Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, ka vazhduar takimet me zyrtarë të lartë të Emirateve të Bashkuara Arabe, në një vizitë zyrtare atje me ftesë të ministrit të ekonomisë së këtij shteti, Sultan Bin Saeed Almansoori.
Shala ka takuar sekretarin për investime të huaja në Ministrinë e Ekonomisë, Abdulla Ahmed Al Saleh, ku theksoi se me Al Salehun kanë biseduar miqësisht dhe e ka njoftuar atë për mundësitë që ofron Kosova për investime, duke theksuar se “vendet tona janë mike, dhe këtë miqësi duhet të vazhdojmë ta kultivojmë, duke u lidhur më shume ekonomikisht”.
“Emiratet e Bashkuara janë shembull se si një burim natyror është kthyer në mjet për zhvillim, por politikat e duhura ekonomike kanë bërë që ky burim tashmë të mos jetë gjeneruesi kryesor ekonomik. Ne duhet ta përdorim kapitalin tonë njerëzor dhe ekonomike në mënyrë që të vazhdojmë me krijimin e politikave të duhura që thithin më shumë investitor, që rrisin punësimin, eksportin dhe zhvillojnë vendin”, theksoi Shala gjatë takimit.
Ministri po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe në konferencën vjetore të investimeve, me temë: “Platforma për Investime Botërore”, ku po marrin pjesë 140 shtete nga vendet e ndryshme të botës, e në mesin e tyre edhe Republika e Kosovës.