Arbëri

Presidenti shpall heronj të Kosovës 114 dëshmorët e rënë në Koshare

Në 20 vjetorin e Betejës së Koshares, presidenti i vendit, Hashim Thaçi i ka shpallur heronj të Kosovës 114 dëshmorët e rënën në këtë betejë.

Në Kompleksin Memorial në Koshare, familjarë të dëshmorëve e shumë qytetarë kanë përkujtuar të rënët në këtë betejë duke vendosur lule e bërë homazhe.

Homazhe kanë bërë edhe krerët më të lartë të shtetit.

Në hapjen e manifestimit “Ditët e Shqipes” Presidenti ka thënë se Beteja e Koshares hapi një kapitull të ri për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

“Kremtojmë 20 vjetorin e Betejës së Koshares e cila ishte vendimtare për çlirimin e Kosovës”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

E kryeparalamentari Kadri Veseli dhe ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha kanë përmendur se si 20 vjet pas luftës shumë të rinj po e braktisin Kosovën.

“Shqiptarët edhe mund të shkojnë lirshëm në Evropë, por Kosova do të mbetet gjithmonë e shqiptarëve”, ka thënë Veseli.

Edhe Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Beteja e Koshares e zhvilluar 20 vite më parë shënon fitoren më të madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shënon fillimin e çlirimit të Kosovës.

“Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill 1999, është një prej datave më të rëndësishme në kalendarin e historisë së luftës të Kosovës. Kjo betejë është ndër betejat më të përgjakshmet dhe më heroiket të UÇK-së, por njëkohësisht fitorja në këtë betejë është një ndër pikat më të shndritshme të luftës tonë për liri. Uniteti dhe vendosmëria e ushtarëve tanë dhe shkathtësitë e larta ushtarake bën që këta luftëtarë të triumfojnë në këtë betejë ndaj një armiku të madh dhe të armatosur”, ka thënë Mustafa në një komunikatë për media.

Poashtu në këtë ditë, Mustafa tha se vlerësojmë lartë dhe përkujtojmë të rënët në këtë betejë dhe anekënd Kosovës.

“Vepra e Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Abaz Thaçit, Xhemajl Fetahut por edhe vepra e të gjithë heronjve dhe dëshmorëve le të shërbejë si udhërrëfyes i rrugës tonë drejt ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit tonë në integrime euroatlantike. Lavdi heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës”, përfundoi Mustafa.