dhe përforcuar procesin zgjedhor, duke adresuar rekomandimet e vëzhguesve të zgjedhjeve nga BE-ja.

Ahmet Isufi, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo në pushtet, tha se problemet të cilat janë vërejtur në proceset zgjedhore nga vëzhguesit ndërkombëtarë, duhet të eliminohen.

"Sigurisht, janë elemente, të cilat në të kaluarën kanë paraqitur problem, por që duhet të eliminohen, këto janë parë edhe në bisedimet që kemi pasur edhe me zonjën Apostolova [Nataliya Apostolova, Përfaqësuese e Bashkimit Evropian në Prishtinë], me të cilën jemi pajtuar që të bëhet një korrigjim sa më i mirë në mënyrë që proceset e ardhshme zgjedhore të jenë më demokratike", tha Isufi.

Isufi ka shpjeguar se vërejtjet, të cilat janë parë në proceset zgjedhore, janë të ndryshme duke u nisur nga ato të komisioneve e vëzhguesve.

"Është fjala për listat, të cilat duhet të pastrohen për shkak se ka pasur defekte në të kaluarën. Po ashtu, një sistem i kontrollimit më të madh sa i përket vëzhguesve e komisioneve dhe organizatave të ndryshme që monitorojnë zgjedhjet. Po ashtu, edhe mënyrave teknike, të cilat duhet të perfeksionohen në mënyrë që të kemi proces zgjedhor më të mirë dhe që është më demokratik", theksoi Isufi.

Radio Evropa e Lirë