Të papranueshme dhe të patolerueshme e ka quajtur kryeparlamentari Kadri Veseli gjuhën e ministrit të Administratës së Pushtetit Lokal në Kosovë, Ivan Teodosijeviq, që e quajti trillim masakrën në Reçak dhe tha se shqiptarët e Kosovës që luftuan për çlirim të vendit janë terroristë.
Teodosijeviq u shkarkua sot nga kryeministri Ramush Haradinaj, ndërsa Veseli ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të reagojë ndaj këtyre provokimeve.
Sipas tij, kjo gjuhë ka burimin te presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për të cilin ka thënë se ka synim të shkaktojë tensione në Ballkan dhe Kosovë.
“Është e papranueshme dhe e patolerueshme gjuha e urrejtjes dhe raciste e përdorur nga njëri prej bartësve të institucioneve i deleguar nga Lista Serbe. Deklarata të tilla me gjuhë të urrejtjes kanë një burim dhe janë provokime nga ana e Aleksander Vuçiq për të shkaktuar tensione në Ballkan dhe Kosovë. Ne nuk do lejojmë që Kosova të përdoret si mjet që dikush në Serbi të mbajë pushtetin. Bashkimi Evropian duhet të reagojë ndaj këtyre provokimeve të hapura nga Serbia dhe Vuciqi. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë për integrimin e serbëve në Kosovë, por assesi nuk do të bashkëpunojmë me ata që kanë qëllim të ndjellin urrejtje dhe frikë”, ka shkruar Veseli në Facebook.